‘Krizë’ për punonjësit social në institucionet shtetërore! Vataj për Report Tv: Pozicion që lihet bosh, fatkeqësisht u duhemi vetëm për ngjarjet e rënda në shoqëri

10 Mars 2023, 15:53| Përditesimi: 10 Mars 2023, 15:58

  • Share

Në disa institucione shtetërore në vend ka mungesa të punonjësve socialë. Nga komisariatet e policisë e deri tek vetë ministria e drejtësisë, nga sistemi arsimor deri tek ai shëndetësor, por dhe vetë në disa bashki ky pozicion pune rezulton bosh ose jo i plotësuar me numrin e duhur të punonjësve.

Vetëm Ministria e Shëndetësisë në tetor të vitit 2022 shpalli 12 vende vakante për punonjës socialë konkretisht në qendra shëndetësore me shërbim 24 orë në Klos, Vaun e Dejës, Fushë- Arrës, Luf -Qerret, Pogradec, Maliq, Himarë, Selenicë, Sarandë, Patos, Qendra Shëndetësore Fratar dhe Gjirokastër. Ndërkohë ky shërbim socio-shëndetësor duhet të ishte në 50 qendra shëndetësore ku edhe po pilotohet.

Nëse hulumtojmë më tej në faqen zyrtare të shërbimit social shohim që pozicionet e lira pune të punonjësve socialë shfaqen edhe në sektorë të tjerë.

Vetë kryetari i urdhrit të punonjësit social Mirgit Vataj edhe pse ende pa një raport konkret pohon se shumica e institucioneve në vend janë në mungesë të punonjësve socialë.

“Çdo njësi administrative ose bashki e cila ka 3000 fëmijë duhet të ketë një punonjës socialë për mbrojtjen sociale të fëmijëve. Ne kemi mungesë të punonjësve socialë në sistemin e drejtësisë, kemi mungesa në sistemin e shëndetësisë. Duhet të shtohet numri i punonjësve socialë në shkolla. Ka mungesë të punonjësve socialë në të gjitha institucione që ofrojnë shërbime, për familjet, fëmijët e popullatën në përgjithësi.”- tha Mirgit Vataj, Kryetari i urdhrit të punonjësit social

Por çfarë pune konkretisht bën një punonjës social?

"Punonjësi social nuk është thjesht një individ që merret me ofrimin e ndihmave materiale. Jo, punonjësi social mund të ofrojë shërbimin e këshillimit, punonjësi social ofron shërbimin e këshillimit, informimit, avokacisë dhe të ndërlidhjes me shërbimet e tjera. Ofron mbështetje të madhe për individët dhe për familjen, i qëndron pranë njerëzve në nevojë në momentet më të vështira të tyre.”, thotë Vataj i urdhrit të punonjësit social

Mungesën e punonjësve social, kreu i urdhrit nuk e lidh aspak me mungesën e interesit të të rinjve për këtë profesion, por tregon se mungon promovimi dhe informacioni se çfarë realisht pune bën një punonjës social. Pasojat e mungesës së punonjësve social fatkeqësisht evidentohen vetëm në rastet kur ndodhin ngjarje të rënda në shoqëri.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?