Kryetari demokrat i Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti, ka reaguar pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve dhe drejtuesve të njësive administrative në bashkitë me performancë të dobët.
Në një prononcim për Report Tv, Dauti theksoi se administrata e Hasit është e angazhuar seriozisht në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, ndonëse përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve profesionale.
“Prej dy vitesh drejtoj këtë bashki dhe çdo muaj dërgojmë stafin në trajnime. Kemi mungesë të theksuar të kapaciteteve dhe nuk jemi në kushte komode për të larguar njerëzit që po i trajnojmë me fondet e taksapaguesve shqiptarë”, u shpreh Dauti.
Ai nënvizoi se Bashkia e Hasit, e cila përfshin tre njësi administrative, ka arritur rezultate konkrete sidomos në menaxhimin e emergjencave dhe zjarreve, duke falenderuar kontributin e shërbimit pyjor, zjarrfikësve, njësive administrative dhe vullnetarëve.
“Ne jemi një Bashki me tre njësi administrative. Po përballemi me shumë sfida. Sepse kemi shërbime ndaj qytetarëve për vaditjen, zjarret. Ne jemi një bashki model që i kemi realizuar në kohë reale shuarjen e zjarreve. Në këtë aspekt është kontributi i madh i drejtorive të shërbimit pyjor, zjarrëfikëseve, njësive administrative, të forcave vullnetarëve. Mendoj që ne e kemi justifikuar vetën me punë në shërbim të komunitet”, tha Dauti.
Duke komentuar aludimet në media se ai nuk po i bindet urdhrit të Kryeministrit, Dauti sqaroi se: “Unë nuk jam për të mos iu përgjigjur urdhrit të Kryeministrit. Por jam për zbatimin e ligjit dhe vetëm ligjit si ndaj administratës, qytetarëve, Kryeministrit dhe Ministrisë që jemi në varësi”.
I pyetur nëse do të zbatojë ose jo urdhrin për shkarkime, ai u përgjigj prerë.
“Unë e kuptoj Kryeministrin sepse ka bashki që ka gati 20 vite që e drejtojnë të njëjtit njerëz. Është normale që ka vend për ndryshime. Ka vend për punë dhe angazhime më të mëdha. Unë jam i prirur që çdo njeri që është i punësuar dhe paguhet nga taksat e qytetarëve duhet ta justifikojë veten me punë. Dhe vetëm me punë të zbatojnë ligjin. Dhe jam i përkushtuar që çdo moment ai që nuk zbaton ligjin të ndëshkohet. Gjithmonë në kompetencat që kemi dhe angazhimet që kemi marrë ndaj qytetarëve. Jo se nuk do të zbatojmë urdhrin. Ne do të zbatojmë ligjin. Fatkeqësisht ne nuk kemi edhe një shkresë aty ku mund të mbështetemi. Sespe me çdo largim ne përballemi me pjesën e drejtësisë se ata që shkarkohen ankohen. Nuk kemi kushte komode që nesër apo pasnesër që gjykatat t’i japin drejt një personi të shkarkuar dhe ne të paguajmë dy paga për një vend pune. Ne do të zbatojmë ligjin. Fatkeqësisht nuk kemi një shkresë zyrtare për t’u mbështetur. Çdo largim duhet të ketë bazë ligjore për të shmangur pasoja financiare për bashkinë”, tha ai.
Kryebashkiaku Dauti ndau gjithashtu detaje nga takimi me Kryeministrin Rama, ku ky i fundit përmendi edhe Bashkinë e Hasit si një shembull pozitiv.
“Kryeministri tha se nuk mund të vë fajin Bashkisë së Hasit, e cila nuk ka kapacitetet e mjaftueshme njerëzore, në një kohë kur bashki të mëdha me administratë të plotë nuk po e justifikojnë punën e tyre”.
Në përfundim, Dauti falenderoi Kryeministrin për bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen për projektet zhvillimore në Has, duke përmendur konkretisht një projekt për sistemimin e Lumit Krena.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë, Bashkia Kukës ka marrë masa konkrete duke shkarkuar të gjithë administratorët e njësive dhe dy nënkryetarët, për shkak të performancës së dobët.
Komente
