Kryetari i Komisioni të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron për një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare

15 Shkurt, 09:33| Përditesimi: 15 Shkurt, 09:37

  • Share

Kryetari republikan i Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve i bëri thirrje administratës së Presidentit Biden të mërkurën të deklasifikojë informacionin për atë që ai e quajti një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare.

Ligjvënësi Mike Turner nuk dha detaje për natyrën e kërcënimit dhe administrata e Presidentit Biden refuzoi të jepte përgjigje. Por disa nga ligjvënësit kryesorë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson kërkuan të bëhet kujdes për të mos ngjallur panik.

Një këshilltar i lartë i një ligjvënësi tha, se sipas tij, kërcënimi lidhet me një armë ruse kundër-satelitore në hapësirë, për të cilën ende nuk dihet nëse është vendosur në hapësirë apo jo. Një armë e tillë mund të paraqesë rrezik të madh për satelitët amerikanë.

Këshilltari, i cili foli me kusht që të mos të identifikohet, tha se ende nuk është e qartë nëse kjo armë ruse ka kapacitet bërthamor, por shtoi se ky është burimi i frikës.

Zoti Turner gjatë ditës së mërkurë u dërgoi një letër anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve duke thënë se komisioni ka “identifikuar një çështje urgjente për një kapacitet të huaj destabilizues ushtarak” që duhet të ndahet me të gjithë politikbërësit e Kongresit. Ai i nxiti ata të shkojnë në një dhomë të sigurtë për t’u njohur me informacionin.

Zoti Turner është njëri prej zërave që kërkon një politikë më të fuqishme kombëtare amerikane, që e ka përplasur atë me disa nga kolegët e tij republikanë që ndjekin një politikë më izoluese. Ai ka bërë thirrje për forcim të mjeteve të përgjimit të qeverisë amerikane, ndërkohë që disa republikanë dhe demokratë të vijës liberale, kanë ngritur shqetësime rreth privatësisë.

Ai po ashtu përkrah vazhdimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë në një kohë kur çështja e sigurimit të financimit është e pasigurtë për shkak të kundërshtimit në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumicën e përbëjnë republikanët.

Kryetari i kësaj dhome, Johnson tha se nuk është i autorizuar të zbulojë informacionin sekret. “Duam t’i sigurojmë të gjithë, se jemi në kontroll të situatës. Po punojmë dhe nuk ka nevojë për alarm,” u tha ai gazetarëve në Kapitol.

Ligjëvënësi demokrat Jim Himes, anëtar i lartë i Komisionit për Zbulimin, tha në një deklaratë se informacioni sekret është “i rëndësishëm” por “nuk ka arsye për panik.”

Komisioni i Zbulimit i Senatit deklaroi se po e përcjell situatën.

“Do të vazhdojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe jemi duke diskutuar hapat e ardhshëm me administratën,” deklaruan kryetari i komisionit Senatori Mark Warner dhe Senatori Marco Rubio, nën-kryetari republikan. “Ndërkohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos zbuluar burimet dhe metodat që mund të jenë qenësore për t’iu ofruar Shteteve të Bashkuara një mori opsionesh për veprim”, shtuan ata.

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit shprehën pakënaqësi me mënyrën se si zoti Turner ngriti shqetësimet e tij. Deklarata e tij duket se e zuri të papërgatitur administratën e Presidentit Biden.

Këshilltari i Presidentit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai do të takohej të enjten, sipas një takimi të programuar ditë më parë, me ligjvënësin Turner dhe udhëheqësit e tjerë të lartë të Dhomës së Përfaqësuesve. Zoti Sullivan nuk e bëri të ditur temën e takimin dhe nuk dha detaje për deklaratën e zotit Turner.

“Do të takohem me të dhe me anëtarët e tjerë nesër,” deklaroi zoti Sullivan. “Nuk mund të them asgjë më shumë në këtë moment.”

Ai e pranoi se nuk është procedurë e zakonshme të ofrohet një takim i tillë me ligjvënësit.

“Mund të them se personalisht kam kontaktuar… (me ligjvënësit e Komisionit). Është shumë e pazakontë që një këshilltar i sigurisë kombëtare ta bëjë këtë,” tha zoti Sullivan. Ai tha se ka kontaktuar me ta në fillim të javës.

Krytari i Dhomës së Përfaëqsuesve Johnson tha se ai i ka dërguar një letër muajin e kaluar Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar takim me presidentin për të diskutuar “çështjen serioze të sigurisë kombëtare që është sekrete.” Ai tha se takimi me zotin Sullivan të enjten është në përgjigje të kërkesës së tij.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?