Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka deklaruar se nuk e sheh si një kërcënim të vërtetë ushtarak Rusinë ndaj vendeve të NATO-s, pasi ajo nuk ka qenë në gjendje të arrijë objektivat e saj as në Ukrainë. Megjithatë, ai shtoi se Ukraina është duke humbur luftën.
Në një intervistë për televizionin francez LCI, një kanal informativ i hapur për publikun, Orbán u shpreh se nuk ka frikë se lufta ruso-ukrainase do të përshkallëzohet në një konflikt global.
“Rusët janë shumë të dobët për një gjë të tillë; ata nuk kanë mundur të mposhtin as Ukrainën, kështu që nuk mund të sulmojnë realisht NATO-n,” u shpreh ai.
Ndërkohë, në përgjigje të një pyetjeje tjetër, ai tha se Ukraina po e humbet luftën dhe se negociatat e vërteta për përfundimin e saj do të zhvillohen mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“As Evropa dhe as Ukraina nuk do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Rusinë. Ukraina, sepse po e humbet luftën, dhe Evropa, sepse është tepër e përfshirë në të. Marrëveshja duhet të ndodhë mes rusëve dhe amerikanëve,” tha kryeministri hungarez.
Orbán theksoi se Evropa duhet të jetë e fortë sepse Rusia e kupton vetëm gjuhën e forcës. Ai shtoi se negociatat duhet të zhvillohen me Vladimir Putinin dhe tha se do të ishte i lumtur ta priste atë në Budapest.
"Nëse Putin dëshiron të vijë në Hungari, ne do ta mirëpresim me krahë hapur", tha Orbán.
Në të kaluarën, Orbán ka deklaruar se partnerët perëndimorë të Ukrainës po krijojnë rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore me deklaratat e tyre për mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake.
Gjithashtu, ai është përpjekur të lidhë pamundësinë e pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian me faktin se ajo nuk mund të anëtarësohet në NATO.
Komente
