Politikë

Kryebashkiakët e PD në takim me Ramën, Berisha: Ia thanë në sy që janë demokratë, Rama e ka tmerr! Po sillet si kryetar i bashkisë së Shqipërisë

14 Korrik, 13:49| Përditesimi: 14 Korrik, 14:45

  • Share

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama po sillet si kryebashkiak i Shqipërisë, pas ultimatumeve të kreut të qeverisë për shkarkim të drejtorëve të Bashkive në vend, si edhe administratorëve të njësive vendore. Komenti i Berishës erdhi për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku e cila e pyeti mbi pjesëmarrjen e kryebashkiakëve demokratë në takimin me Ramën dhe 61 krerët e bashkive në vend.

I pyetur se përse kryebashkiakët demokratë nuk i thanë Ramës asnjë kritikë në sy, Berisha tha ata ja thanë në sy që nuk pranojnë asnjë dorëheqje. Por në fakt, gazetarja i kujtoi se deklarata e kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, ishte në një prononcim për gazetarët dhe jashtë takimit me kryetarët e Bashkive.

“Mediat e tjera kanë dhënë kryetarin e bashkisë Kavajë, duke ja thënë në sy, se atë urdhër nuk e zbatoj, për shkarkimet dhe të tjera, së pari. Së dyti, ajo që bën Ramduro vetëm fakton edhe njëherë se për të kushtetuta nuk ekziston. Se për të detyrimi që rrjedh nga Karta Europiane Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, për Shqipërinë si vend anëtar i Këshillit të Europës, nuk ekziston. Se ky njeri i pangopur don të ketë çdo pushtet në këtë vend dhe sillet tani si kryetari i bashkisë së Shqipërisë, jo vetëm si kryeministër.  E di që karrigia e tij qëndron mbi krimin dhe nuk ka asnjë legjitimet, por tani hiqet dhe kryetar i bashkisë së Shqipërisë...”, tha Berisha.

Por Berisha i tha gazetares Maloku, se Qosja ia ktheu Ramës dhe i tha në sy është demokrat, e sipas tij Rama e ka tmerr fjalën demokrat. Më tej Berisha ka folur për 20 shkurtin e vitit 1991, duke u shprehur se Rama nuk e harron atë.

“Në fakt përballë kryeministrit ja ktheu. I tha përballë, demokrat jam unë. Kurse ajo tjetra jo. Pra i përpoq ta fyente me demokrat. Ky bir xhelati që i përket njërit prej xhelatëve të diktaturës komuniste, njeriu që firmosi varjen e Havzi Nelës, ka tmerr fjalën demokrat, se i përmbysi pushtetin e etërve.  Nuk e harron Edi Rama 20 shkurtin, kur u transportua me urgjencë me autoblindë në tunelet e diktaturës, nga frika. Nuk i harron këto ai, prandaj i tha aty me urrejtje, ti je demokrat tha”, u shpreh Berisha.

Një porosi e ka për 6 kryebashkiakët e tij, pas takimit të tyre me Ramën.

“Kryetarët e Bashkive të djathta, qëndrimin e tyre duhet ta bazojnë në kushtetutën dhe ligjet e kartën e autonomisë, aspak në udhëzimet e partisë. Kushtetuta, Karta Europiane e Autonomisë Lokale dhe ligji për qeverisjen vendore, mbizotërojnë mbi udhëzimet partiake, dhe ata do ti zbatojnë ato. Kjo është e gjitha. Edi Rama don të bëhet kryetar i bashkisë së Shqipërisë, të marrë edhe atë pushtet që kanë, ndaj dhe ka shpërthyer në urrejtje të madhe ndaj bashkiakëve, ndaj administratorëve, ndaj këtyre dhe atyre. Natyrisht këtu nuk ka asgjë të re. Është një njeri që ka gjithë pushtetet në duart e tij dhe do ti ushtrojë ato në mënyrë më antikushtetuese”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Aksioni në Theth, Berisha: S’ka tokë të xanun, Rama pushtues i egër! Dëmshpërblim për banesat e prishura


SI.E./I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?