Nga selia e LSI-së drejt Kryeministrisë, Monika Kryemadhi eci duke dhënë një prononcim për mediat, ndërsa mbante dorë për dorë një fëmijë, kjo në shenjë simbolike për të treguar se protesta do të jetë paqësore, dhe se para kryeministrisë protestuesit kanë dalë me familjet e tyre.
Kryetarja e LSI-së u tregua e bindur ndaj dekretit të presidentit Ilir Meta që shpalli 13 tetorin për zgjedhjet vendore. Ajo tha se 30 qershori ishte farsë e socialistëve. E pyetur se çfarë udhëzimi do t'i japë ajo si kryetare parti kryetarëve të bashkive të zgjedhur nga LSI në 2015, që tashmë duhet të dorëzojnë detyrën, ajo u shpreh: Nuk është problemi i tyre, ata janë shumë koshient, do të vazhdojnë punën e tyre deri në ditën që do të ketë zgjedhje me 13 tetor. Sot në shesh nuk janë për karriget e ish deputetëve dhe të kryebashkiakëve. Zgjedhjet janë më 13 tetor. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin votime socialiste. Ka një dekret të Metës. PS po të donte t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Por edhe 13 tetorin, Kryemadhi e konsideroi ditë të pamundur, pasi siç ajo u shpreh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për procesin zgjedhor të tetorit. "Me 13 tetor se edhe ajo është problem, se KQZ duhej të kishte filluar procesin e zgjedhjeve. Nuk është çështje data, është çështje standardesh", tha Kryemadhi.
E pyetur për komisionin hetimor për shkarkimin e Ilir Metës si president pas zhdekretimit të 30 qershorit, Kryemadhi u përgjigj: "Punë e tyre, një parlament ilegjitim që vjen nga paratë e krimit. Nuk është tek 101 deputetët, por tek ajo çfarë duan sot shqiptarët. Shqiptarët nuk kanë hallin e karriges së Ilir Metës, këta thërrasin se duan punë, taksa të ulëta, Shqipëri në BE. Me këtë qeveri, Shqipëria nuk do të jetë kurrë në BE.
Kryetarja e LSI tha se me bashkëshortin e saj Metën nuk ka asnjë komunikim rreth situatës politike.
Komunikoj me Metën për fëmijët, jo për problemet e tij presidenciale dhe as të partisë.
Lajmi kryesor:
Mbyllet paqësisht protesta e opozitës! Basha: Tashmë aksion i ngjeshur politik, i shtypim pa mëshirë kriminelët /Video
G.M.//ReportTv.al