Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për 8 të arrestuarit në kuadër të hetimeve për shitblerje armësh. Trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për caktimin e masave të sigurimit.
Në qeli do të qëndrojnë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu.
Para gjykatës, asnjë nga të dyshuarit nuk ka folur. Ndërkohë, mbrojtja ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia i ka shtyrë individët në veprime të kundërligjshme.
Avokatët kanë kërkuar prova dhe fakte konkrete për secilin nga të dyshuarit, lidhur me veprimet që ata pretendohet se kanë kryer. Gjithashtu, ata kanë kërkuar akt-ekspertizat e armëve për të vërtetuar nëse janë ose jo funksionale.
Mbrojtja i ka kërkuar gjykatës që të cilësojë të paligjshëm arrestimin dhe të marrë parasysh faktin se të dyshuarit nuk kanë precedentë penalë të mëparshëm. Nga ana tjetër, organi i akuzës ka vënë në dispozicion të gjykatës akt-ekspertizat e kryera për armët e sekuestruara më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku njëra prej armëve rezulton jashtë funksionit.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga strukturat e rendit janë sekuestruar 14 armë zjarri, 12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë, si dhe 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Grupi i trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë u godit pas një hetimi 5 mujor nga Antitrafiqet e Tiranës. Operacioni i koduar “Puzzle” çoi në pranga në total 10 anëtarë të grupit të trafikut të armëve. 8 të rinj u arrestuan më 30 maj, ndërsa 2 të tjerë ishin arrestuar në kuadër të këtij hetimi më datë 1 prill.
Komente
