Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Krizë energjetike apo mundësi që PD të dalë nga kriza

5 Tetor 2021, 12:50| Përditesimi: 5 Tetor 2021, 12:53

  • Share

Kish kohë që selia blu ish në një shurdhëri totale. Që prej ditës kur ish lideri i saj Berisha kish nisur turin në qytete të ndryshme për të ulur nga froni Bashën, në PD kishin gëlltitur gjuhën dhe nuk pipëtinte njeri. Përveç ndonjë debati në distancë midis vetë deputetëve, si Trako – Salianji ku përplasjet ideologjike shoqëroheshin dhe me përkujtesa për përgjime telefonike. Nejse. Me aq sa po na shohin sytë se çpo ndodh në PD, ky lloj debati duket si tretës pas të vjellave.

Gjithësesi, për fat, tetori duket se erdhi me habere të reja që vunë mrekullisht në lëvizje dhe oborrin e PD. Dalja e kryeministrit Rama që paraljamëron një krizë energjitike e me pasoja për ekonominë e qytetarët, duket se ish rasti më i mirë për të motivuar inisiativën e opozitës. Disa orë pas Ramës, në konferencë shtypi del kreu i PD, Basha që propozon një rend me 7 pika për të dalë nga kriza e energjisë. Ndërkohë të nesërmen opozita ka arritur një sukses të paparë në parlament. Ka arritur të detyrojë maxhorancën që mbledhjet e komisioneve parlamentare të mos bëhen on line, por të bëhen me pjesëmarrje fizike në sallë. Pavarësisht se për ketë u duhet të paraqesin te Nikolla rezultatet e tamponeve çdo javë. Gjithësesi, ajo çka tregoi se opozita më në fund është zgjuar dhe po ndërmerr hapa serioze, ishte mbledhja e djeshme grupit parlamentar. Dhe grupi i deputetëve është marrë sërish me krizën energjitike. U harrua Doktori dhe axhenda e tij e takimeve në qytete të ndryshme. Rëndësi ka kriza dhe si do ti përgjigjet opozita kësaj situate. Propozimi i parë ishte që të bëhej një protestë e shpejtë të mërkurën, pavarësisht se kriza ende nuk ka nisur, por thjesht është paralajmëruar. Në fakt, eksperienca e këtyre viteve, nuk mund të jepte opsion tjetër përveçse bërjen e një proteste. Por ky opsion ra shpejt, pasi me sherrin që është hapur, sidomos ai midis Trakos dhe Salianjit, vështirë të mendohej se do të mblidhej dikush. Ca më keq pastaj po të krahasohej me ata që do ti vinin në sallë Doktorit.

Në këto kushte u la si detyrë që të mos bëhej gjë, veç nëse vetë populli bën vetë protestë. Në këto kushte PD do mbështesë çdo lloj proteste. PD vetë mund të japë shembull se si të qeverisë, pasi për të bërë opozitë ky është opsion i vështirë. Vetë Basha e mbushi plot gojën kur pas mbedhjes së grupit parlamentar ua kujtoi shqiptarëve këtë gjë:  “kriza nuk është një krizë që vjen nga jashtë. Është një krizë që vjen nga brenda, nga keqqeverisja. T’i tregojmë shqiptarëve që me një qeveri të përgjegjshme ka zgjidhje. Nxisim e përkrahim të gjitha format e reagimit popullor”.

E parë me çfarë po ndodh tashmë në PD dhe krisjet e shumta që ka pësuar si parti që pas zgjedhjeve të 25 prillit, çështja e një krize mund të shndërrohet në një lajtmotiv për një lëvizje që mund të shpëtojë nga kriza së pari vetë opozitën. Pak rëndësi ka nëse do të ishte energjitike apo kozmogonike. Fakti që Basha e tenton këtë si mundësi për të marrë inisiativë dhe për të mos qenë gjithmonë në mbrojtje nga goditjet nga jashtë, që nga Berisha e me rradhë, mbetet thjesht një dëshirë e mirë për të kapërcyer situatën. Por kaq është e pamjaftueshme. Duhet shumë më tepër se kaq që të arrish të marrësh inisiativë, si për të ngritur imazhin ashtu dhe për të krijuar gravitetin më të madh brenda partisë.  Vetë fakti që për maxhorancën nuk arrihet të krijohet asnjë shqetësim si për çka deklaron Basha apo Berisha, Shehu apo Vasili, dëshmon se fusha ka mbetur pa kundërshtarë dhe për shumë kohë. Debati dhe sulmet mbeten brenda vetë opozitës, dhe ai po zhvillohet me plot shkrepëtima kanosëse. Aq të rënda saqë realisht nëse i vendoset kontakt për përplasjet që po ndodhin brenda në PD, nga ajo energji e shpërdoruar mund të kapërcehet lehtë vetë kriza energjitike që na kanoset./ Gazeta "Fjala" 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?