Prigozhin

Kronikë e një vdekje të paralajmëruar!

25 Gusht 2023, 18:10| Përditesimi: 25 Gusht 2023, 19:13

  • Share

Tregojnë se një herë djalli kishte hipur në avion dhe një nga pasagjerët që ishte i mbushur me mëkate e kishte njohur.

Pse je këtu?- e pyeti i tmerruar pasagjeri, mbretin e errësirës.

Është ora juaj-u përgjigj-kam ardhur t’ju marr. Mund të më falësh mua, vazhdoi mëkatari. Fundja unë të kam shërbyer dhe zbatuar mësimet e tua. E di që ke qenë një ndjekës i mirë, por të gjithë këtu në avion si ty janë dhe unë hoqa të zitë e ullirit t’ju bëja të gjithëve bashkë, e mbylli bisedën Luçiferri dhe drejtoi avionin me hundë drejt tokës.

Ndoshta Putinit do t‘i jetë dashur më pak kohë që me një goditje të vetme të eleminonte gjithë kokën drejtuese të Wagner.

Bashkë me Prigozhin ikën në botën e përtejme edhe Dimitri Utkin, krahu ushtarak i Prigozhin, themelues i Wagner dhe ish-oficer i GRU, Valery «Rover» Çekalov, Evgeniy «Makariç» Makarian, Sergei Propustin e Aleksandr «Tot» Totmin. Ndodhi ajo që shumëkush në Rusi e kishte thënë me kohë për kryengritësit: Kufoma ambulante

Pasi në Rusi e dinë shumë mirë si veprojnë Carët: Askush nuk falet në një komplot, qofsh aktor i vetëdijshëm, i manipuluar apo i infiltruar. Jevgeni Prigozhin ishte përpjekur disa herë të shpjegonte se kryengritja e tij nuk ishte kundër Putinit por kundër gjeneralëve që po e fusnin Rusinë në baltën e humbjes në Ukrainë. Mbase kishte pasur një sy të shkelur nga Putini për këtë sipërmarrje të tij. Për këtë asnjëherë nuk do ketë një dokument pasi Rusia është një vend mes lindjes dhe perëndimit, e tillë edhe në intrigën e oborreve që më shumë ngjajnë me ato otomane sesa britanike.

Gjithsesi Prigozhin e kreu rolin e tij. Me miratim apo jo të Putin kur bëri tentativën për grusht shteti, fati i tij u vendos. Cari nuk mund të lejonte një sfidues qoftë edhe aktorial nëpër këmbë. Loja ja arriti qëllimit. Wagner dhe 34 milicitë e tjera private që veprojnë në Rusi janë jashtë ligjit; gjeneralët e forcuar më shumë seç duhet janë nën dilemën se kush e ka rradhën të pijë çaj apo fluturojë nga dritarja, kurse popullariteti i Putin sipas Institutit Levada (institut sondazhesh i pavarur, akoma i lejuar ndoshta edhe sepse vetë Putin do një burim të humorit të popullsisë që nuk vjen nga klakerët zyrtarë) e jep popullaritetin e Carit në nivelet e aneksimit të Krimesë. Rusia është më e bashkuar se kurrë rreth tij. Me këtë rast edhe blloku atllantik u ndje i lehtësuar pasi valixhja me butonat bërthamorë është më mirë të jetë në duart e një interlokutori të vështirë sesa një psikopati burgaxhi.

Wagner ka premtuar hakmarrje, por kjo është një sipërmarrje pa kokë dhe pa shanse. Kush do të rebelohet do të ketë një fund të njëjtë me shefin e tyre por pa dorashka, si në stilin e Ljubiankës të purgave të mëdha staliniane. Putin ka qenë një student i mirë i historisë së Çekas dhe di ta ofrojë vdekjen sipas hierarkisë.

Rusia më shumë se kurrë është nën kontrollin e hekurt të Carit dhe elitat drejtuese më të bashkuar se kurrë rreth tij, me hir apo pa hir. Sa i takon luftës në Ukrainë, ajo është në një fazë stanjacioni. Putin nuk ka më asnjë kërcënim të brendshëm dhe mund të vazhdojë një luftë të gjatë, siç edhe e ka premtuar. Fundja luftrat latente janë ilaçi më i mirë të mbash lart konformizmin e popullatës. Kurse ata që paguajnë realisht çmimin e gjakut janë ukrainasit dhe rusët e thjeshtë. Por kush e ka vrarë mendjen ndonjëherë për turmat pa emër. Siç ka thënë dikur Remark, një pacifist i hershëm që e kishte pësuar në kurriz tmerrin e luftës: Një i vrarë është tragjedi, miliona janë vetëm statistikë./dritare.net

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?