Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka paralajmëruar se standardet e dyfishta të Europës dhe Perëndimit në trajtimin e luftërave në Ukrainë dhe Gaza rrezikojnë të minojnë pozicionin e tyre në skenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për The Guardian, kreu i qeverisë së Spanjës tha se reagimi i Evropës për sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës ka qenë një dështim dhe një nga episodet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin XXI.
Sanchez, i cili është lideri i parë i një vendi të madh europian që ka akuzuar publikisht Izraelin për gjenocid në Gaza, tha se ishte i kënaqur që disa shtete europiane po ndjekin shembullin e Spanjës në njohjen e shtetit palestinez, por pranoi se përgjigjia e Europës ka qenë e dobët.
“Është një dështim. Absolutisht! Brenda Bashkimit Europian ka ndasi për mënyrën se si duhet ndikuar Izraeli. Por sipas mendimit tim, kjo nuk është e pranueshme. Nëse duam të ruajmë besueshmërinë tonë përballë krizave të tjera, si ajo në Ukrainë, nuk mund të vazhdojmë kështu”, tha Sanchez.
Ai shtoi se pavarësisht se konfliktet në Ukrainë dhe Gaza kanë shkaqe rrënjësisht të ndryshme, perceptimi ndërkombëtar është ai i një Perëndimi me standarde të dyfishta.
Sanchez kërkoi më shumë veprim nga Europa, përfshirë edhe masa financiare ndaj Izraelit.
“Ajo që po ndodh tani në Gaza është ndoshta një nga momentet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në këtë shekull. Spanja ka qenë zëri më i qartë brenda BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Ne kemi kërkuar pezullimin e partneritetit strategjik mes BE-së dhe Izraelit,” theksoi ai.
Lidhur me marrëdhëniet transatlantike, Sanchez u shpreh se Spanja mbetet një partner i besueshëm në NATO, edhe pse ka pasur përplasje me Presidentin amerikan Donald Trump, për shkak të kërkesës së tij që vendet anëtare të shpenzojnë 5% të PBB-së për mbrojtjen.
Komente
