Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takim elektoral me gratë e vajzat e qarkut Durrës, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në sallën e mbushur plot, në shoqërinë e kandidatëve, strukturave të partisë, kryebashkiakes Emiriana Sako, e cila mbajti dhe fjalën hapëse, u prezantuan edhe kandidatët socialistë për qarkun dhe u fol për projektet dhe investimet e këtyre viteve, deri te trefishimi i përfaqësimit me gra dhe vajza socialiste.
"Synojmë mandatin e 9 në Durrës më 11 maj", tha kryebashkiakja socialiste.
Përfaqësuesit socialistë të qarkut thanë se kanë synim mandatin e 9-të në qarkun e Durrësit, pasi zgjedhjet e vitit 2021 morën 8 mandate.
Kryeministri Edi Rama tha se vota e 11 majit është historike, duke e krahasuar me atë të 22 marsit 1992, pasi PS gjendet në kohën dhe vendin e duhur për të marrë një votë masive dhe për t'i dhënë mesazhin e fortë BE-së se shqiptarët e duan anëtarësimin.
Madje ai theksoi deri më 2013 BE-ja s'ia hidhte sytë Shqipërisë, kurse tani e respekton, teksa ngriti edhe pyetjen ironike:
"Po tani, t'u çojmë bufin e kënetës ne atyre që t'u ngrejë tavanin, atë që i fiket llamba 3 herë në ditë kur flet?!".
Rama komentoi edhe "mustaqet madhështore të Kujtim Gjuzit" dhe këshilloi gratë demokratë që nëse burrat nuk votonin për BE-në me 11 maj, t'i vinin në gjumë ditën e votimit, kurse për mënyrën se si tha se "e dinin vetë ato". Kurse vajzave u përsëriti që "të shpëtonin djemtë e kënetës", duke mos u lidhur me ta nëse ishishin pjesë e asaj apo baballarët donin t'i çonin në kënetë.
Referuar batutës ironike dhe metaforës politike se "burrat demokratë ishin çyrykë", kryesocialisti e shpjegoi duke thënë se edhe apo po të mos dëgjojë gruan, ashtu do jetë.
Pjesë nga fjala e kryesocialistit Edi Rama:
"Shoh që qenkam i vetmi burrë këtu, apo jo, jo, qenka edhe një tjetër i kamufluar me kapele aty, për të mos marrë mësysh.
Dua të them se kur shok këtë pamje, plasi syri i keq aty, plasi, plasi. Tani kam besim se mandati i nëntë këtu u sigurua...
Po sa me inat na shohin mor aman. Sa zili na kanë dhe sa më shumë me inat na shohin, aq më shumë zhyten...!
Por ne do jemi edhe më lartë. Dua të them kur e nisëm kishte më shumë burra, kishte më pak gra, shumë pak. Patjetër që kishte gra e vajza që votonin, por s’ishin pjesë e organizimit, ku diskutohej e merreshin vendimet.
Thoshte dikush, komentonte, po ç’i ke këto Shqipëria grua, Tirana grua, Korça grua, po ça do të shuash kur të shkosh në Durrës?
Ja ça do them: Durrësi është burrë, por drejtohet nga një grua, dhe që e kam shoqe. Jam krenar për të, për punën që bën, krenar për urtësinë dhe përkushtimin që bën punën, pa zhurmë, me kulturë dhe pa fjalë, është kudo, në çdo cep.
Sa herë më vjen mesazh gjithandej, e ia çoj, përgjigjet menjëherë, di problematikat, pikat që kanë nevojë, me ekzaktësi, kudo, i di të gjitha.
Faktikisht Ani është një kryetare bashkie që e krijoi tërmeti, doli nga tërmeti, ishte katastrofë e madhe, e përjetuat vetë, fizikisht, por edhe ankthin dhe shqetësimin e jashtëzakonshme për ato pamje e familje që ngelën pa shtëpi. Ani u gjend aty në bashki, mori detyrën, me shumë qetësi, se është edhe shumë e qetë. Nuk e di a do e shoh ndonjëherë nëse do nxehet! Dhe filluam pak e nga pak, u rindërtua, u bënë shtëpi të reja, u hapën dyert e apartamenteve të reja. Kemi edhe disa ende, por ama është krejt gjithçka e re, lagje e re, jemi duke punuar për të tjerat, që të jetë lagje rezidenciale shumë e bukur për Durrësin e ri.
Dëgjoja një nga ata çyrykët që thoshte çudi me këta socialistët, prapë do e marrin mandatin, si do e marrin dhe më duket se do e marrin prapë! Dhe prapë e fituan, fituan luftrat, tërmetin, kovidin etj., thoshte ky çyryku tani. Por po të ishte këneta me bufin, harroheni se do merrnin shtëpi të reja. Nëse nuk do ishim ne, do ishte këneta me bufin, pa spital, imagjinoni çfarë do bëhej me kovidin. Ne nuk dolëm në luftë me Rusinë, por çfarë ndodhi atje ku u godit rëndë sistemi energjetik, ne bëmë atë që jo vetëm nuk e rritëm 1 qindarkë, por e kapërcyem atë krizë, por jemi edhe i vetmi vend në botë, se Europa ka të tjera situata, që kemi ulur çmimin e energjisë elektrike.
Ja tek është Durrësi që po ndërtohet, ka plotë kantiere, vetëm sot vizituam 4 prej tyre dhe vazhdohet. Kur morëm mandatin e tretë thashë do mbështesim Durrësin dhe do investohet si asnjëherë tjetër dhe u bë. Përjashto tërmetin dhe ja ku është, u investua.
Kujtoj historinë e ujit të pijshëm që nuk kishte ujë 24 orë, teksa sot jemi në Durrës në nivelin më të mirë të furnizimit me ujë, kemi zona me 24 orë ujë dhe me investimin përfundimtar, ku janë bërë gati projektet, ne do e përmbyllim mandatin e katërt edhe këtë problematik dhe Durrësi s’do ketë më probleme me ujin e pijshëm në asnjë zonë.
Ka shumë gjëra që do e jenë Durrësin një nga portat më të mëdha në Mesdhe në të ardhmen. Por kemi edhe një ditë të rëndësishme, moment të rëndësishëm, kemi 11 majin. Ky është një moment me historinë, ku edhe fati na e ka sjellë për shkak të situatës së krijuar dhe ne duhet ta kapim këtë moment.
BE nuk e mban derën hapur në çdo moment, nuk e hap se ti ke nevojë dhe do të bëhesh pjesë, por ai e hap derën vetëm kur ti je gati të hysh në atë shpi dhe ata që janë brenda janë gati të të fusin në atë shtëpi.
Më parë kur një nga ministrat e BE thoshte që Shqipëria të hapte negociatat, dilte dikush tjetër që thoshte jo dhe kështu me radhë. Kjo ndodhte herë pas here, hapej dera dhe mbyllej pas pak kohësh. Kështu ndodhi edhe me ne.
Tani disa thonë opo ça thotë ky Rama, pas 3 mandatesh kërkon përsëri të katërtin për të na çuar në BE. Kur s’e bëri për 3 mandate, si do e bëjë në të katërtin! Po mirë nëse ne nuk kemi qenë të zotë për të çuar vendin në BE, si shpjegohet që Mali i Zi i ka hapur më 2012 dhe ende nuk është futur në BE, si shpjegohet Serbia që nga 2014 dhe ende nuk është futur, para nesh hapja e negociatave, po Maqedonia e Veriut që nga 2005, tani ka ndërruar emër, është mbrapa nesh! Si shpjegohet?
Tani BE na ka ulur në tavolinë, na ka vënë detyra, e na thonë jeni gati të mbyllni negociatat më 2027?
Tani çyrykët mund të thonë çfarë të duan për këto, por çështja është se rasti ka ardhur që BE na ka hapur derën.
Na kanë refuzuar se ne nuk e kishim mendjen tek ata, e ja ku u gjendëm sot bashkë me Malin e Zi, sepse në momentin që ata na thanë a jeni gati, ne duhet të jemi gati dhe jemi gati.
Dikur na buzëqeshnin me zor, na shihnin me bezdi, s’na llogarisnin fare.
Më 2013 kur morëm detyrën nuk vinte një i parë i një qeverie europiane, tani na është hapur dera.
Por kjo derë mund të na mbyllet dhe të mbetemi për shumë vite jashtë asaj dere.
Këto negociata parashikojnë 3 vite, afati deri më 2027, asnjë vend tjetër s’ka pasur kaq negociata të shpejta, përjashto Finlandën që ishte rast tjetër. Kjo do të thotë se duhet t’i shfrytëzojmë çdo ditë. Negociatat janë marrëveshje dhe punë mbi dokumente me 250 mijë faqe, çerekmilioni faqe mbi çdo gjë, nga mjedisi, shëndetësia, drejtësia, arsimi e deri te zogjtë e pulat, janë 1 mijë vetë që punojnë.
Nuk e ekzagjëroj kur them se edhe festat si Pashkët, Bajrami, Krishlindjet, ata njerëz nuk kanë lidhje, punojnë pa orar dhe madje shumica janë gra e vajza.
Dhe vjen puna tani për pyetjen se çfarë do zgjedhin europianët për këto negociata, interesin e një vendi të tërë apo hallin personal të një individi, të një njeriu 80 e kusur vjeç.
Çfarë do zgjedhim ne, interesin e vendit, për të qenë me europën njësh, apo me kënetën dhe bufin e kënetës, prapë në gropë nga e para.
Tani puna nuk është mandati i 8 në Durrës, apo 71, 72, 74, 75 e më shumë mandate në të gjithë vendin, këtë e dimë se i marrim. Por ne na duhet diçka më shumë, për të pasur vazhdimësi në negociata dhe për të mos u ndërprerë për asnjë moment. Ato janë ndërmjetësime, vazhdimësi, që kur të na thonë bëni këtë dhe atë, ta realizojmë se duan shpejtësi dhe vota në Parlament.
Përfytyroni tani që këto procese të kalojnë te këneta, nuk na del llogaria. Nuk e llogaris variantin që Shqipëria të çojë bufin në kënetë për negociata, as imagjinohet fare, kur pasi ne ia bëmë Shqipërinë vend të vlerësuar dhe të respektuar, madje nuk na shohin më nga lart poshtë, por drejtpërdrejtë, sy më sy, me respekt dhe marrim respekt dhe pas gjithë kësaj ata të marrin vesh se do flasin me bufin.
Çfarë do shohin, se do u ngrejë tavanin atje në BE? Apo që i fikët llamba tre herë në çdo fjalim?".
Kryesocialisti Edi Rama lajmëroi sot nga Durrësi se do e përsërisi ritualin politik si projeksionist zgjedhjesh që bëri në Kuç të Vlorës në vitin 2021 dhe ku ‘qëlloi në shenjë’.
Ai tha se do e shënonte përsëri dhe këtë herë PS dhe Shqipëria do merrnin një “fitore me notën 10”, kurse kundërshtari do dilte “më keq edhe se më 1997”.
Ai gjithashtu përsëriti thirrjen ndaj kundërshtarëve, se nëse “nuk duan komunistat e PS”, le të votojnë për kandidatet femra të socialistëve, që nuk kanë asnjë lidhje me komunizmin,
“Do shkoj në Kuç dhe do e shënoj rezultatin. Por them këtë, do marrim fitoren e dhjetë, do jetë me notën 10 për ne dhe ata do marrin rezultatin më të keq, më të keq se atë të 1997. Por puna nuk është sesa keq do dalin ata, por sa do marrim me shpresën për të ardhmen dhe sa ju dhe kush ju ka ju ka edhe burra, dhe sa nga ju me fqinje, shoqe, mike, deri edhe demokrate, t’i tërhiqni.
Dhe në rastin më të keq ta vërë në gjumë burrin atë ditë. Nuk e di sesi ta vënë në gjumë, por ta vënë. Nuk na duhen, bindini, që të mos dalin fare atë ditë. Nuk voton dot për komunistat? Atëherë voto për kandidatet tona, ja ku është Klodi, jepja asaj e mos ia jep PS dhe me spond i shërben të ardhmes së Shqipërisë. Ja edhe Milva ku është, që s’i ka shërbyer as komunizmit, ja anëtarja e këshillit bashkiak aty ku është, ja kandidatët tanë”, u shpreh kreu i mazhorancës drejt fundit të fjalës së tij.
Kurse kritikave të kundërshtarëve dhe komenteve se ai po u thotë vajzave socialiste që të ndahen nga djemtë demokratë, iu përgjigj duke përsëritur apelin se “djem që shkojnë në kënetë dhe nuk zgjedhin Shqipërinë për BE më 2030” nuk kanë ç’i duhen vajzave durrsake”.
Dhe për ta përforcuar, ai tha se “Durrësi ka djem plot”.
“Se thonë ky Edi Rama i thotë vajzave që ndahuni nga djemtë demokratë. Po normal, pse ça muhabeti është ky, unë s’i them ndahuni, i them shpëtojini, merrini me vete, mos i lini në kënetë. Ka Durrësi djem plotë, nëse di do të iki në kënetë, se s’e lë babi, lërë le të zhytet në kënetë ai. O me kënetën, ose me ne dhe në BE. Jam i sigurt se më 11 maj do marrim 9 mandate në Durrës”.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga Durrësi para grave dhe vajzave socialiste se 11 maji është datë e shënuar historike si zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Ai nuk e kërkoi votën për PS-në këtë herë, por për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në BE, që mesazhi për europianët të ishte i qartë, se shqiptarët e duan bashkimin me atë familje.
Duke bërë analogji politike, ai u shpreh se shqiptarët më 1992 nuk votuan PD si parti, por sepse ajo u gjend aty në kohën dhe vendin e duhur, ashtu sikurse PS më 11 maj.
Ai shtoi se me këtë rast, vota masive për PS-në do shërbejë edhe për të shëruar dhe pastruar PD-në nga këneta, duke e cilësuar si “palo parti”. Rama solli në vëmendje edhe përjashtimin nga listat e kandidatëve të fituesve të Primarëve në Durrës dhe më gjerë nga PD-ja dhe Sali Berisha, që sipas tij “i kullufiti një nga një”.
Fjala e Ramës:
“Këtu në Durrës kemi në listë 50% të kandidatëve femra. Janë edhe 3 javë, por këto tre javë mund të bëjmë diçka të madhe, të rëndësishme, sepse kemi fituar edhe më parë, por këto duhet të mbahen mend, të jenë si ato të 1992. Jo se u votua PD-ja në ato zgjedhje të marsit, por se nisën një sistem të ri dhe rrëzuan një të vjetër. PD u gjend aty dhe u votua masivisht, por ajo ishte një moment historik dhe shqiptarët i kishin bërë hesapet për ta mbyllur atë histori. Kështu është 11 maji, koha dhe vendi i duhur, vetëm për BE. Këtu në lojë është fati i kombit shqiptar në BE.
Nuk është histori e lagu se lagu, jo është Edi Rama e të tjera, jo, është fati i Shqipërisë. Ka ardhur fati në dorë. Ne na qëlloi 11 maji, duhet ta bëjmë. Duhet ta bëjmë realitet. Por them se kjo është edhe një mënyrë për të shëruar edhe atë palo parti, se ka mbetur në kënetë, për ta nxjerrë nga ajo kënetë dhe shëruar. Jo se më ha meraku shumë për ta, por duhet bërë kjo punë.
Isha sot në Kavajë, Kavaja mo 2 gishta, dy gishta. Lista e primareve, të parin e listës, e hëngri bufi, nuk është ai më. Ai sikur u tha kastile që t’i shihte se kush ishin ata me vota dhe i kullufiti të gjithë një nga një”.
Kryesocialisti Edi Rama vuri theksin në fjalën e tij edhe tek përfitimet ekonomike që ka Shqipëria nëse anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Dhe për ta bërë më të qartë ai tregoi një eksperiencë nga periudha e pandemisë së Kovidit, kur Shqipëria nuk merrte dot vaksina për popullatën, pasi nuk ishte anëtare e Unionit që të ndihmohej si pjesë e asaj familjeje apo ashtu siç ndodhi edhe me Greqinë.
Ai iu drejtua grave dhe vajzave socialiste se iu desh të shkonte deri në SHBA të takonte përfaqësuesit e Pfizer dhe në Turqi për të siguruar vaksina.
Nëse vendi bëhet pjesë e BE-së, siguron ndihmë financiare 1 mld euro në vit sipas kryeministrit.
Rama e shoqëroi edhe me një batutë, nëse “do votohej për Shqipërinë në BE më 2030, apo për mustaqet madhështore të Kujtim Gjuzit”.
Fjala e Ramës për përfitimet nga BE-ja dhe batuta me Kujtim Gjuzin:
“Shqipëria na duhet në BE, sepse kur hyjmë, kemi buxhet direkt ekstra. Si rasti i vaksinave në kohën e Kovidit, e m’u desh të shkoja në Pfizeri të lutesha për vaksina dhe më pas në Turqi për të marrë pjesën e parë të vaksinave. Sepse ne nuk ishim pjesë e BE. Mori greku se ishte pjesë e BE, familjes europiane dhe kush është atje funksionon me kategori, kontribuues dhe përfitues. Siç do jemi dhe ne kur të hyjmë. Kontribuesit janë të pasurit që ndihmojnë përfituesit.
Nëse kemi marrë deri tani 1 mld euro të tëra nga BE, kur të hyjmë ne marrim 1 mld çdo vit, që janë investime dhe fonde, për të bërë edhe atë që kemi detyrimin më të madh, rritjen e pensioneve.
Dhe shikoni, se çfarë marrim deri tani nga BE është borxh, kredi, me interesa të ulta e të buta, por është borxh.
Si mund t’i vëmë në diskutim këto, a do votojmë për Shqipërinë në BE 2030 apo do votojmë për ‘mustaqet madhështore” të Kujtim Gjuzit?”.
Kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe një herë batutave ironike dhe metaforave për kundërshtarët, kryesisht burrat që mbështesin “kënetën” siç e tha ai.
“Sepse edhe unë po nuk kuptova gruan time, atëherë jam çyryk”, u shpreh ai duke shpjeguar pse prej disa ditësh ‘thumbon’ mbështetësit e opozitës dhe takohet me gra dhe vajza socialiste.
Kryesocialisti iu referua edhe shifrave, duke thënë se 56% mbështetësve të PS janë gra dhe vajza, teksa synimi është që anëtarësia e kësaj kategorie të jetë mbi 50%.
Duke bërë një krahasim se çfarë mund të jetë Durrësi pa gra apo pa burra, ai tha se nëse ato do iknin një muaj me kroçerë, burrat do mbuloheshin nga leshi dhe era e keqe dhe në qytet do kishte vetëm të dehur. Dhe e vijoi batutën e tij me rastin kur iknin burrat një muaj nga Durrësi, nëpër rrugë nuk do gjendej më asnjë bisht cigareje e hedhur.
Fjala e Ramës dhe batutat për “burrat çyrykë”:
“Burrat që nuk kuptojnë pse unë bëj takime me gra e vajza, atëherë janë çyrykë. Pyesin pse unë takoj gratë. Por edhe unë po nuk kuptova gruan time, atëherë jam çyryk. Edhe vite më parë kur nuk kishte gratë, Shqipëria ishte gjysmake. Sepse Shqipëria vite më parë nuk kishte gjysmën e saj më të mirë, gratë dhe vajzat! Hë, a është e vërtetë! E keni parë kënetën, vetëm burra! Hë... mirë e ke, lëri ata (i drejtohet një gruaje nga salla, që i tha ‘lëri ata’) mirë e ke, lëri ata, varja! Imagjinoni një shtëpi me 9 burra, kështu ishte Shqipëria.
Sot kemi 40% gra, kemi afro 39 mijë gra anëtare nga 100 mijë, por nuk duhet të ndaleni pa u bërë 50 mijë e sipër, 50%, sikur e një më shumë mbi 50%.
Imagjinoni të merrni tragetin e të ikni, të mbyllni telefonat e të ikni me krocerë një muaj!
Çfarë do gjeni kur të vini? Tmerr, burra me lesh, që vijnë era, të dehur, lëre mos e pyet!
Po të ikin burrat në vendin tuaj? Nuk do ketë as të dehur, as sherre, nuk do gjesh më as një bisht cigareje në rrugë. Doni më? Ka akoma, por nuk jemi për të ndarë këto gjëra. Këtu e kam besimin unë se do ia dalim. Se 56% e grave dhe vajzave votojnë PS-në.
Me burrat rrimë çik ngushtë. Ça të them unë për ata që janë me kënetën, burrat. Ata mund të jenë të zotë, të mirë sa të duan, por janë çyrykë se votojnë kënetën. Imagjinoni janë prindër me fëmijë, tani është 10 apo 12 vjeç, por pas 5 vitesh do jetë 17 vjeç, kur ne të jemi për të hyrë në BE. Në atë moment ti i jep fëmijës tënd pasaportën europiane për të studiuar në Europë. Nuk i jep dokument udhëtimi, se atë e kanë pasaportën aktuale, por e shpëton nga ato jo po kush të ka ftuar, ku do vesh, sa lekë ke me vete, kur do ikësh etj., sepse ti je i huaj, je e huaj, nuk je banor apo banore me të drejta të barabarta e asaj familjeje. Kur merr pasaportën je njëlloj me ata. Ndaj i them gjithë prindërve demokratë atë votë nuk e keni vetëm tuajën, e keni edhe të fëmijëve. Atë votë nuk e di më se çfarë mund të kërkoni, duke ia dhënë votën për fëmijën, s’do të detyrojë më ty të paguash dhjetë herë më shumë për të studiuar atje. Sepse fëmija atje do jetë i barabartë me ata.
Ju keni të regjistruar në diasporë në Itali e më gjerë të regjistruar për votime. Kush i bëri ata të vijnë këtu, tani edhe italianët duan të vijnë më shumë sesa ne të vijnë për turizëm këtu. Kishin merakun e pensioneve, edhe ato që ia zgjidhëm ne. Ka ca çyrykë që thonë “ik ore, do na futësh ti në BE, hyjmë vetë në BE”. Por BE nuk është vetëm muhabet pasaporte.
Por duke qenë me pasaportë europiane në BE, mund të kandidosh edhe që nga atje për deputet në BE, vetëm deputet italian nuk bëhesh dot me atë pasaportë. Po dokumentet, puna, leja, pensionet? Në momentin që marrim pasaportën europiane mund të rrinë në Greqi për breza dhe i kanë të tëra njëlloj si grekët, automatikisht”.
Komente
