Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas ka dhënë dorëheqjen si udhëheqëse e vendit baltik për t'u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të këtij viti.
Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi sot dorëheqjen e saj zyrtare presidentit Alar Karis gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në kryeqytetin, Talin.
Duke folur për kohën si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një periudhë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.
Dorëheqja e saj shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak i përbërë nga Partia e Reformës e qendrës së djathtë, Partia Socialdemokrate dhe partia liberale Estonia 200.
Por megjithatë ajo do të vazhdojë të shërbejë si një qeveri e përkohshme derisa të betohet kabineti i ri, me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.
Pritet që 47-vjeçarja të jetë pasuese Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë.