Ekipi i nisur nga Shqipëria për të ndihmuar Turqinë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit tragjik që ka goditur vendin është një krenari edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në qytetet turke.
Në një intervistë për Report Tv, kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Stamboll Bora Zukali tha se edhe vetë shqiptarët që jetojnë në Turqi janë organizuar për të ndihmuar.
“Natë e vështirë kaloi. I gjithë populli kaloi natën jashtë shtëpive dhe ishte shumë ftohtë dhe nata ishte shumë e vështirë. Jetojnë 12 milionë njerëz në atë zonë, në ato 10 qytete që janë goditur. Qyteti më i madh është Andana dhe më pas Gazientep. Një pjesë e qyteteve janë rrafshuar, janë bërë si një fushë sporti. Po bie dëborë dhe temperaturat janë ulur shumë. Kemi fshatra shqiptare dhe boshnjake në disa zona të goditura. Asnjë problem nuk ka në ato fshatra. Ata tashmë janë organizuar për të ndihmuar. Një ekip nga fshati i shqiptarëve është formuar dhe kanë dalë për të ndihmuar. Ekipi që po vjen nga Shqipëria është një krenari shumë e madhe për ne”, tha ai.
Zukali bëri me dije se janë 6217 pallate të rrëzuara, teksa vijojnë kërkimet.