Elisa Spiropali dhe Numan Kurtulmus

Politikë

Kryeparlamentari turk: Të rrisim shkëmbimet tregtare në 2 miliardë Dollarë; Spiropali:Turqia, partneri i 4 tregtar i Shqipërisë

17 Korrik, 12:47| Përditesimi: 17 Korrik, 12:54

  • Share

Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Turqi ku është pritur nga homologu i saj Numan Kurtulmus, me ftesë të këtij të fundit.

Kryeparlamentari turk, Kurtulmus, ka thënë se Shqipëria dhe Turqia kanë lidhje të forta mes tyre.

Ai theksoi se mes dy vendeve ekziston potenciali që shkëmbimet tregtare të arrijnë në 2 miliërdë Euro, nga 1 miliard që janë aktualisht.

“Në Shqipëri ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë në platforma të përbashkëta. Jemi dy vende mike, dy vende aleate. Vazhdojmë projektet tona të përbashkëta dhe uroj që edhe në të ardhmen, marrëdhëniet midis dy vendeve tona të zhvillohen akoma edhe më shumë në të ardhmen. Turqia dhe Shqipëria janë dy popuj me marrëdhënie të vjetra që prej 6 shekujsh kanë bashkëjetuar, kemi histori të përbashkët, të kaluar të përbashkët. Kemi shumë qytetarë me origjinë shqiptare që janë nënshtetas të Turqisë. Në jetën e përditshme përdoren shumë fjalë turke, kjo tregon se sa të afërt jemi dhe sa të afërt e kemi kulturën. Edhe interesat janë të përbashkëta. Nëpërmjet parimit fito-fito, këto marrëdhënie t’i çojmë akoma edhe më përpara. Shkëmbimet tregtare që janë 1 miliard, rritja e tyre në 2 miliardë është e arritshme. 800 kompani turke operojnë në Shqipëri dhe në aspektin e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve janë të rëndësishme”.
 

Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Spiropali theksoi se falë investimeve turke, 15 mijë punonjës shqiptarë punojnë në kompanitë turke në vendin tonë.

“Turqia është partneri i katërt tregtar i Shqipërisë. Investimet turke, në një vlerë prej rreth 3.7 miliardë dollarë, kanë krijuar përveç zhvillimit, edhe punësim dhe vende të reja pune; rreth 15 mijë shqiptarë punojnë në kompanitë turke që operojnë në Shqipëri. Ne do të vijojmë bashkëpunimin në marrëdhëniet ekonomiko-tregtare, të shfrytëzojmë të gjithë potencialin tonë të përbashkët, duke shfrytëzuar potencialet posaçërisht në sektorët e sigurisë, mbrojtjes, energjisë së rinovueshme, infrastrukturës, zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit e mjedisit, bashkëpunimit universitar, bujqësisë, agro-përpunimit, etj”.

Një tjetër temë që prekën të dy kryeparlamentarët në konferencën e përbashkët për shtyp, ishte edhe siguria në Ballkan.

Kryeparlamentari turk bëri thirrje që çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet me dialog.

“Ne jemi për paqe dhe stabilitet në Ballkan, sidomos në kohët e sotme kur bota po kalon turbulencë të madhe. Divergjencat që ekzistojnë duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Sa i përket luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, përbën një kërcënim të madh për gjithë botën, Europën dhe Ballkanin. Duke u nisur edhe nga efektet e kësaj lufte, kemi nevoje për një perspektivë paqësore. Është e domosdoshme një qasje e tillë”.

Edhe Spiropali vlerësoi rolin e Turqisë si një aktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.

“Shqipëria dhe Turqia prodhojnë dhe i japin botës siguri e paqe, të cilat janë të nevojshme në çdo kohë, por janë të një rëndësie kritike në kohën që jetojmë, kur retë e luftës nuk janë më në horizont, por rrotull vendeve tona. Ne ramë dakord ta intensifikojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kuvendit dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare, si në nivelet më të larta, ashtu edhe mes komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve, si edhe në mbështetjen e kandidaturave respektive në organizatat parlamentare shumëpalëshe. Ne vlerësojmë Turqinë si një garant historik dhe natyral të paqes në rajon. Shqipëria po merr gjithashtu një rol udhëheqësie në bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin, integrimin euroatlantik dhe paqen. Shqipëria do të vijojë qëndrimin e palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe partnerëve të tjerë”.

Spiropali theksoi se Shqipëria dhe Turqia, si dy vende të NATO-s, do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë mes tyre për faktin edhe se Samiti i NATO-s në vitin 2026 do të mbahet në shtetin turk, ndërsa në vit më vonë në vendin tonë.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?