Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Olta Zaçaj: Shteti i së drejtës, themeli i demokracisë! Misioni ynë vetëm shërbimi ndaj ligjit

10 Maj 2023, 11:18| Përditesimi: 10 Maj 2023, 12:06

  • Share

 

Në fjalën e saj përshëndetëse në aktivitetin për 110-Vjetorin e themelimit të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, kryetarja e  Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, u ndal në parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si një nga shtyllat qendrore të shtetit të së drejtës të cilin e ka trajtuar Gjykata Kushtetuese.

“Kjo pavarësi, nuk është favor dhe as privilegj, por përgjegjësi dhe detyrë për gjyqtarët. Ajo imponohet nga vetë të drejtat e njeriut dhe është parakusht për të garantuar që arbitri është i paanshëm siç deklarohet edhe në Kushtetutë. Varësia absolute e gjyqtarit është vetëm ndaj ligjit dhe kjo është në fakt paradigma  për legjitimitetin e kësaj pavarësie”, tha ajo.  

Në vijim të fjalës së Zaçaj theksoi me  forcë se duhet të jemi ambiciozë dhe kurajozë  kur flitet për shtetin e së drejtës si gur themeli i një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Ai siguron që individët dhe institucionet të jenë përgjegjës për veprimet e tyre, që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë të drejtë dhe transparente  në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

“Pa shtetin e së drejtës ne rrezikojmë të kemi një shoqëri ku pushteti abuzon apo i shmanget ligjit dhe më të fuqishmit veprojnë pa u ndëshkuar. Kjo jo vetëm që minon parimet e së drejtës, por, gjithashtu gërryen besimin e publikut tek institucionet që synojnë t’i mbrojnë”- u shpreh znj. Zaçaj.

Në përfundim të fjalës së saj ajo tha se pavarësia, paanshmëria dhe integriteti i sistemit të drejtësisë janë parakushte thelbësore për ekzistencën e çdo shoqërie të shëndoshë dhe demokratike dhe çdo përpjekje për të rrezikuar pavarësinë e gjyqësorit është një shqetësim i thellë që duhet të na preokupojë të gjithëve. Askush nuk mundet dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin, as vetë gjyqëtaret. Asnjë qeveri, asnjë ligjvënës, asnjë politkbërës, asnjë nëpunës nuk mund të shihet si i cliruar nga përgjegjësia kur detyrimet burojnë nga ligji dhe ai duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe para tij të gjithë janë të barabartë. Një sistem i drejtë gjyqësor është një shenjë dalluese e çdo qytetërimi të zhvilluar.


Lajmi kryesor:

110 vite Gjykatë e Lartë/ Kim: Mos mendoni se me ikjen time, do bllokohet reforma në drejtësi! Hohmann: S’ka integrim në BE pa drejtësi cilësore


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?