Bruksel- Dita e nesërme (8 prill) do të jetë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi vizitohet nga drejtuesja e lartë e politikës së jashtme të BE-së, komisionerja Kaja Kallas, njëkohësisht zv/presidente e Komisionit Europian.
Duke parë edhe axhendën europiane të vendit në raport me BE-në, negociatat e përshpejtuara, hapja e të gjithë grupkapitujve në kohë rekord dhe ‘finishi’ i mbylljes së tyre në vitin 2027 që e çon Shqipërinë në tavolinën e Unionit si anëtar, kjo vizitë e nivelit të lartë shikohet dhe vlerësohet me tepër rëndësi. Vizita e saj e parë në Ballkanin Perëndimor do të jetë treditore 7-9 prill.
Kallas do të vizitojë Tiranën më 8 prill (e martë), me një agjendë të ngjeshur takimesh. Brukseli i ka zbardhur edhe takimet që do mbahen në Shqipëri nga përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, me kalendarin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian.
Sipas agjendës zyrtare, fillimisht Kaja Kallas do të zhvillojë takim me kreun e shtetit, presidentin Bajram Begaj. Më pas do të ketë një takim kokë më kokë edhe me kryeministrin Edi Rama, me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Kallas do të marrë pjesë në forumin e dialogut Shqipëri-BE për politikën e sigurinë dhe më pas në ceremoninë e marrëveshjes me Bankën Europiane të Investimeve, thuhet në faqen zyrtare të Komisionit Europian për kalendarin e punimeve dhe takimeve, po ditën e nesërme.
Më 8 Prill do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes së huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë. Gjithashtu, do të mbajë fjalë para studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Mësohet se pjesë e turit të saj ballkanik janë edhe vizita në Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinë, ku gjithashtu ka agjendë të ngjeshur. Por në këtë tur të saj, ajo ka shmangur Kosovën dhe Serbinë.
Në Mal të Zi, Kallas do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Ajo do të zhvillojë takime me organizata të shoqërisë civile dhe do të marrë pjesë në një inspektim të pajisjeve të financuara nga Fondi Evropian i Paqes.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, Kallasi do të vizitojë trupat e misionit të BE-së, EUFOR, dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës. Po ashtu, do të zhvillojë takime me kryeministren Borjana Kristo dhe ministrin e Jashtëm Elmedin Konakoviq.
Kallas, njëherazi Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor.
Agjenda e Kaja Kallas gjatë vizitës në Tiranë, më 8 prill
Komente
