Speciale

Kroi i Bardhë, vlerë unike e turizmit malor! 1350 metra mbi nivelin e detit në bjeshkët e Mirditës, bukuri përrallore dhe vlera kurative

12 Gusht 2021, 12:32| Përditesimi: 12 Gusht 2021, 12:41

  • Share

Në kufirin ndarës mes Lurës dhe Mirditës ndodhet Kroi i Bardhë, një zonë e cila po tërheq vëmendjen e vizitorëve gjatë viteve të fundit, por problem mbetet mungesa e investimeve.

Ky vend turistik mes malit të Didhës dhe atij të Kunorës, është shumë i përmendur për ujin e rrallë kurativ që ka, por pak i njohur për shkak të rrugës aspak të përshtatshme nga Rrësheni deri atje, 55 km e gjatë, por edhe mungesës së investimeve serioze sapo përpjekjeve të bëra vitet e fundit nga vetë banorët.

"Ne kemi nisur në vitin 2013 dhe besoj që kemi arritur të bëjmë diçka, por avash-avash do të vazhdojmë edhe më mirë t’i përmirësojmë kushtet për turistët shqiptarë. Aktualisht për momentin jemi me kapacitet të plotë dhe besoj që edhe nga shtatori do të ketë më shumë turistë. Të them të drejtën, klima është shumë e pastër, uji është shumë kurativ nga ana e sëmundjeve të brendshme sidomos stomaku, veshkat. Është shumë kurativ uji. Kjo zonë të them të drejtën, për momentin rruga, infrastruktura është shumë e dobët. Besojmë që në ditët në vazhdim Bashkia do të bëjë diçka të mundur, energji elektrike po ashtu", shprehet Florent Lleshaj operator turistik në këtë zonë .

Në qoftë se do të plotësohen këto, sa ndihmojnë në turizëm?

"Absolutisht shumë, të gjithë, jo veç turizmin këtu te Kroi i Bardhë, por të gjithë zonën e ndihmon absolutisht në masë shumë të madhe", 

Kroi i Bardhë gëzon një popullaritet të madh te njerëzit edhe jashtë vendit, ngaqë shëron disa sëmundje si ato të veshkave, të rrugëve urinare, të stomakut, të laringut, të tiroideve etj. Ata që kanë qëndruar atje, sigurisht në kushte jo të favorshme, shprehen se janë ndier shumë mirë me natyrën bujare dhe se do të vijnë sërish verën tjetër.

"Vij një herë në vit këtu dhe qëndroj 15 ditë. Nga thëniet e njerëzve që ky ujë bën mirë shumë, thonë që Kroi i Bardhë bën mirë, Kroi i Zi ka mbytur njerëz. Ne vijmë te Kroi i Bardhë. Tjetër të veçantë ka natyrën, ka gjelbërimin, ka shumë gjëra, disa i di, disa nuk i di", shprehet një pushues.

Ndërsa një tjetër tha se "kemi 10 vite që vijmë me familjen pasi uUji është i veçantë, edhe klima, ambienti, freskia, temperaturat e përshtatshme për këto ditë të nxehta. Rruga është problem... duhen investime, duhen, por shteti e ka në dorë".

Por është një rendje prej 30 vitesh drejt këtij destinacioni turistiko-kurativ, 1 350 metra mbi nivelin e detit, me fare pak ndryshime sa i përket infrastrukturës, dritës elektrike, mallrave tregtare. Duket se askush nga qeverisja vendore dhe ajo qendrore nuk e ka pasur përparësi këtë resurs të largët turistik.

"Unë kam ardhur nga Nju Jorku, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të qenë jam mirditor, banoj në Laç. Jam kurioz, kam punuar kameraman në Laç disa kohë. Jam kurioz të filmoj peizazhe, ngjarje, evenimente. Këtu më tërheq gjithçka. Unë kam qenë që në kohën e komunizmit këtu. Është ambienti, ajri, natyra, njerëzit natyrisht, përpara gjithçkaje. Shpresoj të rregullohet infrastruktura duke filluar nga rruga, nga ambientet, nga gjithçka këtu", shprehet një tjetër vizitor.

"Kroi i Bardhë është mrekullia botërore. Unë banoj dhe jetoj në Itali. Është një kënaqësi absolute ky vend, është vendi që më mungon... është mrekulli. Dora e njeriut e ka lënë ashtu sikur e shohim, është një mëkat i madh, që është në këto kushte. Është punuar mjaft, por duhet që të vijë rruga këtu. Në të gjitha analizat që janë bërë, jo sot, por të paktën që prej një shekulli e më tepër, i ka të gjitha resurset minerale brenda. Sipër është kromi, vjen nga thellësitë e tokës dhe është kromi që i bën të gjitha këto", tha ai

Kroi i Bardhë në verë kthehet në një qytezë me pushues që qëndrojnë për disa ditë në kushte modeste akomodimi. Ka shumë vite që mirditorët kërkojnë që ky vend të shndërrohet në resurs turistik malor, m rrugë të asfaltuar, me shtëpi për pushuesit, me hotele apo kampe. Kroi i Bardhë, si atraksion turistik, nuk ka vetëm ujin e rrallë kurativ, por edhe një sërë vlerash të tjera turistike, si mundësia për hiking për te liqenet e Lurës, në anën tjetër të malit madhështor të Kunorës, eksplorim të shpellave përrallore të Selitës, ndër më të veçantat e vendit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?