Kryeministri i Sllovakisë, Roberto Fico pretendon se Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen e ka qortuar, pas një telefonate që ai zhvilloi me presidentin amerikan Donald Trump në një kohë kur u vendosën tarifat doganore ndaj produkteve të BE-së nga ana e Uashingtonit.
Fico iu referua një telefonate ‘shpërthyese’ që kishte më herët gjatë kësaj të hëne me Von der Leyen.
Sipas kryeministrit Von der Leyen e nënçmoi dhe e quajti atë idiot.
"Robert, çfarë ke bërë, pse ke negociuar kështu me Trump? A je plotësisht i humbur? Ajo më qortoi për gjysmë ore, tha se isha një idiot i madh”, citohet të ketë thënë Fico.
Më pas, në një postim në rrjetet sociale, ai shpjegoi se mënyra se si e shpjegoi fillimisht bisedën me Presidenten e Komisionit Europian në një konferencë për shtyp ishte ironi.
“Shpresoj që presidentja e Komisionit Europian ta ketë kuptuar batutën e konferencës së sotme për shtyp, kur u thashë gazetarëve se presidentja e KE-së më qortoi tmerrësisht, pavarësisht nuk bëra asgjë, siç pretendon opozita sllovake, për të penguar SHBA-në të vendosë tarifa doganore të reja kundër gjithë botës. Kam frikë se mediat sllovake dhe opozita nuk e kuptuan shakanë”, shkroi Fico.
Komente
