TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sot, 16 janar, seanca paraprake për kryebashkiaku socialist të Devollit, Eduard Duro e 4 të akuzuarit e tjerë. Ndaj tyre, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se të gjithë të pandehurit kanë kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se fakti penal nuk ekziston.
Seanca u shty për të premten e ardhshme, datë 24 janar, ku avokati i Eduart Duros do paraqesë disa dokumente, e më pas Gjykata e Posaçme do shpallë vendimin për kalimin e dosjes për gjyq.
Hetimet për Duron u mbyllën më 7 dhjetor 2024 nga SPAK, ku kryebashkiaku socialist u mor i pandehur për akuzën “Shpërdorim detyre” për dhënien e lejes së një pike karburanti që ishte ndërtim pa leje. Të pandehur janë edhe ish-administratorja e Komanduar të Bilishtit, Vojsava Bregu si edhe 3 zyrtarë të Bashkisë Devoll rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas SPAK kanë licencuar në shkelje të ligjit një karburant në Bilisht që nuk kishte leje dhe për të IKMT kishte marrë vendim se do shembej.
Karburanti pa leje u licencua
Bëhet fjalë për pikën e karburantit “Genci Petrol”, e cila sipas SPAK, që prej vitit 2015 kur ka marrë licencimin në shkelje të ligjit e deri më tani, ka realizuar përfitime të padrejta. Vojsava Bregu, në cilësinë e administratores së komanduar të Njësisë Administrative Qendër Bilisht, akuzohet për dhënien e lejes më datë 27 gusht 2015, për aktivitetin e tregtimit të karburanteve. Sipas Prokurorisë, kjo leje u dha në kundërshtim me ligjin, pasi shoqëria “Genci Petrol” nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë aktin e kontrollit për ndërtimin, lejen e shfrytëzimit dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ndërkohë SPAK thotë se Eduard Duro, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me Astrit Seferkollin (Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Devoll), Gazmend Haxhijen dhe Gazmend Malon (zyrtarë të Sektorit të të Ardhurave dhe Licencimit), licencuan pikën e karburantit në shkelje të ligjit edhe pse nuk plotësonte kriteret. Për këtë objekt, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen që në vitin 2019, për shkak të mosrespektimit të kritereve ligjore.