Talat Xhaferi, kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut në një intervistë për Report Tv përgëzoi Shqipërinë për politikën e jashtme dhe organizmin e samitit për Ukrainën në Tiranë.
‘Nuk është për herë të parë është një samit i një niveli të tillë. Shqipëria është për tu përgëzuar që në kontekstin ndërkombëtar po arrin diplomacinë ndërkombëtare dhe e ka sjellë në Tiranë, është për ta përshëndetur.’- tha Xhaferi.
Teksa ishte i pranishëm në samit, Xhaferi u ndal edhe tek zhvillimet që priten të ndodhin e tha se do të vijohet puna për anëtarësimin në BE.
‘Ky samit është vazhdimësi i samitit paraprak në Shkup. Është vazhdimësi e punës që ne duhet të kryejmë në relacion të përfarimit të vlerave dhe parakushteve për anëtarësimin në BE-së. Është paraparë takimi me Zelenskyn me të cilin do të firmoset deklarata e bashkëpunimit mes dy vendeve, një prej punëve është nënshkrimi i përbashkët i deklaratës.’ - tha Xhaferi.
I pyetur në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi tha se qeveria ka obligim shtesë përgatitjen e zgjedhjeve.
‘Për faktin që jemi në vitin zgjedhor në prill-maj, detyrë shtesë është që qeveria të përgatisë parakushtet se zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, njeh qeverinë me të gjitha kompetencat që ka plus obligim shtesë i kësaj qeverie është përgatitja e zgjedhjeve. Në bazë të kompetencave në çdo moment mund të kontrollojë dhe të mbikëqyrë punët në qeveri. Mund të bëj të qartë se puna e ministrave është menaxhimi në institucionin përkatës.’- u shpreh Xhaferi.