Kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla ka ankimuar dënimin me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor, dhënë nga shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme.
Me anë të postës elektronike në Apelin e GJKKO-së është dorëzuar ankimimi nëpërmjet avokatit të tij. Me 24 janar të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e gjeti dhe e shpalli fajtor Memollën.
Hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës nisën pasi në media u publikua një audio përgjim ku siç thotë SPAK, dëgjohet Edison Memolla në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, duke ndikuar tek një punonjës i OSHEE , për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Prokurori Edvin Kondili gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore u shpreh se gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022.
Përveç dënimit me 1 vit burg gjykata e shkallës së parë ka vendosi si dënim plotësues se për 5 vitet e ardhshme Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik.
Tashmë në apelin e GJKKO-së pritet të caktohet shqyrtimi i ankimit ku nëse vendimi do të lihet në fuqi dhe do të marrë formë të prerë, Memolla do të duhet të lërë postin.
Komente
