Politikë

'Zgjedhorja'/ Celibashi 14 propozime: Komisionet partiake, dështim! Numërim në qendra votimi! Ankimimet, jo në Kolegj! Emigrantët votim përmes internetit

9 Shtator, 11:06| Përditesimi: 9 Shtator, 22:31

  • Share

TIRANË- Rregulla radikale për financimin e partive politike, komisione apartiake, heqje e kompetencave të Kolegjit Zgjedhor për shqyrtimin e ankimimeve, riorganizim i KQZ-së, numërim në qendra votimi dhe vota e diasporës nëpërmjet internetit. Këto ishin disa nga 14 propozimet që bëri sot kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në daljen për mediat, që duhet të adresohen në Reformën Zgjedhore.

Celibashi kërkoi riorganizim të komisioneve të dyta dhe të treta me përbërje partiake, që sipas tij, kanë rezultuar një dështim. Kërkoi gjithashtu që të merren në konsideratë rregulla më strikte që lidhen me rregullimin e financimit të partive politike, për financimin e palëve të treta në proces zgjedhor si edhe për fushatën elektorale (shtuar rrjetet sociale), që sipas tij, nuk rregullohet në legjislacion. 

"Së pari, organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja partiake e këtyre komisioneve ka treguar se është dështim sa i përket administrimit profesiaonal dhe integritetit të procesit. Duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me financimin e partive. Ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri. Rregullat për financimin e palëve të treta dhe eksperienca e këtyre zgjedhjeve ka konfirmuar nevojën për të adresuar këtë çështje.", theksoi Celibashi.

Për Celibashin, nuk duhet të jetë më Kolegji Zgjedhor ai që duhet të shqyrtojë ankimimet zgjedhore, por duhet të jetë një gjykatë e zakonshme. Duhet parë, theksoi ai, edhe mënyra se si është organizuar dhe funksionon KQZ-ja, ku duhet të merren në konsideratë kompetenca e secilës prej trupave përbërëse të saj.

"Të rikonsiderojmë  rregullat që kanë të bëjnë me ankimet zgjedhore. Të mos jetë një Kolegj, organ i posaçëm por gjykatat e zakonshme. Duhet parë edhe mënyra se si organizohet dhe funksionon KQZ, të rikonsiderohen kompetencat e secilës prej 3 trupave të KQZ-së", u shpreh ai.

Sa i përket mënyrës së votimit, kryekomisioneri kërkoi zgjerim të votimit elektronik, kryesisht në ato zona zgjedhore të mëdha. Për këtë çështje ai kërkoi nga palët politike që të vendosin sa më shpejt të jetë e mundur. Për numërimin, Celibashi theksoi se do të ishte më mirë që të bëhet në qendrat e votimit, sepse sipas tij, do të ketë më pak probleme.

Votimin nga jashtë për 11 majin e konsideroi sukses. Në zgjedhjet e ardhshme, Celibashi propozoi votim përmes internetit sepse do të ishte më efikas dhe me kosto më të ulët. Kryekomisioneri kërkoi gjithashtu ndërhyrje për të mundësuar votimin e personave me aftësi të kufizuara, apo ata që janë në krye të detyrës në ditën e zgjedhjeve si gazetarë, efektivët e policisë etj. 

"Ka kaluar koha që të krijohet mundësia për votuesit që nuk mund të dalin nga shtëpia për të votuar. Është e papranueshme që të mos krijohen kushte për votim për ata që nuk mund të dalë nga shtëpia. Apo edhe për ata që nuk mund të paraqiten në qendrën e votimit për shkak të detyrës; gazetarë, policë etj. Janë mbi 60 mijë votues, që nuk mund të votojnë. Kjo çështje të adresohet në mënyrë urgjente. "

Sipas tij, duhet të rishikohen rregullat edhe për referendumet, për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve etj. Komentoi edhe kërkesën drejtuar DHL-së, teksa përsëriti se pagesa do t’i bëhet kompanisë, vetëm pasi të përfundojë vlerësimi për procesin. Sa i përket akuzave të opozitës për Task Forcën e ngritur mes SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme, Celibashi tha se bashkëpunimi ishte i suksesshëm dhe pozitiv. Pyetjes se çfarë note do t’i vendoste 11 majit, Celibashi iu përgjigj duke thënë se gjykuesi është OSBE/ODIHR.

REFORMA ZGJEDHORE/ 14 PROPOZIMET E CELIBASHIT
1.    Depolitizim i Komisioneve Zgjedhore 
2.    Rregullim i financimit të partive politike 
3.    Rregullim i financimit të palëve të treta 
4.    Rregullim i fushatës online 
5.    Rregullat për veprimtarinë e institucioneve publike
6.    Zgjerimi i votimit elektronik 
7.    Numërimi në qendrat e votimit 
8.    Shkrirje e kolegjit zgjedhor 
9.    Rishikim i organizimit të KQZ
10.   Votimi i atyre që nuk shkojnë dot në QV 
11.   Rregullim i votimit nga jashtë
12.   Organizimi i Referendumeve
13.   Afati i Shpalljes së rezultatit
14.   Rishikim i Ligjit për partitë politike

Ora 11:46
Task Forca e përbashkët me SPAK? Celibashi: I bindur që ka pasur impakt pozitiv përtej komenteve

Ilirjan Celibashi komentoi edhe Task Forcën e ngritur bashkë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme për zgjedhjet e 11 majit. Sipas tij, bashkëpunimi dhe impakti ka qenë pozitiv përtej komenteve që kanë ardhur nga figura të ndryshme politike. Por, tha ai, ka nevojë të ridimensionohet në rregulla më të qarta. 

“Ky proces zgjedhor dhe standartet ishin produkti. Mendoj se përtej kriticizmit dhe sarkazmës së ndonjë përfaqësuesi politik ka përdorur për këtë bashkëpunim, jam i bindur se ka qenë bashkëpunim i suksesshëm. Partitë politike kanë vlerësimet dhe interesat e tyre në notat dhe vlerësimet për KQZ, SPAK, organin e Prokurorisë së Përgjithshme. Mendoj se impakti ka qenë pozitiv. I bindur se ka ndikuar pozitivisht përtej komenteve që dikush tjetër ka për këtë bashkëpunim apo për rolin e këtyre aktorëve të përfshirë në këtë process. Por ka nevojë për ta ridimensiponuar dhe vendosur mbi baza rregullatore më të qarta këtë bashkëpunim.”, tha ai.

Ora 11:46
Celibashi: Votimi nga jashtë? Të bëhet nëpërmjet internetit, do garantonte eficensë, integritet dhe kosto më të ulët

Ilirjan Celibashi theksoi gjithashtu se Kolegji Zgjedhor nuk duhet të shqyrtojë ankimimet zgjedhore, por duhet të jetë një instancë që lidhet me sistemin gjyqësor. Celibashi theksoi se në gjykimin e tij, Kolegji Zgjedhor nuk është një model që funksionon. 

"Sa i përket Kolegjit, edhe para se të vija në këtë detyrë, kam qenë kundër Kolegjit që në krye të herës kur për herë të parë u pa si zgjidhje. Mendoj që duke u nisur nga mënyra se si është organizuar dhe funksionon, nuk është e përshtatshme. Për çdo zgjedhje thirren në përgjegjësi për shqyrtimin e ankimimeve në mënyrë rastësore gjyqtarë.  Çfarë ndodh? Një gjyqtar që është angazhuar me shqyrtimin e ankimimeve të shkuara nuk merret më. Ne nuk krijojmë një traditë apo eksperiencë me shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore dhe kjo sjell vendimmarrje që ndodnjëherë nuk janë koherente. Kjo s’ka të bëjë me cilësinë e gjyqtarëve, por mënyra se si është organizuar kjo instancë nuk prodhon eficensë, efikasitet. Ndaj të jetë kompetente për shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore gjykata e shkallës së parë, ajo administrative, të jetë një instancë që është pjesë e sistemit gjyqësor. Le ta vendosë politika. Por për gjykimin tim, Kolegji Zgjedhor nuk është model që funksionon. Nuk ka të bëjë fare me cilësitë e atyre individëve që e përbëjnë. “, tha ai.

Për votimin elektronik ai tha:

“Unë si komisioner kam kërkuar që do të ishte më me dobi aplikimi i teknologjisë së informacionit, votimi nëpërmjet internetit i votuesit nga jashtë. Do të garantonte integritet të procesit, kosto më të ulëta dhe eficensë më të mirë në administrim të procesit.”

Ora 11:35
Celibashi: DHL nuk vendoset në asnjë pozitë! Nëse s’kemi procesverbalin, nuk paguajmë

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u pyet edhe për shkresën drejtuar kompanisë postare DHL se nuk do të paguhet asgjë pa u verifikuar më parë se si është shpërndarë vota nëpër botë. Celibashi theksoi se kërkesat e paraqitura janë në përputhje me kontratën dhe se nuk e vendosin kompaninë në pozitë. 

Ai tha se u kanë kërkuar një përfaqësi që t'i komunikojnë KQZ-së për të përfunduar këtë shërbim dhe hapur rrugën pagesave. Kërkesa e DHL për kamavonesa, tha ai, është e pambështetur në kontratë. Përsëriti gjithashtu se nuk do të paguajnë asnjë para nëse nuk marrin në dorë procesverbalin. 

“Ato nuk janë kushte por kërkesa që ne i kemi prezantuar kompanisë me qëllim për të hapur procesin e pagesave nga ana e KQZ. I sigurt që ato kërkesa do të plotësohen, nuk e vendosin kompaninë në asnjë pozite, janë në përputhje të plotë me parashikimet kontraktuale. Nuk kemi refuzuar të bëjmë pagesat por duam t’i bëjmë në përputhje me parashikimet kontraktuale. Ju kemi kërkuar që së fundmi, një përfaqësi e tyre të diskutojë dhe të komunikojë me KQZ për ta përfunduar atë shërbim, të mbahet procesverbali përkatës për t’i hapur rrugën pagesave nga KQZ. Kërkesa e tyre për kamatvonesa është e pambështetur në kontratë dhe parashikimet ligjore dhe kjo është e qartë. Ne akoma s’e kemi përmbyllur me kompaninë procesin e vlerësimit dhe të shërbimit të kryer nga ana e tyre. Pas këtij momenti, lind detyrimi ynë për të paguar. Nëse s’e kemi këtë procesverbal, nuk do të paguajmë.”, u shpreh Celibashi.

Ora 11:28
Nota për 11 majin? Celibashi: Arbitri dhe gjykuesi është misioni i OSBE/ODIHR! Pavarësisht problemeve, zgjedhje që i bën një vend kandidat për BE

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në konferencën për mediat, u pyet edhe për notën që do t’i vinte ai procesit zgjedhor të 11 majit. Celibashi tha se “arbitri dhe gjykatësi” i zgjedhjeve është misioni vëzhdues i OSBE-ODIHR dhe se do të pranojë raportin përfundimtar të tyre.

Ai u shpreh se qëndrimi i opozitës, e cila ka refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve, është një sinjal shqetësues. Por shtoi, se pavarësisht disa problematikave,  zgjedhjet e 11 majit përmbushin standardet që kërkohen nga një vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE. Raporti i tyre përfundimtar nuk ka dalë dhe do të pranoj çfarë note do të vendosin ata për këto zgjedhje. Përtej kësaj, mendoj se ky proces zgjedhor, edhe pse qartësisht opozita ka thënë se nuk i njeh dhe ky është një  problem dhe të bën të mendosh se këto zgjedhje nuk kanë shkuar aq mirë se nuk ka mundësi që opozita të shkojë deri  në një qëndrim të tillë. Por përtej çdo problematike, mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE.”, tha ai.

Ora 11:26
Celibashi: Politika të vendosë shpejt për zgjerimin e votimit elektronik! Numërimi i votave të bëhet në qendrat e votimit! Kolegji Zgjedhor s’duhet të shqyrtojë ankimimet zgjedhore

 

Në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, tha se klasa politike në Shqipëri duhet të vendosë sa më shpejt nëse do të zgjerojë apo jo implementimin e votimit elektronik në vend, pasi një model i tillë për leximin e vullnetit të qytetarëve kërkon shumë kohë për t’u ngritur.

“Do duhet që politika shqiptare të vendosë shpejt në lidhje me këtë çështje. Nëse do të diskutohet për të zgjeruar votimin elektronik, ky votim të merret sa më shpejt, se nëse zgjerimi i tij do të përfshijë të gjithë njësitë e qeverisjes së vendit, kohë që nuk duhet për ta arritur këtë proces, nuk mund të jetë 1, 2, 3, 4 muaj. Numërimi ngelet çështje që duhet të rikonsiderohet. Do të vazhdojmë kështu si kemi këtë proces, do të vazhdojmë të numërojmë në mënyrë të përqëndruar, apo numërimi në qendrat e votimit. Personalisht mendoj që ka ardhur koha t’i rikthehemi numërimit në qendrat e votimit, por duhet të marrim parasysh disa elememte logjistike, organizative dhe infrastrukturore për këtë model. Kështu si është organizuar ky proces, është jo profesional. Zgjedhjet e fundit treguan që ka probleme që lidhen me transparencën, saktësinë. Do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me ankimimet zgjedhore. Personalisht mendoj që në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor që shqyrton ankimimet zgjedhore, mund të jetë një gjykatë administrative e zakonshme, apo Gjykata e Lartë. Ka nevojë për t’u parë edhe organizimi dhe funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëse do të vazhdojë kështu, do duhet të konsiderohen kompetencat e 3 trupave të KQZ. Përsa i përket votimit nga jashtë ka nevojë të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdohet të votojmë nëpërmjet postës, internetit, përfaqësive diplomatike, etj, por duhet të diskutohet edhe për këtë”,- tha Celibashi.

Ora 11:26
Kryetarët iu bënë deputetë, Celibashi: Ende asnjë komunikimin për zgjedhje në këto bashki! Vota e diasporës, sukses

 

Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilrjan Celibashi, tha se ende nuk ka hapa konkretë lidhur me bashkitë që aktualisht kanë ngelur pa kryetarë, për shkak se drejtuesit e tyre u zgjidhën deputetë më 11 maj.

"Me presidentin jo e jo, sepse presidenti angazhohet në këtë proces e kërkon qeveria. Deri në momentin që ne flasim nuk kemi ndonjë komunikim për këtë çështje",- tha Celibasi.

Votimin nga jashtë, Celibashi e cilësoi si një nga arritjet më të mëdha në zgjedhjet e 11 majit.

"Procesi i votimit nga jashtë ishte një ndër aspektet më pozitive të zgjedhjeve të 11 majit. Jam i ndërgjegjshëm dhe nuk i lexoj e analizoj gjithashtu çfarë flitet dhe thuhet ndryshe, veçanërisht nga opozita, por votimi nga jashtë ishte një sukses i padiskutueshëm për këto zgjedhje dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Jam i bindur që ky proces ishte me integritet të plotë, mendoj që është respektuar fshehtësia e votës, integriteti i votës së votuesve nga jashtë",- tha Celibashi.

Pezullimin e pagesës për kompaninë postare DHL, që mori përsipër shpënrdarjen e votave te shqiptarët në diasporë, Celibashi e argumentoi si zbatim të kontratës. Sipas kreut të KQZ, kompania postare duhet të paraqesë paraprakisht një procesverbal ku përshkruhet mbarëvajtja e shërbimit në kuptimin e sasisë, cilësisë dhe kohës.

"Ne nuk kemi refuzuar apriori për ta bërë pagesën e shërbimit, por ashtu si kontrata parashikon, ne duhet të hartojmë një dokument për kryerjen e këtij shërbimi, duke vendosur se çfarë bëri ky shërbim, në kuptim të sasisë, cilësisë, kohës",- tha Celibashi.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?