Politikë

Rama në Durrës, takim me përfaqësuesit e transportit: Koncesioni i skanimit i gabuar, e trashëguam dhe shmangëm arbitrazhin! Ulëm kontrabandën, shkollë profesionale për shoferët!

8 Prill, 13:31| Përditesimi: 8 Prill, 17:21

  • Share

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar sot (8 prill) në Portin e Durrësit, pranë përfaqësuesve të bizneseve të transportit, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndërhyrë aty ku ka vonesa nga fluksi i ngarkesave, për të shtyrë përpara eksportet shqiptare.

I shoqëruar nga ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, kryepolici Ilir Proda dhe drejtori i Doganave, Gent Gazheli, kreu i qeverisë dëgjoi shqetësimet e tyre dhe zgjidhjen e problematikave në port.

"Ndryshimet këtu janë të nevojshme dhe do bëhen, po punohet edhe me Ministrinë për t'ju ndihmuar. Ky është koncesion atipik, më i keqi i mundshmi që e kemi trashëguar, por që do na krijonte kosto të lartë në arbitrazh, por jemi munduar të mënaxhojmë, ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë për ju, nga 45 euro e ulëm në 22 euro pagesën. Por në fund të fundit mbetet një koncesion i gabuar tërësisht, sepse skanimi i kamionëve shteti i bën për punën e vetë, për sigurinë, krimin, kontrabandën, por jo për ju", tha kryeministri ndër të tjera. 

Rama e cilësoi koncesionin e skanimit të gabuar, por qeveria e tij u gjend para faktit të kryer.

“Paguhet privati për këtë veprimtari, për atë që do menaxhojë shteti dhe kjo situatë do zgjasë deri në 2030. Në e kemi nisur dhe do ta bëjmë, në bashkëpunim edhe me ju, me kontriobutet tuaja edhe si taksapagues, do operojmë në bazë kontrolli në bazë risku. Psh., nga 100 dalje nga porti, do bëhet skanimi për 10 prej tyre, si fillim është e pranueshme dhe më tej do ulet më shumë, me numër më të vogël kontrollesh, të befasishme, mbi bazë risku. Se përtej kostos marramendëse që ka koncesioni edhe për operatorët, ka një rezultat në uljen e kontrabandës. I thashë edhe drejtorit, kjo është një gjë për t’u bërë se s’kemi ça flasim, duhet bërë dhe do bëhet. Do firmoset edhe një marrëveshje për këtë, që të keni këtë lloj regjimi. Për shoferët ky është një problem që është edhe në vendet e Europës, jo vetëm këtu, është problem gjithandej, pagat janë rritur me sa shoh, nuk e them unë sa të jenë, i vendosni ju”. 

Kryeministri shtoi edhe se do ngrihet një shkollë profesionale për shoferët, sikurse kërkohet. Gjithashtu edhe lehtësimin e procedurave të kontrollit, bazuar vetëm në faktor risku.

“Sa i përket shkollës mund ta ndërtojmë me ministrinë apo autoritetin portual dhe Ministrinë e Ekonomisë, jo si shkollë tipike, por profesionale, ku merren kurse të caktuara, që do i vlejnë shoferëve tuaj që do jenë speciale, për të njohur të gjitha proceset e nevojshme.  Për pjesën e shoferëve ky është një problem shumë më i madh, sepse ka dhe vende të tjera që po e kalojnë këtë hall, sidomos për këtë lloj pune, pasi ka lodhje e stres. Pagat i keni rritur në 1500-2000 euro, mbase duhen rritur akoma. Përsa i përket shkollës, jemi të gatshëm të ndërtojmë një bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Autoritetit Portual dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, një shkollë profesionale ku merren kurse të caktuara që ju vlejnë shoferëve tuaj për ato procese që janë speciale. 

Na duhet vetëm që të jeni proaktivë, të bëni propozim konkret, për strukturën, njerëzit që duhen, çfarë kërkohet nga shteti, që ta marrim e ta shohim me strukturën e arsimit profesional në Ministrinë e Ekonomisë dhe strukturat përkatëse.  Shyqyr që nuk është një mbledhje që nuk merremi vesh, sepse merremi vesh, ta firmosim këtë marrëveshje dhe të vijojmë më tej. Kemi marrë masa lehtësuese dhe dogana nuk është më ajo që ishte, por nëse ka elementë që duken burokratike, që nuk cenojnë ekuilibrin, sepse ju keni detyrë ngarkim-shkërkimi, jona është t’ju ruajmë juve, është pak e ngatërrume jona, edhe të ruajmë shëndetin tuaj, edhe punën, se janë të lidhura bashkë këto”, vijoi ai.

Rama sqaroi gjithashtu se projekti më i madh i qeverisë tani është porti i ri i Durrësit në Porto Romano.

Ne do ndërtojmë portin e ri, që do jetë ultramodern, me standarde ndërkombëtare dhe nivele të larta, në Europë nuk para ka të tillë, ndërtohen kryesisht në vende jashtë saj, është bërë procesi i fazës së parë të selektimit dhe kemi hyrë në të dytën, për të rizgjedhur fituesin. U ribë procesi si pasojë e rregullave strikte dhe tani u dha rezultati, po vijohet me fazën e dytë, shpalljen e fituesit, lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit, ku do jetë niveli më i lartë i teknologjisë, do ketë edhe një kompnent ushtarak që do përdoret nga NATO. Besoj se ditët më të mira janë të gjitha përpara”.

Fjalën hapëse e mbajti ministrja Delina Ibrahimaj, që premtoi zgjidhjen e problematikës kohore, duke e shkurtuar me 2-4 orë.

Përfaqësuesit e transportit ndërkombëtar dhe biznesit renditën disa nga shqetësimet e tyre reale, kryesisht tek problematika e vonesave dhe programet elektronike të punës, që janë në vendet e Europës dhe që duhen në Shqipëri pasi janë të nevojshme.

Gjithashtu u kërkua një shkollë transporti në Durrës.

“Kjo shkollë është e nevojshme që shoferët të jenë më profesionistë, për transport ndërkombëtar tëprofilizuar, njohje të kodit rrugor të vendeve të huaja dhe me përgatitje shtesë”, tha një prej përfaqësuesve, që mori dhe përgjigjen aprovuese nga kryeministri, si më sipër.

Ndërsa u premtoi zgjidhje të problemeve të shtruara nga transportuesit, në një bashkëbisedim me pyetje-përgjigje, ku nuk munguan as batutat, u kalua edhe te firmosja e marrëveshjes për lehtësimin e procedurave të skanimit në port.

Drejtori i Doganave, Gent Gazheli dhe i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, firmosën këtë marrëveshje dypalëshe, që do i shërbejë shmangies së procedurave burokratike.

Ora 17:16
Rama ndan detaje nga projekti i Portit të Ri Turistik në Durrës: Po merr formë një plazh i ri, aty ku kishte vetëm rrënoja e mbeturina

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i Portit të Ri Turistik të Durrësit, ku vijojnë punimet për transformimin e zonës.

Ai thekson se tashmë po merr formë një plazh i ri në vendin ku më parë kishte vetëm rrënoja dhe mbeturina.

Gjithashtu, Rama bën me dije se po kryhet pastrimi i ujit të ndotur prej vitesh, duke e kthyer zonën në një destinacion turistik të rëndësishëm për Mesdheun.

“Në kantierin e Portit të Ri Turistik të Durrësit, po merr formë një plazh i ri aty ku kishte vetëm rrënoja e mbeturina dhe po kryhet pastrimi i ujit të ndotur për shumë vite, për të krijuar një destinacion fantastik për të gjithë, ndër më të bukurit në Mesdhe”, shprehet ai.

 

Ora 14:34
Durrës/ ‘Gazhel, po s’u hap e-Albania, do përfundosh ti shofer kamioni!’ Rama batuta me transportuesit: Po të na japësh ndonjë lek, e bëjmë ne! Ta firmosim, apo u kënaqëm me muhabet...

 

Kreu i qeverisë e shoqëroi bashkëbisedimin në Durrës ditën e sotme (8 prill) edhe me batuta, duke dhënë përgjigje me nota humori.

Një nga transportuesit e pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama në Portin e Durrësit, adresoi disa prej shqetësimeve dhe problemeve, ku një prej tyre ishte krijimi i hapësirës për mjetet e transportit, shtyrja e gardhit të zonës në port, por edhe oraret e vendosura nga autoritetet e Doganës dhe Policisë, që i cilësoi të papërshtatshme.

“Po të na japësh nonjë lek e bëjmë ne...”, i tha ai përfaqësuesit. 

Teksa më herët, përfaëquesi në fjalë kishte pasur edhe një debat me kolegun e tij, se cili do i ngrinte shqetësimet. Kryeministri ndërhyri mes tyre, duke u thënë që të flisnin vetë.

“I gjejmë edhe lekët ne, do i gjejmë, vetëm të bëhet...!”, u përgjigj qytetari.

Në këmbënguljen e tij gjatë fjalës, ai ngriti edhe shqetësimin e një takse 600 lekë, për të cilën kreu i ekzekutivit kërkoi shpjegime.

“Ka problem 600 lekë për t’u futur në port, të vish nga jashtë Durrësit e të paguash, nuk duhet të jetë kjo. Ose na thonë hajde në orën 7 të darkës...”, tha ai.

Rama kërkoi sqarime nga vartësit:

“Ça është ky 600 lekëshi? (një nga zyrtarët shpjegon se ëhstë leja personale për kamion dhe mjete). Një sekond, se po na çove deri te bari, kam parë edhe në portet e Ankonës dhe Triestes këtë punën e barit. Nuk e kuptoj se ç’do të thotë hajde në 7 drejtor, Policia është në shërbim të këtyre. S’e cakton Policia orarin se kur do punojë ai...”.

Dhe batutat vijuan, teksa një prej të pranishmëve nuk po ndjente rehat gjatë dëgjesës.

“U mërzite ti vëlla?! Të mërzita...”, iu drejtua kryeministri, “Policia duhet të jetë në funksion të punës tuaj. Orari duhet zgjidhur”, vijoi Rama.

Një nga tramnsportuesit u ankua edhe për shërbimin e e-Albania-s online, se nuk funksiononte.

“Jo, jo, për e-Albanian jam me drejtorin unë këtu, dale pak! Gazhel (Gent Gazheli), hape e-Albanian, nëse nuk hapet do bëhesh ti shofer kamioni! Jo, jo, hape tani ta shohim, punon apo s’punon...!”, iu drejtua kryeministri kreut të Doganave.

Dhe pas një pauze e diskutimi erdhi përgjigja: 'U hap!'

“E hape e-Albanian, u hap? Eee, e sheh, duhet të updat-ohesh, ta shikosh mirë jo të thuash e shohim...”, iu drejtua kryeministri qytetarit që shprehu ankesën për shërbimin

Më tej ai kërkoi nga përfaqësuesit e Doganës dhe Policisë që të ishin ambiciozë në shërbim dhe shpejtësi pune ndaj transportuesve e biznesit.

“Duhen vënë targete shumë ambicioze për kohën. Duhet të bëjmë një rregullim të përgjithshëm në port, këtu, apo jo drejtor. Ambicia duhet të jetë sa shpejt e nxjerrim një kamion, jo hajde në 7 në darkës. Pse duhet t’i thuhet hajde në darkë. Ambicia duhet të jetë të punohet, të veprohet në përpunim”, porositi ai vartësit.

Por ndërhyrjes së një tjetër biznesmeni të transportit për rezultatet, ai iu përgjigj:

“Nga një anë i thyni të gjitha me rezultate, në anën tjetër thoni nuk ecën ekonomia, se është e bukur kjo. Siç bëmë edhe me aeroportin dhe që po funksionon më së miri...”, i tha Rama.

Dhe një batutë në fund, si ‘qershia mbi tortë’:

“Ta firmosim këtë së bashku tani, apo keni ardhur për muhabet, u kënaqëm këtu, bëmë muhabet...!”. 

Drejtori i Doganave, Gent Gazheli dhe i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fund firmosën edhe marrëveshjen mes dy institucioneve.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?