Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, u zotua të hënën të ndalojë transmetimet e stacionit televiziv Al Jazeera, brenda Izraelit.
“Kanali terrorist Al Jazeera nuk do të transmetojë më nga Izraeli. Kam ndërmend të veproj menjëherë në përputhje me ligjin e ri për të ndaluar veprimtarinë e tij”, tha kryeministri Netanyahu në një postim në platformën e mediave sociale X.
Më herët gjatë ditës, parlamenti miratoi një ligj që i lejon qeverisë të mbyllë mediat e huaja që konsiderohen si kërcënim për sigurinë e shtetit.
Ligji, i cili u miratua me 70 vota për dhe 10 kundër, u jep kryeministrit dhe ministrit të komunikimit fuqinë për të mbyllur mediat e huaja në Izrael nëse besohet se ato paraqesin kërcënim për sigurinë e Izraelit. Sipas ligjit, medieve të shënjestëruara mund t'u ndalohen edhe transmetimet.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi shqetësues zotimin e kryeministrit Netanyahu.
Kanali Al Jazeera me seli në Doha, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Zërit të Amerikës për një koment.
Ministri izraelit i Komunikimit Shlomo Karhi, i është referuar më parë Al Jazeeras si "një zëdhënës propagandistik" për grupin militant Hamas dhe e ka akuzuar kanalin me seli në Katart për ekspozimin e ushtarëve izraelitë ndaj sulmeve të mundshme nga Gaza.
Grupet e lirisë së shtypit i kanë dënuar përpjekjet e qeverisë izraelite për të mbyllur transmetimet e kanalit Al Jazeera në Izrael./ VOA