Në Katedralen "Ngjallja e Krishtit", në Tiranë, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturi Joani, bekoi fëmijët për fillimin e vitit të ri shkollor ku u lexua një lutje e veçantë. "BEHUNI BIJ TË DRITËS".
Ky urim, lutje dhe bekim për fëmijët, u mbajt në të gjitha kishat e vendit pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, më 7 shtator 2025.
Urata për fillimin e Vitit të Ri shkollor:
O Zot Jisu Krisht Perëndia ynë, bërës i dritës dhe i urtësisë, mëshirëplot e njeridashës, që hape sytë e të verbërit dhe shndërrove peshkatarët në mësues dhe predikues të urtë të Ungjillit, me ardhjen e Shpirtit të Shenjtë; që i ke dhënë mësime popullit në tempullin e Jerusalemit. Ti, o Kryezot, bëj që të shkëlqejë në mendjen tonë drita e hirit të Shpirtit të Shenjtë; dhurona mendjemprehtësi, kuptim dhe urtësi në të mësuarit tonë; bëna të denjë të përfundojmë detyrat tona dhe të kemi mbarësi në çdo vepër të mirë; hapi zemrat, shpirtrat edhe mendjet tona, që të kuptojmë porositë e tua. Të falënderojmë, o Zot, Perëndia ynë, se përsëri i hap sytë tanë për të parë dritën e urtësisë sate. Zemrën tonë kënaqe me njohjen e së vërtetës sate. Të lutemi, o Zot, ndihmona të bëjmë gjithmonë dëshirën tënde. Beko shpirtin dhe trupin tonë, fjalët dhe veprat tona. Bëna të denjë të rritemi në hir, në virtyte dhe në zakone të mira që gjithë ditët e jetës sonë të mund të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë. Se ti je ndriçimi i shpirtrave dhe i trupave tanë dhe Ty të drejtojmë lavdi, Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
Komente

ah medet feja jone, kryepeshkop me emrin fatmir dhe hoxhe me emrin Elvis...
Përgjigju