TIRANË- Si një dhurues i rregullt gjaku, prej thuajse 2 dekadash, edhe këtë vit Kryeministri Rama iu bashkua nismës sensibilizuese.
Tradita e dhurimit vullnetar të gjakut vijoi në ambientet e kryeministrisë për të sensibilizuar edhe punonjësit e administratës në godinën qeveritare, ndërsa kreu i qeverisë apeloi për pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në këtë akt sa rigjenerues aq edhe human.
“A jeni të informuar ju që kjo është shumë pozitive për organizimin? Kjo të rinon, të rigjeneron, të ndërrohet gjaku, të pastrohet. Përveç faktit që është kontribut shumë i vyer. Se duhet të vësh veten në pozitën e atyre prindërve që i kanë fëmijët me këto nevoja, por përtej kësaj është dhe shumë zhvillim pozitiv për organizmin tënd”, u shpreh Kryeministri Rama.
Fushata sensibilizuese për dhurimin e gjakut synon të ndërgjegjësojë publikun për rëndësinë e dhurimeve vullnetare dhe ndikimin që kanë në përmirësimin e sistemit shëndetësor.
Kush dëshiron të dhurojë gjak mund ta bëjë atë edhe përmes platformës e-Albania: ku mund të rezervojnë një takim për të dhënë gjak, ose të regjistrohet si kontakt në gatishmëri për raste urgjente ku kërkohet transfuzion i menjëhershëm. Aktualisht janë regjistruar mbi 19 mijë qytetarë si dhurues të mundshëm gjaku.
Në 5 muajt e parë të këtij viti numri i dhuruesve të gjakut është rritur me rreth 30 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në muaj janar-maj kanë dhuruar gjak 12 mijë e 124 persona, prej të cilëve 4 mijë e 50 ishin vullnetarë dhe 8 mijë e 74 familjarë. Në vitin 2024 kjo shifër ishin në nivelin e 11 mijë e 437 dhuruesve.
Komente
