Prodhimi i misrit në vend këtë vit është rreth 20% më i ulët se një vit më parë. Shkak është mungesa e ujitjes dhe e fuqisë punëtore. Rënia e prodhimit ka sjellë rritjen e çmimit në treg. Aktualisht, një kilogram misër shitet me pakicë 40 lekë. Kjo përkthehet në fitim për fermerët, por që më pas do të shndërrohet në barrë për konsumatorët.
Arsyeja është e thjeshtë: Misri është baza kryesore e ushqimit për blegtoritë e pularitë. Ndaj në muaj në vijim të gjitha stabilimentet dhe fabrikat e bulmetit do ta shesin më shtrenjtë mishin, qumështin dhe vezët.
“Konsumatorët do të presin vetëm rritje çmimesh për të gjitha produktet blegtorale sepse misri është mbi 60% e racionit ushqimor për pularinë e blegtorinë”, shprehet Kostandin Hajkola, drejtor i Qendrës Shkencore e Transferimit të Teknologjive Bujqësore.
Ai thotë se Shqipëria pritet të prodhojë këtë vit 300 deri në 310 mijë tonë misër, ndërsa nevojat janë mbi 400 mijë tonë. Diferenca prej gati 100 mijë tonësh duhet të importohet, por çmimet në tregjet e rajonit janë të larta dhe kjo do të reflektohet në tregun vendas.
“Jemi realisht në krizë për misrin dhe për produktet e koncentratës në blegtori. Ndoshta ka ardhur koha të ndryshojmë edhe strukturën e mbjelljeve, duke u orientuar drejt kulturave alternative si elbi apo tritikalet”, shpjegon Hajkola.
Edhe pse cilësia e misrit vendas është më e lartë se ajo e importit, për shkak të përmbajtjes më të madhe të proteinave, problemi mbetet mungesa e standardizimit dhe e infrastrukturës së ruajtjes.
“Misri ynë është më i mirë në cilësi, por ne nuk kemi sisteme standardizimi. Nuk kemi stacione ku grumbullohet dhe ruhet në mënyrë të kontrolluar. Kjo është një tjetër sfidë për sektorin”, thotë Kostandin Hajkola
Drejtuesi i QTTB Shkodër e bëri këtë deklaratë nga fusha e Maliqit, aty ku gjendej bashkë me ekspertë të tjerë të bujqësisë për të parë nga afër hibridet e misrit, të cilat po kultivohen ne parcela eksperimentale.
Komente

Buqësia këtu është lënë pasdore,nuk di çfar bën ministria e buqësisë....këtu punohet pa asnjë lloi plani dhe fermerët nuk orjentohen....mbillet grurë dhe nuk shitet,mbillen kastraveca,qepë,patate ,mollë,shalqi dhe hidhen në kanal... ÇFAR BËN MINISTRIA E BUQËSISË PËRSE NUK I ORJENTON OSE KJO MINISTRI DUHET TË SHKRIHET.
PërgjigjuPse nuk e di ti? Vjedh fondet e BE