Marrëveshja e partneritetit në shëndetësi çoi kryeministrin Edi Rama në Izrael, për të parë nga afër sesi inteligjenca artificiale ndihmon mjekësinë në trajtimin e rasteve shëndetësore.
Kreu i qeverisë shqiptare vizitoi qendrën mjekësore Sheba, aty ku në një pavion të dedikuar vizitat me pacientët jo detyrimisht bëhen përballë një mjeku. Për kryeministrin Edi Ramën, ky takim shpejt do të sjellë frytet edhe në Tiranë.
“Nder dhe privilegj që të vija këtu prej shumë kohësh dhe takimi u bë realitet dhe takimi me mjekët nga spitali Nëne Tereza jemi shumë të lumtur edhe për mbështetjen tuaj që ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë’, tha ai.
Ndërkohë që përfaqësuesi i SHEBA theksoi se teknologjia tejet moderne e përdorur, është një ndihmesë shumë e madhe për mjekët, pasi redukton ngarkesën e tyre të përditshme, si dhe një benefit shumë i madh për pacientët, të cilëve u ofrohet një shërbim nga më të specializuarit.
“Mjekët harxhojnë kohën shumë duke marrë informacione dhe në këtë sistem kur vjen pacienti, asistenti virtual di të gjithë historikun në sekonda, sepse nuk ka një mënyrë se si një tru njerëzor mund ta bëjë këtë. Ne nuk mund ta shikojmë të gjithë procesin, por pas bisedës, sistemi do të rekomandojë imazherinë, laboratorin, edhe ekzaminimin fizik mjekësor që duhet të bëjë dhe në fund, të përmbledhë të gjithë historikun e pacientit se çfarë ka dhe çfarë duhet të bëjë në të ardhmen, qoftë për hospitalizim dhe nëse mund ta dëgjoni vetë. Dhe pasi përfundon marrjen e historikut, vetë sistemi përcakton për marrjen e analizave në laborator, sepse mjeku normalisht është nën stres gjatë gjithë kohës dhe pikërisht sistemi e di se në çfarë duhet të bëjë laboratori. Dhe më pas e dërgon pikërisht edhe tek imazheria dhe aty merren vendimet më pas dhe mund të mendosh që ne ndoshta jemi të guximshëm dhe jemi.
Njerëzit normalisht të thonë që mos e nis gjithçka me sistemin, prandaj ne e vëmë mjekun këtu dhe ulen këtu, dhe kjo është qendra e komandimit ata bëjnë mbikëqyrjen dhe vëzhgimin, sepse nuk kemi aq guximtarë që të bëjmë gjithçka vetëm nëpërmjet makinerisë, por në fillim dhe ne jemi vendi i parë në botë që të trajtojmë pacientë të vërtetë realë në pavionin e urgjencës nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, por e bëjmë nën mbikëqyrjen njerëzore. Pra, kemi shpenzuar shumë para, në mënyrë që të vëmë mjekët këtu, por nëse ia arrijmë në një vit, që të provojmë që sistemi merr vendime, ashtu si njerëzit dhe nuk bën gabime më shumë sesa njerëzit, ne mund të eliminojmë nevojën e mjekut dhe ky është një sistem shumë efiçent”, shpjegoi përfaqësuesi i Qendrës.
Vitit e shkuar qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me qendrën spitalore universitare “Sheba Medical Center” në Tel Aviv, ndërsa Onkologjiku do të jetë pika e parë e bashkëpunimit dhe transformimit e më pas e gjithë QSUT, aty ku siç Rama njoftoi do të ngrihet një qendër e Sheba-s për inovacionin dhe inteligjencën artificiale.
Ekspertë të këtij spitali do të trajnojnë bluzat tona të bardha dhe do të atashohen në Spitalin Onkologjik duke asistuar në trajtimin e rasteve të vështira, në kohë reale përmes telemjekësisë.
Shumë shpejt, siç kryeministri Rama paralajmëroi gjatë prezantimit të programit elektoral të partisë socialiste, do të përmbyllen edhe diskutimet me dy qendra të tjera në mënyrë që Qendra Spitalore Universitare të jetë prestigj ndërkombëtar i Shqipërisë siç ai theksoi për shërbimin shëndetësor.
Komente

Tek ne mezi gjen paracetamol, teshti po ma vjen inteligjenca artificiale
Përgjigju