Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka akuzuar kryeministrin dhe liderin e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Andrej Plenkoviç, se po tenton të marrë në mënyrë jokushtetuese kontrollin mbi ushtrinë përmes ndryshimeve të paralajmëruara në Ligjin e Mbrojtjes.
Në një deklaratë zyrtare, Milanoviç theksoi se këto ndryshime kanë për qëllim të kufizojnë dhe të zvogëlojnë kompetencat e tij kushtetuese si komandant suprem i Forcave të Armatosura. Ai paralajmëroi se nuk do të lejojë që ushtria kroate të përfshihet në “luftërat e të tjerëve”, duke iu referuar mundësisë së dërgimit të trupave kroate në Ukrainë.
“I bëj thirrje kryeministrit të respektojë Kushtetutën dhe vullnetin e popullit, i cili më zgjodhi mua për të mbrojtur ushtrinë dhe interesat kombëtare”, deklaroi Milanoviç.
Milanoviç, kandidat i Partisë Socialdemokrate në opozitë, do të përballet me kandidatin e HDZ-së, Dragan Primorac, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 12 janar. Në raundin e parë, ai fitoi mbi 49% të votave, ndërsa Primorac mori rreth 19%.
Presidenti e cilësoi çdo përpjekje për të ndryshuar Kushtetutën ose Ligjin e Mbrojtjes si një tentativë për të shkelur parimet kushtetuese dhe për të marrë kompetenca që i përkasin ekskluzivisht Presidentit të Republikës. Ai përfundoi duke rikujtuar se Kushtetuta kroate e përcakton qartë atë si komandant suprem, pa dallim midis kohës së paqes dhe asaj të luftës.