Deputetja e PD-së Elda Hoti në një konferencë pr mediat nga selia e partisë denoncoi kryetaren socialiste të bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara. Hoti shprehet se dosjet i janë bërë mal në SPAK Majlinda Carës për abuzime me tenderat.
'Jam në këtë konferencë për shtyp për t’i bërë publike se kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara i janë bërë mal dosjet në SPAK, për disa vepra penale nga shpërdorimi i detyrës, abuzime me tenderat e deri edhe në grabitjen e pronave të qytetarëve.
Jam sot këtu si deputete e qarkut Lezhë, që t’i kërkoj institucioneve të drejtesisë të veprojnë pa humbur kohë. Çdo ditë që kalon dhe drejtësia nuk vepron, kostoja shkon tek qytetarët e Kurbinit. Ndërsa dosjet flenë nëpër sirtaret e SPAK, janë qytetaret e Kurbinit që çdo ditë paguajnë faturat e korrupsionit të Majlinda Carës dhe një sekti rreth saj.'
Deputetja e Lezhës shton se kryebashkiakja e Kurbinit duhet të përballet me drejtësinë sa më shpejt dhe të largohet nga detyra, pasi ka akuza të rënda për shpërdorimin e fondeve të rindërtimit.
'E përsëris, mbi Majlinda Carën rëndojnë akuza të rënda për korrupsion, abuzimet me fondin e rindërtimit, tenderat që i komandon, deri në përfshirje për grabitjen e pronave të qytetarëve.
Në qoftë se institucionet do të vepronin, ajo sot nuk do të ishte ne karrigen e kryetares se bashkisë, por do të ishte në karrigen e të pandehurës, duke u përballur me drejtësinë. Koha është tani, çdo ditë që kalon është vonë.'
Me ironi ajo shton se Cara po i ha kumbulla pas shpine Ramës.
'Meqënëse mëkëmbësi i saj Edi Rama, nuk ka informacion, po njoftojmë se po i hahen kumbulla pas shpine. Meqënëse ai nuk “e fal” korrupsionin, po i themi që Bashkia Kurbinit është kthyer në vatër abuzimi. Kurbini është në varfëri të skajshme dhe Rilindja është aq e pangopur për pará sa u janë errur sytë dhe u marrin edhe qindarkën e fundit. Nëse drejtësia do të vepronte sot Majlinda Cara nuk do të drejtonte Bashkinë e vjedhjes.'
Së fundmi Hoti ripërsërit se Majlinda Cara duhet të jap llogari para drejtësisë.
'Shqipëria ndodhet në kthetrat e diktaturës, është detyrë e çdo qytetari dhe e opozitës t’i dalë përballë këtij regjimi e cila ka kapur çdo institucion. Propaganda dhe manipulimi që u bëhet qytetarëve duhet të marrë fund. Partia Demokratike, unë si deputete e qarkut Lezhë, do të vijojmë të bëjmë publike çdo shkelje të Majlinda Carës derisa ajo të japë llogari para drejtësisë se ku kanë shkuar paratë e kurbinasve të lënë në mëshirë të fatit.'