Holta Zaçaj kryetare e Gjykatës Kushtetuese në një seancë solemne me rastin e 25-vjetorit të Kushtetutës së Shqipërisë, në fjalën e saj u ndal te kritikat ndaj sistemi gjyqësore. Sipas Zaçajt, kritikat janë një indikator i lirisë së shprehjes, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm ose mjet presioni ndaj tyre. Me tej Zaçaj tha se pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur.
‘Gjykata Kushtetuese, së cilës i është ngarkuar përgjegjësia e të qenit rojtarja dhe interpretuesja e normës kushtetuese, thirret të thotë fjalën e fundit sa herë nevojitet. Ky është një mision dhe rol që gjyqtarët kushtetues e mbajnë me krenari dhe përgjegjësi të lartë. Përmes interpretimit, Gjykata arrin ta bëjë normën kushtetuese realitet, të gjallë. Ajo në interpretimin e Kushtetutës respekton vlerat tona kombëtare si pjesë e vlerave universale, duke marrë në konsideratë qëllimin e hartuesve të saj, si edhe duke iu përshtatur dinamikave të reja shoqërore.
Gjatë tri dekadave të funksionimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka ndikuar në zhvillimin e demokracisë dhe drejtësisë kushtetuese, e përgjegjshme për ndikimin e vendimmarrjes së saj në jetën shoqërore, ekonomike e politike të vendit. Pavarësisht kësaj, të gjithë aktorët duhet të pranojnë verdiktin e saj. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është në fakt sjellja e duhur, e nevojshme dhe e vetme për të zbatuar Kushtetutën.
Kritikat ndaj Gjykatës dhe gjyqtarëve të saj janë një indikator i lirisë së shprehjes, për të cilën ne të gjithë kemi luftuar, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm ose mjet presioni ndaj tyre. Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur. Politizimi i gjyqësorit dhe gjyqësorizimi i politikës kanë qenë dhe janë fenomene, të cilat përbëjnë sfida të vazhdueshme të demokracive në zhvillim, por edhe të atyre të konsoliduara.’- njofton Gjykata e Kushtetuese.
Lajmi kryesor:
Zaçaj mesazh politikës në 25-vjetorin e Kushtetutës: Ndalni sulmet, sistemi i drejtësisë funksionon vetëm i pavarur! Begaj: Sfidë mbingarkesa
M.Q.//ReportTv.al