Ndryshime të rëndësishme të shefave të komisariateve u firmosën me urdhër të kryepolicit Ilir Proda. Pothuajse të gjitha komisariatet e Tiranës kanë shefa të rinj.
Ndodh rokadë në Komisariatin nr. 1 dhe 7. Robert Losha, i cili prej fundvitit të kaluar mbante detyrën e shefit të Komisariatit nr. 1, shkon në Vorë (Komisariati nr. 7), ndërsa vendin e tij, në atë që konsiderohet komisariati kryesor i Tiranës, e zë Elton Shahini, së fundi shef i Vorës. Shahini vjen në këtë detyrë pas një karriere të gjatë, sidomos si shef krimesh në Policinë e Durrësit, periudhë në të cilën mundi të zbardhë dy prej ngjarjeve më të rënda të krimit në familje: vrasjen dhe groposjen e dy baballarëve nga fëmijët e tyre në Shënavlash.
Deri më sot zëvendësdrejtor i Tiranës, Idris Daulle, do të jetë shefi i ri i Komisariatit të Kamzës. Eksperienca e gjatë si drejtues bëri që të renditet i pari në garën për shef komisariati, duke zgjedhur t’i shërbejë policisë në Kamëz. Në vend të tij, si zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës, emërohet Ervis Gjoshi, deri tani shef i Komisariatit nr. 4. Me karrierë të gjatë në radhët e policisë, Gjoshi ngrihet në detyrë pas disa vitesh si shef krimesh në disa komisariate e drejtorë, përfshirë Kamzën dhe Vlorën. Vendin e tij në Komisariatin nr. 4 e zë Feliks Hoda, deri tani në sektorin e Antitrafiqeve të Policisë së Tiranës.
Vendi i lënë vakant në Shkodër, pas shkarkimit një ditë më parë të Nik Nikollajt, sjell transferimin në këtë detyrë të Bekim Likës, deri më tani shef i Komisariatit të Kukësit. Lika emërohet në një qytet të vështirë, por me një karrierë të gjatë, e cila pritet t’i shërbejë në Shkodër. Ndërkohë, vendin e tij në Kukës e zë Besmir Qibini, nga Komisariati nr. 5. Qibini, për disa vite, ka qenë shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës.
I transferuar së fundmi nga Komisariati nr. 3 te ai nr. 2, si shef krimesh, Ermal Kenaçi emërohet shef i Komisariatit të Policisë nr. 2, duke zëvendësuar Ritvan Palin, që dha dorëheqje.
Të vetmet komisariate që nuk ndryshojnë në Tiranë janë nr. 3 dhe 6, respektivisht të drejtuar nga Besmir Dervishi dhe Erdit Rreçeku, të emëruar në fund të vitit të kaluar.
Emërimet e bëra nga kryepolici Ilir Proda:
-Idriz Daulle, nga zv/drejtor i Rendit në DVP Tiranë, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë nr. 5, Tiranë
-Besmir Qebini, nga Shef Komisariati i Policisë nr 5, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Kukës
-Bekim Lika, nga Shef i Komisariatit të Policisë Kukës, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër
-Ermal Kenaçi, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë nr. 2, Tiranë
-Feliks Hoda, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë nr. 4, Tiranë
-Ervis Gjoshi, nga Shef i Komisariatit të Policisë nr. 4, emërohet Zëvendësdrejtor për Rendin në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë
-Robert Losha, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë nr. 7, Tiranë
-Elton Shahini, emërohet Shef i Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë
Komente
