Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha se mungesa e firmës se kryeministrit Edi Rama për projektin e Portit të Durrësit shtonte dyshimet për këtë projekt. Ajo shtoi më tej se një tjetër pikë që shtonte pasiguritë mbi këtë projekt ishte fakti se kompania që do ta zbatojë, është e regjistruar offshore.
“Në pamje të jashtme duket një investim shumë i rëndësishëm në një pronë shtetëore. Ajo që të bën përshtypje është që çuditërisht kryeministri ynë nuk firmos asnjëherë në projekte të mëdha kaq moderne. Pse ky njeri që kërkon të vendosë damkën e tij në çdo projekt të Shqipërisë, globali ynë nuk vendos të firmosë por vë dy gra të firmosin. Ai është lider global, ne kemi nevojë për fasadën e tij. Ministrja e Financave i tha një kolegu më para se njërën prej kompanive e kanë sekrete dhe nuk mund të tregojnë kush fshihet pas saj. Mungesa e transparencës jo vetëm që ka çuar pas hekurave shumë drejtues por për inceneratorët thellohet skandali më shumë. Këto 2 miliardë e 80 milionë euro nëse do të investoheshin do të rrisnin rrogat e shqiptarëve. Në fakt do ndodhë e kundërta. Ky investim nuk do bëhet. Nëse kjo kompani offshore falimenton kush e mban përgjegjësinë për gjithë apartamentet e shitura? Po ashtu a cedohet këtu sovraniteti i vendit?”- u shpreh Kryemadhi.
Ajo foli edhe për laboratorin e kokainës të zbuluar në Fier me bashkëpunim të policisë shqiptare, malazeze dhe DEA-s amerikane, operacion për të cilin tha se shpresonte që proejtki i Portit të Durrësit të mos ishte financim i personave të shpallur në kërkim në Shqipëri por që jetojnë në luks në Emiratet e Bashkuara.
“Jo më larg se dy orë më parë një laborator kokaine u kap nga policia shqiptare në bashkëpunim me DEA-n. Uroj që ky projekt të mos jetë financim i parave të kartelit të drogës. Të atyre që janë në kërkim në Shqipëri dhe jetojnë në luks në Emirate dhe nëpërmjet këtij projekti vijnë për të pastruar paratë”-përfundoi ish kryetarja e LSI-së.
Lajmi kryesor:
Pas 14 orëve debat, Kuvendi miraton projektin e Portit të Durrësit! 74 vota pro dhe 35 kundër! Mungon në votim Rama! Socialistët duartrokasin, opozita akuza të ashpra
B.V//ReportTv.al