Blerim Sejdiu, kryetari i komunës së Zhelinës në Maqedoninë e Veriut në një lidhje ‘skype’ për “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv foli për festimet që po zhvillohen në komunën që ai drejton në kuadër të 111 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.
Përveç festimeve, ai foli edhe për problemet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke nisur që nga fakti që gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në institucionet kryesore të vendit. Ai tha se flamuri shqiptar nuk lejohet të përdoret në institucionet qëndrore por vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 50% të popullsisë.
“Në Maqedoni në institucionet më kryesore, ende nuk kemi të drejtë të përdorim gjuhën shqipe, as në prokurori, as në gjykata. As në përfaqësimet e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk kemi të drejtë ta përdorim dot. Në Kushtetutë gjuha shqipe nuk përmendet fare si e tillë por me nocion përçmues. Ne në një farë mënyre jemi pjesëtarë të një kombi që nuk ka emër. Në komunë ku ka mbi 50% shqiptarë mundet të përdoret flamuri kombëtar por vetëm në komunë dhe jo në institucionet qëndrore. Nuk kemi të drejtë ta përdorim flamurin kombëtar”- tha Sejdiu.
Sipas tij, një faj për këtë pjesë kanë edhe shqiptarët që janë pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut pasi nuk bëjnë mjaftueshëm përpjekje për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.
Lajmi kryesor:
111 vjetori i pavarësisë, Dredha: Rrugët e Vlorës janë plot, ka shqiptarë nga të gjitha trevat! Arifi: Lugina e Preshevës, një 'plagë', kërkojmë mbështetje
B.V//ReportTv.al