Luciano Spalletti

Sport

Përfundon epoka Spalletti te Italia, trajneri: Presidenti më tha se jam i shkarkuar, s'doja të dorëzohesha

8 Qershor, 10:18| Përditesimi: 8 Qershor, 16:04

  • Share

ITALI - Aventura e Luciano Spallettit si trajner i ekipit kombëtar italian të futbollit ka marrë fund. Pas humbjes 3-0 në Norvegji dhe 'breshërisë' së kritikave të marra, përfshirë fjalët e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gravina, trajneri ka vendosur të largohet nga pozicioni me konsensus pasi ishte shkarkuar.

"U takova me presidentin dhe folëm shumë, aty ai më komunikoi se më kishte shkarkuar nga detyrat. Nuk do të doja kurrë të largohesha nga ky pozicion, nuk ishte qëllimi im. Ekziston shkarkimi dhe unë e di, siç di dhe rezultatet që kanë qenë në fushë dhe marr përgjegjësinë për to. Do ta nënshkruaj largimin me konsensus pas ndeshjes kundër Moldavisë", tha Spalletti.

I ulur në stolin e ekipit më 1 shtator 2023, aventura e ish-trajnerit kampion të Napolit nuk ka zgjatur as dy vite në kombëtaren e kaltër, paçka se zhvilloi një Euro 2024 jo të keq.

"Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Gravinën dhe duhet ta marr parasysh këtë. Kanë dalë disa rezultate negative dhe është e drejtë të kërkojmë më të mirën së bashku. Do ta ndërpres kontratën, nesër në mbrëmje do të jem në stol. Nga pasnesër nuk do të kujdesem më për ekipin. Meqenëse rezultatet janë këto, duhet të marr përgjegjësitë që duhen, kam marrë të gjithë mbështetjen e mundshme nga Federata. Edhe nëse do të kisha vazhduar, duhet ta pranoj.

Jam i zhgënjyer me veten për rezultatet që kemi arritur - vazhdoi Spalletti - isha i bindur se mund të arrija rezultate më të mira", tha ai.

"Në fillim pata dy ose tre fjalime për mënyrën tonë të të menduarit. Duke pasur parasysh karakterin tim, kam qenë shumë i butë, gjithmonë kam kërkuar përqafime dhe mirëkuptim për shumë gjëra.

Do të doja ta mbyllja me një fitore të bukur, jo me turpin që bëra në Norvegji. Pres që këta djem, të cilët për mua janë njerëzit e duhur për t'u rikthyer në Kupën e Botës, të më japin një performancë të mirë dhe të bëhen më të vetëdijshëm", tha Spalleti.

Kombetarja italiane nuk ka qenë në finalet e dy Botëroreve të fundit dhe për t'u rikthyer do bëhet çdo gjë, qoftë edhe ndërrimi i trajnerit; siç po ndodh. Tanimë për të drejtuar katër herë kampionët e botës si zëvendësuas të Spallettit shihen Stefano Pioli dhe Claudio Ranieri.

Spalletti do drejtojë nesër (e hënë) ndeshjen e fundit në stolin e Italisë, përballjen kualifikuese të Kupës së Botës kundër Moldavisë në Reggio Emilia.

Ora 15:58
Shkarkimi i Spallettit, kush e zëvendëson në stolin e Italisë


Luciano Spalletti nuk është më trajneri i kombëtares italiane të futbollit. Ndërkohë mediet në Itali kanë dhënë edhe dy zëvendësuesit e mundshëm që janë ish-trajneri që bëri mrekulli me Romën sezonin që sapo u mbyll, 73-vjeçari Claudio Ranieri dhe Stefano Pioli. Ranieri shihet si më i avantazhuar.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?