Millosh Vuçeviç

Kryeministri serb: Sulmi në Banjskë nuk duhet të ndodhte

30 Shtator, 14:50| Përditesimi: 30 Shtator, 14:57

  • Share

Gjatë një interviste të dhënë së fundmi kryeministri serb Millosh Vuçeviç pranoi se ngjarja e Banjskës nuk duhet të ndodhte.

Po megjithatë ai thotë se ishin një seri gjërash që çuan deri tek sulmi i cili i kushtoi jetën një efektivi të Policisë së Kosovës, si edhe tre agresorëve serbë.

“Ajo që ndodhi ishte reagim ndaj një sërë lëvizjesh të autoriteteve të Prishtinës - nga arrestimet deri te plagosja dhe rrahja e serbëve. Nuk ishte koha e lulëzimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Kosovë”, tha kryeministri  për TV Prva.

Më tej ai shtoi se autoritetet në Prishtinë nuk lejojnë që familjet e serbëve të vrarë në Banjskë të shënojnë vendin ku ata janë vrarë dhe se brenda një vitit, sipas tij, një numër i madh njerëzish janë larguar nga Kosova, se u është bërë presion dhe druhen se kjo do të vazhdojë.

Një qëndrim i tillë nuk është risi në fakt. Kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç menjëherë bëri fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe mohoi që Serbia të ishte e përfshirë në një akt të tillë.

Më tej ai u zotua që Serbia do t’i hetojë të dyshuarit, si edhe origjinën e armëve që policia e Kosovës konfiskoi pas sulmit. Por ndërkohë, një vit më vonë, nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur dhe biznesmeni serb nga Kosova, Millan Radoiçic, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin, besohet se është i lirë në Serbi.

Kur ndodhi ngjarja?

Më 24 shtator 2023, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u cilësua si sulm terrorist nga Kosova, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian dhe u dënua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Incidenti ndodhi gjatë një periudhe tensionesh të shtuara pas vendosjes me forcë të katër kryetarëve të komunave në komunat me shumicë serbe në maj të vitit 2023 pas bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët e Kosovës dhe dështimit të bisedimeve për marrëveshjen e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?