Monika Kryemadhi akuzoi përsëri sot Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, për qëndrimet përçarëse të tij dhe për sjellje të dyshimta brenda partisë, në një kohë kur kreu i saj Ilir Meta, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Teksa i mori me një të qeshur deklaratat e Kryemadhit, Blushi u pëpoq të mos i ‘hidhte benzinë zjarrit’, duke e ruajtur qetësinë.
Ai tha se nuk i ka dëgjuar akuzat që janë bërë në drejtim të tij, por nuk beson se ato janë të vërteta.
“Kam dëgjuar disa deklarata publike, disa aludime, por sinqerisht nuk dua t’i besoj. Nuk besoj se janë të vërteta, as në përmbajtje dhe as në qëllim”, tha Blushi duke qeshur, për “Fax News”.
Ai shtoi se Partia e Lirisë ndodhet në një moment të vështirë për shkak të përndjekjes politike ndaj liderit Ilir Meta dhe se çdo përçarje e brendshme i shërben vetëm kundërshtarëve politikë.
“Unë nuk jam këtu për të hyrë në përplasje personale. Qëndrimi im është i qartë: prioriteti ynë është mbrojtja e zotit Meta dhe denoncimi i padrejtësive. Nuk do të harxhoj energji për të nxitur përçarje në këtë moment kaq kritik”, theksoi ai.
Kryemadhi i kujtoi sot përfitimet e Blushit si ato personale, duke u bërë deputet, ashtu edhe familjare me punësimet në shtet të gruas dhe vjehrrit. Gjithashtu e ka akuzuar se ka futur përçarjet në parti dhe mes saj e ish-bashkëshortit. Ilir Meta qëndron i paraburgosur që prej 21 tetorit 2024 me akuzat për lobimin e LSI në SHBA, pasurinë dhe CEZ-DIA.
Komente
