Partizani ka mposhtur Tiranën në stadiumin ‘Air Albania’ me rezultatin 2-0 duke arritur të marrë kryesimin e renditjes së Superligës shqiptare me 40 pikë po aq sa bardh e blutë por me një golavarazh më të lartë.
Pavarësisht masave të ndërmarra nga policia për të mos lejuar fishekzjarre dhe flakadanë në stadium, duket se tifozët kanë arritur të gjejnë një zgjidhje pasi me të nisur ndeshja, hodhën në fushën e blertë kapsolla dhe shashka që dëmtuan dy portierët e skuadrave Bekim Rexhepi i Partizanit dhe Visar Bekaj i Tiranës të cilët morën ndihmën nga stafet mjekësore të ekipeve.
Pas 9 minutash lojë, arbitri ndërpreu ndeshjen dhe dërgoi dy skuadrat në dhomën e zhveshjes për të rinisur 5 minuta më vonë kur situata ishte qetësuar.
Në minutën e 19, sulmuesi afrikan Mba arriti të gjente rrjetën e Tiranës duke shënuar gol pas krosimit të Hadrojt nga e djathta.
Në minutën e 40-të, arbitri i ndeshjes, akordoi penallti për Tiranën por pasi e pa edhe njëherë pretendimin në pajisjen e VAR e anuloi vendimin e marrë më herët.
Pas nisjes së pjesës së dytë, e njëjta situatë u përsërit sërish me tifozët të cilët hodhën flakadanë në fushë të cilat bënë që i gjithë stadiumi të mbulohej nga tymi. Arbitri u detyrua të ndërpresë ndeshjen dhe paralajmëroi se nëse e njëjta situatë përsëritet, do të anulojë takimin.
Me rinisjen e lojës, në minutën e 60-të, Partizani arriti të siguronte një penallti, të cilën kapiteni i ekipit, Telushi nuk arriti ta kthente në gol duke mos arritur të mposhtë portierin Bekaj.
Në minutën e 80-të, Tedi Cara përfitoi pas një gafe në mbrojtjen kundërshtare, duke dyfishuar shifrat dhe duke vulosur një herë e mirë fatet e derbit.
Tirana dhe Partizani tashmë ndajnë kreu ne renditjes në tabelë me kuotën e njëjtë të 40 pikëve, por të kuqtë qëndrojnë në krye për shkak të numrit më të madh të diferencës së golave të shënuar me ato të pësuar.
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për mediat pas humbjes 2-0 përballë Partizanit. Ai tha se goli i parë ishte i pranueshëm, ndërsa i dyti një aksident që mund t’u ndodhë të gjithëve.
Shehi u shpreh se pavarësisht dëshirës së skuadrës së tij për të dalë përpara në sulm, Partizani u mbyll prapa dhe u mbrojt mirë.
“Dihet që në derbi situata të tilla janë të pranishme, ndonëse ne nuk duam që të ndërpritet loja efektive. Mendoj që pësuam një gol të evitueshëm, flas për golin e parë, por futbolli është një lojë gabimesh. Ndërsa goli i dytë është një aksident që mund tu ndodhë të gjithëve. Kërkonim të bënim më mirë, por kundërshtari u mbyll mbrapa dhe u mbrojt mirë.
Mund ta kishim zgjidhur më mirë, duke luajtur nga krahët, por nuk arritëm që ta bënim shumë mirë. Derbin e vendosin episodet dhe skuadra që i zgjidh më mirë fiton ndeshjen. Kemi luajtur edhe herë tjetër me këtë skemë, na penalizon mungesa e Abazajt.
Mendova që të shtynim nga krahët, por nuk mendoj se ndikon skema. Ngaqë nuk kemi 2 sulmues të mirëfilltë, nuk mund të luajmë lojën në ajër. Por mundohemi që të jemi gjithmonë në kontakt me topin, duke luajtur poshtë”, ka thënë Shehi.
Ka përfunduar ndeshja e derbit Partizani-Tirana me rezultatin 2-0. Të kuqtë kanë marrë kryesimin e kampionatit të Superligës shqiptare.
Vetëm pak momente pas humbjes së penalltisë nga kapiteni i skuadrës, Partizani ka shënuar golin e dytë ndaj Tiranës duke vulosur në këtë mënyrë fatin e ndeshjes.
Nga festimet, përfitoi edhe një tifoz i “të kuqëve” i cili hyri në fushë dhe përqafoi njërin prej lojtarëve të skuadrës.
Partizani ka humbur mundësinë për të dyfishuar rezultatin përballë Tiranës. Kapiteni, Telushaj nuk ka arritur të mposhtë portierin Bekaj të Tiranës.
Është ndërprerë për herë të dytë ndeshja Partizani-Tirana. Pavarësisht se në stadium nuk lejoheshin flakadanët dhe fishekzjarret, tifozët e dy skuadrave të kryeqytetit kanë hedhur kapsolla dhe shashka, duke bërë që e gjithë fusha të mbulohet nga tymi.
Të gjithë janë sonte në derbi. Edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, braziliani Silvinjo është i pranishëm në shkallët e “Air Albania” duke ndjekur Partizani-Tirana. Braziliani po vëzhgon nga afër lojtarët që janë kandidatë për të veshur fanellën kuqezi.
Është mbyllur pjesa e parë e derbit Partizani-Tirana me rezultain 1-0. Për ‘të kuqtë’ shënoi në minutën e 19-të sulmuesi afrikan Mba.
Një moment i dyshimtë gjatë ndeshjes ishte minuta 41 kur arbitri akordoi penallti në favor të Tiranës por vendimi i anulua pasi u konsultua me pamjet e VAR.
Tifozët e Tiranës kanë ‘ngacmuar’ ultrasit e Partizanit me stadiumin e ri të ndërtuar pranë Tufinës.
Në një prej banderolave që mbanin në duar tifozët ‘bardh e blu’ shkruhej: Shitet gazonjere rrëzë malit të Dajtit.
Partizani ka kaluar në avantazh në derbi. Pas një harkimi të Hadrojt nga e djathta, sulmuesi Mba çon sferën në portën e bardhebluve, i harruar i vetëm nga mbrojtja.
Ashtu siç pritej ka nisur me tensione ndeshja Tirana-Partizani pasi vetëm pas 5 minutash lojë, tifozët kanë hedhur shashka në fushë dhe kanë dëmtuar dy portierët Bekim Rexhepi i Partizanit dhe Visar Bekaj i Tiranës. Arbitri Juxhin Xhaja ka ndërprerë ndeshjen dhe ka futur dy skuadrat në dhomën e zhveshjes.
Lojtarët e akademisë së Partizanit kanë shpalosur në mesfushë një flamur gjigand të skuadrës së tyre pak minuta para se të nisë ndeshja. Kjo ka sjellë irritim tek tifozët e Tiranës të cilët kanë vërshëllyer gjatë gjithë kohës.
Tifozët ultras të Partizanit kanë mbërritur jashtë stadiumit ‘Air Albania’ ku kanë bërë edhe parashikimet e tyre për ndeshjen kundër Tiranës. Teksa bënë parashikimet e tyre live për studion e Report TV, tifozët e Partizanit u shprehën të sigurt se skuadra e tyre do të fitojë me rezultatin 3-0 duke shtuar se me këtë fitore do të kishin të sigurtë kampionatin.
“E parashikojmë ndeshjen 3 me zero. Që 3 vjeç e kam ndjekur Partizanin, që në kohën e Loro boriçit. Sot me këtë fitore, Partizani merr kampionatin.
Tifozët e Tiranës kanë nisur marshimin drejt stadiumit ‘Air Albania’ ku në orën 19:00 pritet të nisë ndeshja kundër rivalit të përjetshëm ‘Partizanit’.
Një numër i madh tifozësh kanë bllokuar rrugët dhe me brohorima janë nisur drejt stadiumit dy orë para se të nisë ndeshja.
Derbi i javës së 24 në Superligë mes Partizanit dhe Tiranës zhvillohet sot në "Air Albania" me fillim në 19:00. Kryendeshja e futbollit shqiptar ka zgjuar interesin e tifozëve, teksa sipas kompanisë që merret me menaxhimin e biletave, deri tani janë shitur afro 10 mijë prej tyre. Duke pasur parasysh që shumë sportdashës e lënë blerjen e biletës për në momentet e fundit, në impiantin modern të kryeqytetit priten mbi 13 mijë tifozë për një përballje të tillë.
Sot më 19:00 në "Air Albania" luhet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, i vlefshëm për javën e 24 në Superligën e futbollit. Sektori i Arbitrimit pranë FSHF-së ia ka besuar këtë duel gjyqtarit Juxhin Xhaja. Ndërkombëtari me stemën e FIFA-s u zgjodh më i miri i vitit të shkuar, duke marrë të drejtën për këtë përballje. Arbitra anësorë do të jenë Nertil Bregasi dhe Dojando Myftari, teksa Erjon Bastari do të jetë në rolin e arbitrit të katërt. Në VAR lezhjani Eldorjan Hamiti.
Partizani dhe Tirana luajnë sot për javën e 24 në Superligën shqiptare të futbollit. Në 19:00 dy skuadrat do përballen në "Air Albania", me interesin që është i lartë nga tifozët. Në impiantin modern priten më shumë se 12 mijë tifozë, teksa policia ka bërë me dije rrugët që bllokohen. Gjithashtu asnjë tifoz nuk do futet në stadium pa mjet identifikimi.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve. Gjithashtu policia do bëjë shoqërimin e tifozëve të dy grupimeve ultras, për të shmangur çdo konflikt dhe përballje të mundshme.
"Policia e Tiranës ka hartuar plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve të futbollit Partizani dhe Tirana, që do të zhvillohet më datë 06.03.2023, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” , bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga presidenca deri te sheshi "Nënë Tereza".
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës "Muhamet Gjollesha" me rrugën "Artan Lenja", përgjatë rrugës "Muhamet Gjollesha", rruga "Sulejman Delvina", rruga "Gjergj Filipi" - stadiumi;
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi "Skënderbej", bulevardi "Dëshmorët e Kombit, rruga "Bajram Curri", Rruga e Elbasanit, rruga "Dërvish Hima" - stadiumi.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).
Tifozët të kenë me vete dokument identifikimi pasi në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara", njofton policia.
Po ,vërtet,S'ka.. ndal.. o.. ze!!!Turp ! Primitive!Injorancë skizofrenike e dhunëshme!!!
PërgjigjuSkena te turpshme, vandalizma e perdorim i mjeteve te rrezikshme ne stadium ku kishte edhe femije, vajza e gra. Kur prisnim qe te knaqeshim duke pare nje ndeshje futbolli, vetem futboll nuk pati. Mjafte eshte mjafte. FSHF, klubet e institucionet duhet ta marrin situaten ne dore, pasi eshte kaluar cdo cak.
Përgjigju