Pasardhësi i Kryepeshkopit Anastas, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi ka zhvilluar së fundmi një intervistë për median greke To Vima ku ka folur për ecurinë dhe të ardhmen e Kishës së Shqipërisë, ndërsa rendit ngjarjet që shënuan jetën e tij.
Intervista e plotë
Ndërrimi i jetës i të ndjerit Kryepiskopit Anastas të Shqipërisë me kujtim të bekuar na la një trashëgimi të rëndë. A mund të përshkruani ndjenjat tuaja si pasardhësi i tij dhe cilat janë mendimet tuaja për të ardhmen e Kishës së Shqipërisë?
Largimi nga kjo jetë Kryepiskopit të ndjerë Anastas la zbrazëtirë të madhe në kishën tonë. Ndjeheshim të sigurt kur e kishim, sepse çdo problem që kishim e zgjidhte ai. Por, ne e kuptojmë se nuk mund ta kishim fizikisht përgjithmonë. Ndonëse jemi të trishtuar se humbën një atë dhe një bari të jashtëzakonshëm, përsëri kemi një ngushëllim të madh, sepse do të kemi një zë të fuqishëm pranë Perëndisë, që do të lutet për kishën që e deshi aq shumë.
Përsa i përket të ardhmes, mendoj se do të përpiqemi të vazhdojmë, me sa mundemi, veprën e Kryepiskopit Anastas, si edhe frymën që ai përhapi brenda kishës, duke u përqendruar në disa drejtime: në ruajtjen e mësimeve të Zotit, të transmetuara nga apostuj deri në ditët tona; në unitetin e kishës; në forcimin e bashkëjetesës fetare; në përkujdesjen ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që janë të varfër, në nevojë, në sëmundje, në vetmi dhe të mënjanuar dhe në nxitjen e dialogut, si në atë pan-ortodoks, ashtu edhe në dialogun me të gjithë të tjerët.
Ju lindët në një mjedis Bektashi. Anëtarë të familjes suaj u burgosën nga regjimi ateist. Kur morët thirrjen e Krishterimit dhe çfarë vështirësish keni pasur për të kapërcyer që atëherë?
Mjedisi ku u rrita ishte shumë më ndryshe nga sa perceptohet nga jashtë. Ai nuk mund të kuptohet pa njohur të gjitha kushtet historike, kulturore dhe politike të vendit tonë. Të parët e mi ishin të krishterë, por gjatë sundimit otoman u kthyen në bektashinj. Një përhapje të madhe bektashizmi pati në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili ishte edhe vetë bektashi, sidomos në Jugun e Shqipërisë, ku ndodhet edhe krahina e prindërve të mi. Por, kthimi nuk u bë përnjëherë dhe nuk kishte arsye fetare. Arsyet kryesore ishin: diskriminimi, sistemi i rëndë fiskal, si edhe dëshira për të pasur përfitime. Por, nuk përjashtohen edhe arsye të tjera, personale apo kolektive. Të krishterët, ndoshta ndjeheshin më familjarë duke pranuar bektashizmin, sepse edhe nuk hynin në konflikt me islamin zyrtar dhe në të njëjtën kohë mund të mbanin shumë nga praktikat e tyre.
Por, në kohën dhe mjedisin ku u rrita unë, nuk praktikohej ndonjë besim. Nuk ishte se unë praktikoja një besim dhe pastaj u ktheva. Takimi im i parë me besimin ndodhi në vitin 1974, kur isha në vitin e katërt të gjimnazit (Liceut). Rastësisht më ra në dorë Dhiata e Re, gjë e rrallë në atë kohë. Kur e lexova, diçka ndryshoi thellësisht në shpirtin tim. Mënyra sesi ishte shkruar, fjalët e thjeshta të Zotit, por shumë të thella, më bindën për vërtetësinë e tij. Këto janë të vërteta psikologjike. Edhe kur dikush të tregon diçka, shpeshherë, mënyra si ta thotë të bind që është e vërtetë. Kështu që Ungjilli ishte besimi im i parë. Atëherë vendosa të pagëzohem, gjë që realizua pak më vonë.
Marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës Ekumenike dhe Patriarkanës së Moskës janë në një pikë thyerje duke bërë që shumë të flasin edhe për një skizmë. Sipas mendimit tuaj, si mund të zgjidhet kjo situatë dhe si keni ndërmend të qëndroni në lidhje me të gjitha këto?
Besoj, se nëse do të jetë vullneti i mirë, gjithçka mund të arrihet. Nga ndarjet dhe përçarjet të gjithë jemi të humbur, asnjë nuk fiton. Në lidhje me qëndrimin tonë ne kemi një vendim të njohur të Sinodit dhe nuk kemi asgjë tjetër për të shtuar. Por, Kisha jonë do të jetë gjithmonë e gatshme për të dhënë mbështetjen dhe kontributin e saj modest, në zgjidhjen e kësaj çështje të ndërlikuar, për lavdi të Perëndisë dhe për të mirën e gjithë Kishës Orthodhokse.
Kandidatura juaj për fronin kryepiskopal u prit me kundërshtime me arsyetimin se elementi grek i vendit tuaj do të margjinalizohet. Cili është përgjigjja juaj ndaj këtyre shqetësimeve?
Nuk kam dijeni se është pritur me kundërshtime, është hera e parë që e dëgjoj këtë gjë. Prandaj, kjo pyetje, më duket e habitshme , sepse brenda Kishës nuk pati kundërshtime, madje u prit me entuziazëm të madh. Kur them brenda kishës, përfshihen gjithë anëtarët e saj: Anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë të gjithë të pagëzuarit në Kishën Orthodhokse dhe janë banorë të Shqipërisë, pa dallim origjine (nenit 2 i Statutit). Besoj se askush në kishën tonë nuk ndjehet i mënjanuar dhe nuk ka arsye për shqetësime, sepse asgjë nuk ka ndryshuar brenda kishës.
Nëse ju keni informacion për shqetësime, kushdo qofshin ata, me gjithë respektin që kemi për çdo njeri apo grup njerëzish, mendoj se nuk është një çështje brenda kishës. Do të vazhdojmë në atë që na thoshte gjithmonë Kryepiskopi Anastas: Ne do të bëjmë vetëm atë që është mirë për Kishën, dhe, kur thoshte për kishën, kuptonte atë që është mirë për të gjithë anëtarët e saj.
Fqinjësia jonë nuk pushon së përjetuari forma të ndryshme trazirash që kërcënojnë paqen dhe prosperitetin e shoqërive përkatëse. Cila është qëndrimi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë për këtë rrezik dhe çfarë nismash dhe përpjekjesh të përbashkëta, nëse ka, planifikoni në bashkëpunim me komunitetet e tjera fetare të vendit tuaj?
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është përpjekur për ruajtjen e paqes dhe bashkekzistencës paqësorë ndërmjet popujve të ndryshëm, sidomos me fqinjët. Ne nuk jemi mjaftuar vetëm në fjalët, por kemi bërë përpjekje të rëndësishme dhe të vazhdueshme për të shmangur konfliktet, për aq sa ne mundeshim. Për këtë arsye është ngritur Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, ku marrin pjesë kryetarët e komuniteteve fetare në vendin tonë. Kisha jonë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, ka qenë aktive në të gjitha nismat për dialogun dhe mirëkuptimin me të gjithë . Ajo do të përpiqet të zhvillojë më tej bashkëpunimin me komunitetet fetare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Gjithashtu, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë miqësore, dhe dëshiron të jetojë në paqe me të gjithë, duke ndjekur këshillën e Shën Pavlit: Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit (Rom. 12:18).
Kur në moshë të re vendosët të ktheheni në vendin tuaj nga Bostoni, ku studiuat Teologji, a ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend se një ditë do të gjendeshit në zyrën e sotme?
Kontakti im i parë me Kryepeshkopin Anastas ishte në vitin 1992. Njëri nga profesorët e mi, Mitropoliti Dhimitër i Vresthenës, më vonë Kryepeshkopi Dhimitër i Amerikës, meqenëse ishte një mik i ngushtë me Kryepeshkopin Anastas, qysh nga rinia e hershme, më tregoi rreth veprimtarisë së atij në Greqi dhe si misionar në Afrikë. Nëpërmjet tij u lidha me Kryepeshkopin, të cilit i thashë që kur të mbaroj studimet do të kthehem në Shqipëri. Ai u gëzua dhe më përgëzoi. Në atë kohë gjendja në Shqipëri ishte e vështirë, por unë mendova se në Amerikë një prift më shumë apo më pak do të ishte njësoj, ndërsa në Shqipëri ishte një nevojë e madhe për klerikë. Për më tepër ishte vendi im ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe ndjeja një detyrim. Këto ishin arsyet përse u ktheva.
Përsa i përket pyetjes së dytë, është e vështirë të përgjigjem, sepse tashmë shumë përgjigje, edhe nëse janë të sinqerta, janë bërë klishe dhe të pabesueshme. Në dy dekadat e para mbasi u ktheva kurrë nuk e kam shkuar ndër mend, sepse nuk e doja një barrë të tillë. Por Kryepeshkopi Anastas insistoi, duke më thënë shpesh, se duhet ta marrësh këtë përgjegjësi, por unë hezitoja për shumë arsye. Mbas një këmbëngulje të gjatë nga ana e tij, para rreth dy vitesh, i thashë se, nëse është vullneti i Perëndisë dhe nëse Kisha më zgjedh nuk do ta refuzoj.
Cilat ishin ngjarjet vendimtare që kanë shënuar jetën tuaj?
Ngjarja e parë vendimtare ishte takimi me Ungjillin, që më ndryshoi gjithë rrjedhën e jetës sime dhe e falënderoj vazhdimisht në zemrën time Perëndinë për këtë dhuratë të paçmuar. Më vonë takimi dhe miqësia ime me një besimtar dhe dijetar të madh, z. Petro Zheji, i cili u bë nuni im dhe me të cilin bashkudhëtuam në vitet e vështira të persekutimit komunist, duke qenë bashkanëtarë të një kishe të vogël të nëndheshme. Lutem gjithmonë për prehjen e shpirtit të tij fisnik. Ngjarje të rëndësishme në jetën time, ishin gjithashtu, mundësia që mu dha të largohem nga Shqipëria dhe të studioj në Boston dhe takimi me Kryepeshkopin Anastas, i cili u bë shembull për mua dhe për klerin në Shqipëri, sesi duhet të jetë një klerik orthodhoks.
Falënderoj vazhdimisht Perëndinë që i kam takuar dhe kam jetuar me këta njerëz të rrallë.
Komente
