Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës, ka thirrur zgjedhje të përgjithshme të parakohshme për 23 korrik, pasi partia e tij pësoi një pengesë të madhe në zgjedhjet lokale dhe rajonale.
Gjatë një fjalimi drejtuar qytetarëve ditën e sotme, Sanchez tha se kishte informuar Mbretin Felipe VI për vendimin e tij për të shpërndarë parlamentin.
Vendimi erdhi një ditë pasi Partia e tij e Punëtorëve Socialiste Spanjolle (PSOE) dhe aleati i saj i vogël Podemos humbën terren gjatë zgjedhjeve, ndërsa rivali konservator i Partisë Popullore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox dolën më mirë.
“E mora vendimin kur shikoja rezultatet e zgjedhjeve të djeshme”, tha Sanchez. “Edhe pse zgjedhjet e djeshme kishin shtrirje lokale dhe rajonale, kuptimi i votës përçon një mesazh që shkon përtej kësaj. Kjo është arsyeja pse, si kryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i PSOE, unë personalisht i pranoj rezultatet”, shtoi ai.
Sanchez kishte thënë më parë se do të kompletonte mandatin e tij katërvjeçar, duke sugjeruar se zgjedhjet do të mbaheshin në dhjetor.