Eric Adams

Kryebashkiaku i Nju Jorkut nën akuzë për korrupsion dhe përfitim fondesh të paligjshme për fushatën nga burime të huaja

26 Shtator, 17:57| Përditesimi: 26 Shtator, 17:59

  • Share

Ndaj kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams u ngritën akuza federale se ai përfitoi në mënyrë të paligjshme fonde për fushatën e tij dhe mori ryshfet nga shtetas të huaj në këmbim të favoreve, që përfshinin edhe ndihmën e zyrtarëve turq për të marrë miratimin e bashkisë për një ndërtesë të re në qytet.

Aktpadia ngre dyshimet se zoti Adams “përftoi në mënyrë të jashtëligjshme” duke abuzuar me fondet publike të qytetit.

Ndaj tij rëndojnë 5 akuza federale.

Po ashtu dyshohet se ai “ka marrë rryfshet”, përfshirë udhëtime luksoze falas ose me çmim tepër të ulët nga një zyrtar turk, thuhet në aktpadi, e cila vë në dukje se zyrtari kërkonte ndihmën e zotit Adams lidhur me rregullat për hapjen e konsullatës turke në Manhatan.

Agjentët e FBI-së hynë në rezidencën e kryebashkiakut dhe sekuestruan telefonin e tij të herët në mëngjes të enjten, disa orë para se të bëheshin publike akuzat.

Zoti Adams u tha gazetarëve pasi u bënë publike akuzat se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. “Kjo nuk ishte e papritur për ne. U kërkoj banorëve të Nju Jorkut të presin dhe të dëgjojnë arugmenet tona mbrojtëse para se sa të gjykojnë. Unë do të vazhdoj të qëndroj në detyrë pavarësisht hetimeve”, tha zoti Adams.

Rreth një vit më parë, hetuesit i sekuestruan atij pajisjet elektronike, në kuadër të një hetimi, që u përqëndrua gjithashtu edhe tek financimet e fushatës së tij dhe ndërveprimet e tij me qeverinë turke.

Për shkak se aktpadia nuk është bërë publike, nuk dihet nëse akuzat lidhen me të njëjtën çështje.

Ngritja e akuzave ndaj zotit Adams u raportua fillimisht nga gazeta “New York Times”.

Aktpadia shënon një kthesë të papritur për zotin Adams, një ish drejtues policie që fitoi zgjedhjet rreth tre vjet më parë duke u bërë kryebashkiaku i dytë zezak i qytetit, pas një fushate gjatë së cilës ai vuri theksin tek rrënjët e tij nga klasa punëtore dhe tek zotimi për të punuar për ruajtjen e sigurisë publike.

Por ndërsa zoti Adams e renditi si përparësi të administratës së tij uljen e krimit, ai është përballur me sfida ligjore në rritje, me hetime të shumta federale që kanë prekur ndihmësit e tij kryesorë dhe fushatën e tij.

Përgjatë dy javëve të fundit, drejtuesit që ai caktoi për të mbikqyryr sistemin më të madh policor dhe arsimor në vend, kanë dhënë dorëheqjen.

Eric Adams është kryetari i parë i bashkisë së Nju Jorkut ndaj të cilit ngrihen padi ndërsa ushtron funksionin publik. Nëse ai do të dorëhiqej, do të zëvendësojë nga Jumaane Williams, drejtues i zyrës që mbron interesat e qytetarëve të Nju Jorkut, i zgjedhur me votë, i cili do duhet të thërriste zgjedhje të jashtëzakonshme.

Guverntatorja Kathy Hochul ka fuqinë të shkarkojë zotin Adams nga detyra.

Zëdhënësi i saj, Avi Small tha përmes një deklarate të mërkurën se “Guvernatorja Hochul është në dijeni të këtyre njoftimeve shqetësuese dhe po e ndjek situatën, Por do të ishte e parakohshme të bënim komente të mëtejshme derisa çështja të konfimohet nga organet e zbatimit të ligjit”.

Aktapadia ngrihet në një kohë që në Nju Jork po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ku janë mbledhur udhëheqës nga e gjithë botë, përfshirë Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Hetimi federal ndaj administratës së zotit Adams u bë publik në 2 nëntor të vitit 2023, kur agjentë të FBI-së bënë një kontroll në shtëpine e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së zotit Adams, Brianna Suggs, në Bruklin.

Atë periudhë, zoti Adams këmbënguli se kishte zbatuar ligjin dhe se ai do të “tronditej” në rast se anëtarë të fushatës së tij do të kishin vepruar në shkelje të ligjit.

Disa ditë më vonë agjentët e FBI-së sekuestruan telefona dhe një iPad të kryebashkiakut.

Më pas, në 4 shtator, hetuesit sekuestruan pajisjet elektornike të nënkryetarit të bashkisë për siguri publike, zëvendës kryebashkiakut, kancelarit të shkollave dhe disa zyrtarëve të tjerë të besuar të zotit Adams. Dy prej zyrtarëve të cilëve iu sekuestruan pajisjet dhanë dorëheqje.

Kryebashkiaku këmbënguli se do të vazhdonte të drejtonte qytetin ndërsa hetimet vazhdonin.

Gjatë verës, prokuroria dërgoi një kerkesë në drejtim të zotit Adams, personelit të fushatës si dhe të bashkisë, duke kërkuar informacion mbi agjendën e kryebashkiakut, udhëtimet e tij jashtë vendit dhe lidhjet potenciale me qeverinë e Turqisë.

Zoti Adams u zgjodh kryetar i bashkisë së Nju Jorkut në nëntor të vitit 2021. Më shumë se dy vjet pas marrjes së detyrës, mbështetja e tij ka rënë.

Qyteti ka shënuar rritje të numrit të vendeve të punës dhe rënie në disa kategori të krimit, por administrata e tij është përballuar me një fluks prej dhjetra mijëra emigrantësh të huaj të cilët kane tejmbushur qendrat e strehimit të qytetit./VOA

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?