Politikë

Kryeministri Rama inspekton investimin në Goricë dhe rrugën Berat-Ballaban! Pedonale, mbrojtje nga lumi Osum, unazë rreth kalasë e lidhje e lagjeve muze! Do zhvillojë turizmin

18 Mars, 15:06| Përditesimi: 18 Mars, 16:21

  • Share

Berat- Kryeministri Edi Rama inspektoi sot pas Bazës Ajore të Kuçovës (18 tetor) edhe lagjen Goricë, aty ku po vijon investimi për mbrojtjen në të dy krahët e lumit Osum. Gjithashtu ai inspektoi më tej edhe ndërtimin e rrugës Berat-Ballaban, që lidh zonën me Përmetin, Këlcyrën dhe Tepelenën.

Gjithashtu ndërtimin e një unaze të vogël rreth e qark Kalasë, pedonalen, parkimin publik, investime që do t’i japin një tjetër energji Goricës, duke zhvilluar biznesin e duke rritur vlerat turistike të saj.

I shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Ervin Demo dhe përfaqësues të firmës që bën punimet, kryeministri është njohur me ecurinë e projektit të rehabilitimit dhe që do i shërbejë turizmit.

Kryebashkiaku Demo shpjegoi se do krijohet një unazë që lidh zonat turistike me njëra-tjetrën dhe që do i shërbejnë të gjithë vizitorëve.

Ora 16:17
‘Nuk të ndahem këmba-këmbës, betohu para fshatit...!’ Rama kritika nxënësit me 7-ta dhe një foto e përqafim në fund

Gjatë inspektimit të rrugës Berat-Ballaban, kryeministri Edi Rama nuk i mungoi batutat me banorët e pranishëm dhe me disa nga fëmijët.

Teksa u përshëndet me një prej tyre, nxënës shkolle i klasës së tetë në Zhitom, (Bardhaj-Drobonik), kreu i qeverisë e pyeti për mësimet dhe për notat. Kur mori përgjigjen se kishte marrë 7-të, erdhi reagimi surprizë nga kryeministri i cili ‘shpërtheu’.

“Pse shtatë, hajde këtu, hajde! Duhet të futësh në kokë sa më shumë, prandaj e ke kokën, duhet të mësosh sa më shumë sot, që nesër të ecësh para. Unë do të të ndjek ty, dakord, do të të ndjek! Kokën e ke plotë me mend, nuk e ke ujitur, s’e ke prashitur, do të të ndjek këmba këmbës! Shiko si punojnë këta, babai, gjyshi, stërgjyshi, të kanë pajisur me libra, çanta, fletore, në sy të fshatit po te them nuk të ndahem!”, i totë Rama nxënësit i cili i premton se do të mësojë më shumë.

Këto batuta kanë shkaktuar të qeshura te të pranishmit, teksa kryeministri ka vijuar ta pyesë se ku ndiqte shkollën, madje e ka bërë që të betohet.

“Ndjek shkollën 9-vjeçare të Zhitomit”, i përgjigjet nxënësi.

Teksa kryeministri vijon:

“Jo, jo, thuaja këtu, në sy të fshatit. Do vazhdosh patjetër, thuaj se notat e tua do rriten e do shkojnë te maksimumi, thuaja”, i vë detyrë kryeministri, ndërsa nxënësi e pranon sfidën.

Por nuk mbaroi këtu. Pasi mbaroi inspektimin, kryeministri kërkoi të përshëndetej me të pranishmit, duke kërkuar përsëri nxënësin për të bërë një fotografi së bashku.

“Ku shkoi ky? Iku të mësojë? Aty është? Hajde këtu, hajde. Të bëjmë një fotografi së bashku. Ku më ike, hajde!”, vijon kreu i qeverisë, teksa përqafon dhe puth nxënësin në largim e sipër pas fotos.

Ora 15:53
Kryeministri Rama inspekton edhe kantierin e punimeve në rrugën e vjetër ish-kombëtare Berat-Përmet: Do bëjmë unazën jugore, do e lidhim me Korçën!

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar pas Goricës edhe kantierin e punimeve në rrugën e vjetër ish-kombëtare Berat-Këlcyrë-Përmet.

Kryeministri u shpreh se projekti dhe ideja është që investimi të zgjerohet edhe më tej dhe të krijohet një unazë jugore që lidh Beratin me Korçën.

"Sigurisht qëllimi është lidhja e zonës, lidhja me Korçën e kësaj rruge, nga Vithkuqi. Të krijojmë një unazë jugore për t'i lidhur këto zona. Por këtyre (banorëve që e pritën), u intereson vetëm kjo rruga këtu", u shpreh kreu i qeverisë duke bërë edhe batuta me të pranishmit.

Synimi në këtë kantier është përfundimi i punimeve brenda vitit, edhe pse punimet ndodhen ende te 30% në lotin e parë.

Ai ka qenë i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Ervin Demo, njëkohësisht kreu politik i qarkut për zgjedhjet e 11 majit dhe ministrja Belinda Balluku.

Rruga Berat-Ballaban është 60 km e gjatë, e cila lidh tre bashki Berat-Përmet-Tepelenë, dhe çliron një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe turistik për të gjitha këto zona. Sipas kryeministrit, në vijim do investohet për të përfunduar projektin dhe për ta lidhur Beratin me Korçën nëpërmjet kësaj rruge, duke krijuar një unazë infrastrukturore rrugore dhe që do i shërbejë së tepërmi zonës.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?