TIRANË- Ashtu si komuniteti Myslim dhe ai Krishterë, edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane kanë pezulluar të gjitha veprimtaritë fetare.
Në një deklaratë zyrtare për mediat, Kryegjyshata Botërore Bektashiane njofton 6 masat e marra në kuadër për të parandaluar përhapjen. Ky urdhër hyn në fuqi që sot dhe zgjat deri në 3 prill, afat ky i vendosur nga qeveria.
"Në të gjitha mjediset e gjyshatatve, teqeve, qyrbeve apo prindërive të ndalohet çdo lloj veprimtarie fetare e cila konsiston në bashkimin apo afrimin fizik të besimtarëve dhe që bie ndesh me vendimet e qeverisë shqiptare lidhur me këtë rast.
Ndalohet kategorikisht të gjitha festat, darkat e ndryshme, llokmat për myhiban apo dashamirës bektashinjtë dhe si çdo lloj tubimi tjetër që është traditë e tarikatit dhe nënkupton grumbullimin e besimtarëve.
Mjediset e teqesë, qyrbeve dhe çdo vend i ndenjës së besimtarëve të pastrohen urgjentisht me dezinfektues apo solucion të ndryshëm me bazë alkooli dhe klori. Vetë punonjësit e teqeve të kontrollojnë dhe zbatojnë higjienën e tyre vetjake.
Dervishët dhe baballarët e teqeve të shmangin sa më shumë vizitat e qytetarëve, t'i shtyjnë ato sa të jetë e mundur për një periudhë të mëvonshme deri në largimin e plotë të rrezikut të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.
Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen të gjithë klerikët dhe personeli ndihmës në gjyshata e teqe.
Urdhri fillon sot dhe mbaron deri në 3 prill", shkruhet në njoftimin zyrtar.