Boris Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson në kurs konfrontimi me BE-në

25 Janar 2021, 08:42| Përditesimi: 25 Janar 2021, 08:51

  • Share

Në një kohë që në Britaninë e Madhe shtohen raportimet për koston e Brexitit, Boris Johnson refuzon t’i japë ambasadorit të BE në Londër statusin e diplomatit. Ministrat e Jashtëm të BE e trajtojnë të hënën këtë çështje.

Që nga maji i vitit të kaluar zien kjo temë, të hënën (25.01) në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE do të diskutohet për të konkretisht. Në vend që të ndërtojë marrëdhëniet miqësore me BE, aq e përfolur kjo pas përfundimit të Brexitit, Boris Johnson ndez një grindje diplomatike me qëndrimin e tij. Ai i refuzon misionit të BE në Londër statusin diplomatik, status që i takon sipas marrëveshjes së Vjenës. Nga Brukseli vijnë reagime të zemëruara.

Trump si shembull?

Megjithëse kryeministri britanik me retorikë të zgjedhur e pranoi fundin e epokës Trump dhe e përshëndeti ndërrimin e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë, krijohet përshtypja, se ai ende orientohet tek ai. Trump në vitin 2019, ishte i vetmi kryetar shteti në botë, i cili I mohoi misionit të BE statusin e një ambasade, por muaj më vonë ndryshoi qëndrim, për shkak të reagimeve të ashpra.

Londra mbetet kokëforte: Megjithë reagimet e forta nga Brukseli, qeveria britanike i jep BE-së vetëm statusin e një organizate ndërkombëtare duke e kategorizuar kështu më poshtë se një shtet nga ana diplomatike. Ministria e Jashtme në Londër deklaroi, se diplomati i BE, Jao Vale de Almeida, do të gëzojë "privilegje shumë të njëjta” me atë të një diplomati të vërtetë. "BE e sheh veten si shtet, ne e shohim atë si një organizatë ndërkombëtare", u tha. Shpallje lufte diplomatike.

Boris Johnson dhe Ursula von der Leyen

142 vende në botë e shohin këtë ndryshe, mes tyre edhe SHBA, u shpreh zëdhënësi i Komisionit të BE në Bruksel, Peter Stano. „Statusi i BE në marrëdhëniet e jashtme dhe me të edhe statusi diplomatik pasues (…) njihet në të gjithë botën dhe ne presim, që Britania e Madhe të trajtojë pa vonesë delegacionin e BE-së si duhet." Diplomatët e BE shtojnë, se kjo nuk është një lëvizje e zgjuar shahu nga ana e britanikëve, për ta formuluar butë. Do të ketë një reagim përkatës të BE, dhe kjo grindje është një provokim i panevojshëm dhe akt jomiqësor.

Edhe kryenegociatori i BE, Michel Barnier, që tani është konsulent i posaçëm i BE për marrëdhëniet me Britaninë e Madhe shprehet qartë. „Ne do të shohim, se cili do të jetë vendimi përfundimtar i britanikëve në këtë pike, por ata duhet të jenë të kujdesshëm."

Madje as konservatorët në Londër nuk e mbështesin qeverinë në këtë qëndrim. Presidenti i ri, Joe Biden „premton të forcojë aleancat, dhe ne i jepemi një grindjeje të pakuptimtë, që nuk e përforcon aspak bashkëpunimin në tregti dhe çështjet e sigurisë, thotë politikani konservator për çështjet e mbrojtjes,Tobias Ellwood.

Pse ky provokim?

Pas grindjes qëndron edhe njëherë përpjekja për ta ndarë BE-në e për ta sunduar atë. Londra kërkon që në negociatat pasuese të Brexitit të mos flasë më me përfaqësues të BE-së, por të mbyllë marrëveshje unilaterale me vende të veçanta. Nga ana e saj BE do që të ruajë unitetin dhe të dalë e bashkuar përballë Britanisë së Madhe. Në këtë pikë ka shumë punë për të bërë. Në fillim bëhet fjalë për negociatat vjetore për kuotat e peshkimit të britanikëve, ku ata kanë pjesën e tyre në kuadër të marrëveshjeve të negociuara me Norvegjinë dhe Islandën. Që në këto negociata britanikët do ta kuptojnë, se sa pak të drejta kanë si vend i tretë. Pas kësaj pasojnë një sërë temash të tjera, në të cilat britanikët janë në qëndrim lutës. Eksporti i peshkut britanik për shembull në BE duhet të lehtësohet, në mënyrë që t'ia vlejë peshkimi për peshkatarët skocezë.

Boris Johnson me Ursula von der Leyen dhe Michel Barnier

Cila është politika gjeostrategjike?

"Administrata e Bidenit kërkon marrëdhënie më të mira me BE dhe Britaninë e Madhe, paralelisht, e do që në interesat e përbashkëta të dyja palët të ecin në një linjë", pra një lloj trilateralizmi mes SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe", shkruan Thomas Wright nga Instituti Brookings në Uashington. Ky do të ishte një „deal" i mirë për britanikët, por me grindjen aktuale për statusin e ambasadës, kjo strategji nuk funksionon. Britania e Madhë dëmton kështu imazhin e saj tek administrata e Bidenit.

Në Britaninë e Madhe politikanët konservatorë si ministri i dikurshëm për Europën, David Lidington, flet për një shembull të keq për regjimet autoritare, që i urrejnë ambasadorët e BE, sepse ata angazhohen për të drejtat e njeriut. Kurse eurodeputeti, Charles Tannock shkruan se „ky gjest do të largojë më shumë miqtë dhe aleatët e Britanisë së Madhe dhe nuk do të dëmtojë projektin e BE dhe statusin e saj global, por vetëm marrëdhëniet e Britanisë së Madhe. David Henig nga projekti "UK Trade Policy Project" shkruan: „Ky nuk është një startim i mirë për vitin tonë si të ashtuquajtur diplomatë globalë dhe mikpritës të samitit të G7-s dhe Cop 27. Përveç kësaj BE është fqinj, me të cilin ne duhet të bëjmë tregti dhe kemi nevojë për marrëveshje të tjera.”/ DW

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?