Politikë

Kryesuesja e OSBE-së në Tiranë takohet me Xhaçkën: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE

5 Tetor 2021, 10:06| Përditesimi: 5 Tetor 2021, 15:58

  • Share

Ministrja suedeze për Punët e Jashtme Ann Linde, si kryetare e radhës e OSBE-së ka vizituar sot për herë të parë Shqipërinë.

Në një konferencë të përbashkët ministren e Jashtme Olta Xhçka, Ann Linde është shprehur se OSBE do të vijojë mbështetjen për vendin tonë. Ajo theksoi se Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE.

“OSBE do të vijojë të ketë një mbështetje të fortë. Kam zhvilluar 20 vizita në rajon dhe jam besimplotë që Osbe po bën ndryshim. Fokus në konflikte ka qenë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore. Në terma më të përgjithshme, vijojmë të mbështesim vendet pritëse për të përmbushur procesin e tyre. Jemi krenarë për arritjet, jemi mirënjohës. Suedia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë, do të jetë e angazhuar në bashkëpunimin dypalësh”, tha Linde.

Vizita në Shqipëri e Ministres Linde është pjesë e turit të vizitës së saj. Ministrja Xhaçka tha se vizita e saj në Shqipëri është një tregues i rëndësishëm i vëmendjes ndaj rajonit tonë.

“Ballkani Perëndimor ka përparuar në rrugën e stabilizimit, zhvillimit e bashkëpunimit. BE ka paqartësi lidhur me hapat e mëtejshëm të rajonit në procesin e integrimit. Vëmendja e Presidencës suedeze është mesazh angazhimi e mbështetjeje. Ne jemi të gatshëm të ndajmë eksperiencën tonë në krye të OSBE. Shqipëria është provë e pakundërshtueshme e transformimit nga angazhimi multilateral. Ne do të bashkëpunojmë në çuarjen përpara të prioriteteve të Shqipërisë në KS. Ju uroj suksese në muajt e mbetur të kryesimit të OSBE-së”, tha ministrja.

Mëngjesin e sotëm, ajo ka zhvilluar edhe një takim me presidentin e vendit, Ilir Meta.

 

 

Ora 18:34
Meta pret kryesuesen e OSBE-së: Mirënjohje Suedisë për mbështetjen e vendit tonë në rrugëtimin evropian

Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim kryetaren e OSBE-së, Ann Linde, i cili bën me dije se i ka shprehu mirënjohjen Suedisë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

“Kënaqësi të takohesha me Kryetaren e radhës së OSBE-së, Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Zonjën Ann Linde, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Tiranë. Vlerësova kryesinë suedeze të OSBE-së, rolin, përpjekjet dhe angazhimin me synim krijimin e një rajoni më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë, si dhe e sigurova për mbështetjen e Shqipërisë në çështjet e multilateralizmit dhe prioritetet e kryesisë aktuale. E falënderova për rolin mbështetës të Suedisë në planin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në atë dypalësh, veçanërisht nëpërmjet projekteve të ndryshme zhvillimore për demokracinë dhe institucionet e pavarura në vendin tonë”, shkruan Meta.

Ora 15:57
Kryesuesja e OSBE-së takohet me Nikollën: Thellojmë bashkëpunimin për avancimin e reformave

 

Kryesuesja e OSBE-së Ann Linde ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe Enkelejd Alibeaj.

Siç njofton zyra e shtypit në takim është diskutuar për rrugëtim evropian të Shqipërisë, ndërsa kryesuesja e OSBE-së shprehu vendosmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me Shqipërinë për avancimin e tre prioriteteve të Organizatës: siguria, demokracia e sundimi i ligjit dhe barazia gjinore.

“Është e rëndësishme që opozita është në Kuvend dhe të gjitha palët shprehin perspektivën dhe qëndrimet e tyre, nëpërmjet dialogut politik dhe respektimit të qëndrimeve e vlerësimeve të ndryshme”, tha Ann Linde.

Nikolla falenderoi Ann Linde për mbështetjen që Suedia i dha Kryesisë shqiptare të OSBE-së si edhe vetë Organizatës, si edhe vlerësoi punën e Kryesisë Suedeze në kryesimin e OSBE-së vitit 2021, nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, për një Europë më të  qëndrueshme e të sigurt.

“Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë Kuvendi, do të vazhdojnë bashkëpunimin e suksesshëm me OSBE-në për avancimin dhe thellimin e reformave, përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve, konsolidimin e institucioneve demokratike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, promovimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e shoqërisë civile. Me opozitën në Kuvend, si një aset i demokracisë dhe i parlamentit, do të thellojmë bashkëpunimin duke zgjeruar aksesin e saj për të kontribuar në avancimin e reformave”, tha Lindita Nikolla.

Në takim e morën fjalën edhe Alibeaj dhe Felaj, të cilët shprehen qëndrimet e tyre të ndryshme mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?