FIER- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur sot (21 shkurt) në qytetin e Fierit, në kuadër të Asamblesë Socialiste të Qarkut.
I shoqëruar edhe nga strukturat drejtuese lokale të partisë, ai është pritur në hyrje të godinës ku u mbajt ky takim, teksa mbledhja u zhvillua edhe në prag të zgjedhjeve të 11 Majit dhe riorganizimit dhe mobilizimit të strukturave.
Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth një orë. Sipas burimeve konfidenciale, gjatë mbledhjes kreu i qeverisë ka kërkuar një angazhim më të madh të të gjitha strukturave, për të pasur një rezultat të thellë në zgjedhjet e 11 Majit, ku në Qarkun e Fierit synohet deputeti i 10-të dhe pse jo i 11-të.
Këtë herë situata ka ndryshuar, ka thënë Rama, duke theksuar se nëse nuk do të ketë një përkushtim më të madh, rezultati mund të jetë befasues, larg pritshmërive. Ndër të tjera kryeministri Rama ka vlerësuar me nota pozitive bashkinë e Mallakastrës për punën e bërë me emigrantët, ndërsa ka pasur “rezervat” e tij për Bashkinë e Fierit dhe të Roskovecit, ku ka kërkuar më shumë angazhim në kuadër të zgjedhjeve dhe një qasje më afër njerëzve.
Fieri njihet si ‘kryeqytet’ i socialistëve, ndaj pritshmëritë në këtë qark janë tepër të mëdha.
PS ka dorëzuar dje edhe kërkesën për regjistrim në KQZ për zgjedhjet e 11 Majit, teksa përgatitjet për fushatën kanë nisur në qendër dhe bazë.
Komente
