Kryemadhi: Kemi bërë kallëzim të ri në SPAK! Në total 3641 faqe dokumentacion, përfshijnë faturat e 24 kompanive fiktive

18 Korrik 2022, 13:11| Përditesimi: 18 Korrik 2022, 14:33

  • Share

Kryetarja e LSI-së Monika Krymadhi ka vijuar denoncimet për kompanitë fiktive të cilat kanë kryer evazion fiskal, e që sipas saj janë të lidhura me kompanitë e inceneratorëve. Sipas Monika Kryemadhit LSI ka evidentuar se kompanitë koncesionare dhe kompanitë fiktive të lidhura me to, kanë kryer të paktën 3 vepra penale dhe konkretisht: Fshehja e të ardhurave, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal; Mospagimi i Taksave dhe Tatimeve, parshikuar nga neni 181 i Kodit Penal; Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Sipas Kryemadhit, vlera totale e këtyre krimeve financiare të lidhura me inceneratorët, me aq sa LSI ka evidentuar, kap vlerën 30 milionë dollarë. Kryetarja e LSI tha se prej ditës së sotme, përmes shtesës së kallëzimit në drejtim të prokurorisë, SPAK, ka në dispozicion çdo dokument, që i provon këto krime.

‘Janë në total 3641 faqe dokumentacion, që përfshijnë librat e shitjes dhe të blerjes të 24 kompanive fiktive. Këto kompani fiktive, që kanë 1 ose 2 punëtorë, që nuk disponojnë licensa profesionale në fushën e ndërtimit; kompani pa historik me eksperienca të ngjashme në punë publike apo private, janë përgjegjëse për realizimin e skemave financiare nga qeveria shqiptare për të përvetësuar fondet publike, përmes koncesioneve dhe kontratave të Parteritetit Publik Privat. Të gjitha këto fatura që ne i kemi dorëzuar në SPAK, rezultojnë se janë fiktive, pasi kompanitë që prezumohet se do të ofrojnë shërbime ose punime, janë të krijuara posacërisht për të justifikuar kostot e fryra të punimeve, përfitimin e TVSH-së dhe kanë shërbyer gjithashtu për reduktimin e tatim fitimit nga ana e kompanisë Integrated Technology Services të Klodian Zotos, e cila është nënkontraktori kryesor i të tre koncesioneve të inceneratorëve, i ngarkuar me detyrën për të ndërtuar inceneratorët.’- tha Kryemadhi.

DEKLARATA E PLOTË E MONIKA KRYEMADHIT

Përshëndetje,

Pas një pune të gjatë, intensive, disa mujore, falë angazhimit të përditshëm të një ekipi të dedikuar ekspertësh nga më të mirët, nga brenda dhe jashtë vendit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar për publikun peshën shumë të rëndë të krimeve financiare, të asociuara me aferën inceneratorëve. 

LSI ka evidentuar se kompanitë koncesionare dhe kompanitë fiktive të lidhura me to, kanë kryer të paktën 3 vepra penale dhe konkretisht: 

Fshehja e të ardhurave, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Mospagimi i Taksave dhe Tatimeve, parshikuar nga neni 181 i Kodit Penal. Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Vlera totale e këtyre krimeve financiare të lidhura me inceneratorët, me aq sa ne kemi evidentuar, kap vlerën 30 milionë dollarë. 

 Dhe prej ditës së sotme, përmes shtesës së kallëzimit që kam nisur në drejtim të saj, Prokuroria Speciale Anti Korrupsion, ka në dispozicion çdo dokument, që i provon këto krime. 

Janë në total 3641 faqe dokumentacion, që përfshijnë librat e shitjes dhe të blerjes të 24 kompanive fiktive.

Këto kompani fiktive, që kanë 1 ose 2 punëtorë, që nuk disponojnë licensa profesionale në fushën e ndërtimit; kompani pa historik me eksperienca të ngjashme në punë publike apo private, janë përgjegjëse për realizimin e skemave financiare nga qeveria shqiptare për të përvetësuar fondet publike, përmes koncesioneve dhe kontratave të Parteritetit Publik Privat. 

Të gjitha këto fatura që ne i kemi dorëzuar në SPAK, rezultojnë se janë fiktive, pasi kompanitë që prezumohet se do të ofrojnë shërbime ose punime, janë të krijuara posacërisht për të justifikuar kostot e fryra të punimeve, përfitimin e TVSH-së dhe kanë shërbyer gjithashtu për reduktimin e tatim fitimit nga ana e kompanisë Integrated Technology Services të Klodian Zotos, e cila është nënkontraktori kryesor i të tre koncesioneve të inceneratorëve, i ngarkuar me detyrën për të ndërtuar inceneratorët.

Dhe, ndërsa 30 milionë dollarë është vlera e evazionit fiskal në lidhje me 3 koncesionet e inceneratorëve, në përfundim të analizës financiare të këtyre kompanive fiktive, LSI ka evidentuar dhe i ka dërguar materialet ne SPAK, që faktojne se këto kompani, janëpërgjegjëse për një evazion fiskal më të madh, që në total kap vlerën e 189 milionë dollarë.

Duke patur si përfitues të drejtpërdrejtë kompanitë që kanë përfituar tenderat, koncesionet, punët publike më të mëdha që qeveria e kryeministrit Rama ka dhënë këto vite. 

Ndjekja e parasë dhe aktiviteti financiar i këtyre kompanive, sesi ato kanë vepruar në bashkëpunim me kompanitë e koncesioneve, të çon drejtpërdrejtë tek koka e aferës së inceneratorëve dhe e koncesioneve korruptive, që është kryeministri Rama. 

Dorëheqja e menjëhershme e Kryeministrit është më e pakta, siç do të kishte ndodhur në çdo vend normal europian, POR veprimi i shpejtë dhe i plotë i drejtësisë, për të çuar përpara zyrtarët përgjegjës të shkeljeve ligjore të koncesioneve të inceneratorëve, dhe ata përgjegjës për anën financiare të saj, është akoma dhe më i rëndësishëm. 

Sepse për Shqipërinë që pret të çelë negociatat me Bashkimin Europian, dhënia fund e pandëshkueshmërisë, barazia e të gjithëve para ligjit, zyrtarë apo qytetarë qofshim, është më jetike se ndërrimi i emrit të një kryeministri të korruptuar me një tjetër të ngjashëm me të.

Shqiptarët sot po vazhdojnë të paguajnë koncesionin e inceneratorit të Tiranës 80 mijë dollarë në ditë. 

80 mijë dollarë në ditë per inceneratorin e Tiranes, nga xhepat e qytetarëve më të varfër shkojnë në xhepat e pronarëve të inceneratorëve, që sot janë në arrati nga drejtësia, rrugëve te evropës, e këto para që i zhvasin nga qytetarët i ndajnë me qeverinë. 

80 mijë dollarë në ditë per inceneratorin e Tiranes, që ata i marrin pa të drejtë, pasi jo vetëm që incenerator në Tiranë sot nuk ka, dhe Autoriteti Përgjegjës që ndjek zbatimin e kontratës duhet menjëherë të kërkojë ndërprerjen e pagesave dhe koncesionit për mospërmbushje kontrate, por siç e vërtetojnë faturat fiktive që kemi bërë publike, investimi 128 milionë euro që privati ka marrë përsipër, është justifikuar me fatura fiktive, pa kryer në të vërtetë investimin që i jep të drejtën koncesionarit të përfitojë tarifën e shërbimit 29 euro/ton.

80 mije dollarë në ditë për inceneratorin e Tiranës, ndërkohë që sot na dalin barinj milionerë, mbledhës kanaçosh milionere, pleq nëpër azile milionerë dhe njerëz që kanë ndërruar jetë, që shiten për publikun si pronarë kompanish që po punojnë në ndërtimin e inceneratorëve.

Raporti i fundit i Komisionit Europian e përcakonte borxhin publik të Shqipërisë në 82.7 % shifër rekord në rajon. 

Ky borxh publik ka shkuar në kontrata koncesionare korruptive, ndërkohë që 80 mijë dollarë në ditë për inceneratorin e Tiranës janë vjedhja e përditshme, që heq bukën nga pensionistët, familjet në nevojë, fëmijëve, mjekëve, mësuesve dhe i shkojnë luksit të qeverisë dhe makinerisë së propagandës së tyre për të mbajtur qytetarët e mashtruar dhe të nënshtruar.

Të dashur qytetarë,

Si përgjigje ndaj këtyre fakteve tronditëse të bëra publike, Ministrja e Financave të qeverisë deklaroi në Kuvend se ata i kanë ditur këto kompani fiktive që në vitin 2018.

Mirëpo, edhe kur i kanë hetuar këto kompani fiktive, administrata tatimore ka refuzuar t’i hetojë këto kompani që kanë lëshuar fatura fiktive për të mashtruar shtetin, sëbashku me përfituesit real të faturave fiktive. Që janë kompanitë e inceneratorëve, kompania e Klodian Zotos, nënkontraktore e inceneratorëve. 

Ndaj, sot me shtesën e kallëzimit, i kam kërkuar SPAK të hetojë  edhe Ministren e Financave, ish Drejtoreshën e Tatimeve, zonjën Ibrahimaj, për implikimin e saj të drejtpërdrejtë me aferën e inceneratorëve, pasi me veprimet dhe mosveprimet e saj ka ndikuar në mos hetimin e plotë të këtyre krimeve financiare nga administrata tatimore që ajo ka drejtuar në vitin 2018.

Zbardhja e aferës së inceneratorëve nuk është betejë politike për LSI, por është ajo që meriton çdo qytetar i republikës. 

Ndaj në 27 Maj 2022, në cilësinë e kallëzuesit, i kam dërguar kërkesën e dytë për informacion SPAK në lidhje me statusin juridik të çështjes penale. 

Duke shprehur edhe habinë, pse përshembull nuk ka nga organi akuzës asnjë njoftim zyrtar apo informacion për personin e kallzuar zotin Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Shqiptare, i cili ka një rol kyç në miratimin e paligjshëm të financimit me VKM të Kontratës Koncesionare të Inceneratorit të Elbasanit, duke vepruar në kundërshtim me njoftimin me shkrim që Agjensia Shtetërore APP i kishte bërë, duke e përcaktuar procedurën e ndjekur të paligjshme. 

Kam shprehur habi, pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar apo informacion për personin e kallëzuar Z.ARMANDO SUBASHI, zyrtar i cili ka një rol kyç në pagesën për shpronësimin e paligjshëm të tokës ku është ndërtuar inceneratori i Fierit, siç edhe vetë SPAK e ka konstatuar kur ka marrë masën e sigurisë ndaj personave nën hetim LEFTER KOKA, ALQI BLLAKO dhe PËLLUMB ABESHI. Pra, Z. SUBASHI ka sjellë dëmin ekonomik konkret në buxhetin e shtetit, me pagesën e kryer ndaj subjekteve që janë shpronësuar. 

Duke mos harruar edhe faktin se është pikërisht Z.SUBASHI personi që ka vënë në dijeni Ministrinë e Mjedisit për kualifikimin e tokës (tokë truall apo arë) ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, fakt ky, i cili provon se Z. Subashi kishte dijeni për shkeljen.

Dhe, Habia e radhës ka qenë pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar informacion lidhur me hetimet apo subjektet e kallëzuara për Inceneratorin e Qarkut Tiranë. 

Në fakt deri më sot, në Tiranë ka vetëm një pikë grumbullimi të mbetjeve urbane, dhe nuk incenerohet asnjë kilogram,mbetje.  

I kam risjellë në vëmendje Prokurorisë Speciale se vetëm me një firmë individuale, Z. Erion Veliaj në komunikimin me Ministrinë e Mjedisit, ka ndryshuar fatin e Inceneratorit të Qarkut të Tiranës, duke dhënë dakordësinë pa Vendim të Këshillit Bashkiak për as më shumë dhe as më pak por plot 128 milionë euro. 

Në fakt habia e madhe nuk qëndron vetëm tek unë si kallëzuese, por tek çdo qytetar shqiptar që sot paguan për koncesione që nuk kryejne shërbimin për të cilin janë dhënë.

Të gjithë shqiptarët janë shokuar kur kanë parë sesi gra të moshuara, të pa mbrojtura, janë përdorur babëzisht si instrumenta në këto skema mafioze për të vjedhur buxhetin e shtetit përmes mbetjeve urbane.

Të dashur qytetarë,

LSI e ka votuar në vitin 2016 reformën në drejtësi, duke nxitur për një votim unanim të saj në Kuvend, pikërisht për t’i larguar njëherë e mirë duart e politikës nga drejtësia.

Por, hapat e një hetimi shumë të avashtë, sjell një drejtësi jo korrekte, dhe shumë larg asaj që ne si LSI kemi aspiruar dhe votuar.

Mungesa e drejtësisë së pavarur ka larguar të rinjtë e vendit, largon mjekët, profesionistët, dhe mban larg investitorët e huaj.

Sepse një drejtësi që mbulon korrupsionin në vend që ta luftojë atë, nuk është asgjë më tepër se bashkëpunëtore e atyre që e kanë bërë krimin. 

Ne e dimë se intimidime, joshje, oferta të majme, siç kanë shkuar nëpër media për të mbyllur sytë, mund të jenë të pritshme se mund të shkojnë nga mafia e inceneratorëve edhe tek prokurorët e SPAK, apo gjykatësit e drejtësisë së re. 

Por, me lejoni ta mbyll këtë deklaratë të sotme me bindjen e palëkundur timen dhe të LSI tek drejtësia dhe transparenca. 

Ne do të vijojmë të kërkojmë dhe të kontribuojmë për transparencë totale për çfarë ka ndodhur dhe po ndodh me aferën e inceneratorëve, ndërsa nuk do të reshtim të mbështesim pakufi drejtësinë e re, derisa ajo të gjejë pavarësinë për të cilën kemi votuar ne si deputetë të Kuvendit, dhe kanë kontribuar financiarisht partnerët tanë strategjik SHBA, BE, Mbretëri e Bashkuar, etj. 

Dhe, nese SPAK nuk e bën detyrën, do e bëjë LSI me të gjithë energjinë që ka.

Shqipëria duhet të hapë sa më parë një kapitull të ri që e siguron rrugëtimin në integrimin europian, dhe mbarimi i epokës së pandëshkueshmërisë së korrupsionit qeveritar dhe forcimi i shtetit të se drejtës është guri i themelit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • kaltra: 20/07/2022 12:49

    Hëngshi kokat e njeri tjetrit ...si kriminelët edhe ju politikanët ...

    Përgjigju
  • Kryevogli: 18/07/2022 19:37

    O Kryemadh po ku i gjete ti te gjtha keto dekumenta kush ti ka dhene ty kush eshte bashkepunetoriqe thua per keto dekumenta reale Kurse kur te nxjerin ty dhe likes Letra dekumentash ti i jep pergjigje menjehere qe jane pa vlera genjeshtra sajesa per te ulur Imazhin tim dhe te Likes Floriri Na jep nje pergjigje te lutem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?