Kryetarja e KLGJ: Mbi 34 mijë dosje stok! Ruçi: Shpallni vendet vakante për 'Kushtetuesen' dhe të Lartën! Murrizi: Kërkoni ndryshimin e Reformës në Drejtësi (VIDEO)

25 Qershor 2020, 11:54| Përditesimi: 25 Qershor 2020, 14:10

  • Share

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami u shpreh se stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë është shtuar me 5654 cështje duke çuar në mbi 34300. "Sot janë 34300 çështje në total për të gjykuar në Gjykatën e Lartë. 5654 iu shtuan stokut vitin e fundit. 3 kandidatë u emëruan me dekret te presidentit, një është në shqyrtim.

KLGJ-ja hartoi edhe bazën ligjore për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve për ta plotësuar me gjyqtarë karriere, kemi hapur garën për 6 vende, kanë aplikuar vetëm 12 kandidatë, të njëjtët që kanë aplikuar më parë. Plotësimi i vendeve vakante.

Aktualisht kemi një numër të vogël gjyqtarësh, nga 103 gjyqtarë vetëm 29 janë konfirmuar, 18 plotësojnë kriteret e eksperiencës. Numër i vogël kandidatësh që kufizon mundësinë e përzgjedhjes. Për pasoja procesi mund të cilësohet si i paracaktuar" tha ajo.  

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i kërkoi kryetares së KLGJ-së që të hapë menjëherë garën për të gjitha vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, pasi wshtw kusht pwr integrimin. 

"Të shpallen të gjitha vendet e lira në gjykatën e Lartë. Ju këtë cështje e latë të fundit, Kuvendi është i interesuar për gjithcka, por në radhë të parë edhe Kuvendi edhe publiku edhe partnerët janë të interesuar kur do të plotësohen vakancat në gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese.

Nuk ka asnjë arsye, as ligjore që ju mos hapjen e të gjitha vendeve, të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel për këtë cështje.

Lidhur me këtë rezolutë që Kuvendi do të votojë sot, Kuvendi dhe seanca e posacme për këtë cështje, kur themi të hapen menjëherë dhe përfundojë sa më shpejt, të mos jemi të okupohet një mbledhje e posacme e Kuvendit vetëm për këtë, mos-hapjen e vendeve vakante" tha ai.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja bëri edhe një paralajmërim drejtuar kryetares së KLGJ-së. "Kushdo që e pengon këtë do të jetë pjesë e analizave në Kuvend".

Ora 14:03
Gjonaj: Reforma në drejtësi e rrezikuar nga ata që tentojnë ta minojnë (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj thotë se reforma në drejtësi është e rrezikuar nga ata që tentojnë në mënyrë të vazhdueshme ta minojnë. Në fjalën e saj në Parlament, Gjonaj u shpreh se duhet ende  kohë në mënyrë që të arrihet pritshmëria e qytetarëve. Problemin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, Gjonaj e shikon si problem të vettingut, por si problem i sistemit të  kaluar të drejtësisë.

"Zbatimi i reformës në drejtësi ka arritur në një pikë sa kyçe po aq delikat ku renditen një sërë rezultatesh pozitive, ku janë ngritur dhe ushtrojnë funksionin të gjitha Institucionet e reja të drejtësisë, por duke qenë ende në fazën fillestare të saj, gjendet gjithmonë e rrezikuar nga ata që tentojnë në mënyrë të vazhdueshme ta minojnë.  Që të konsiderohet një drejtësi tërësisht funksionale dhe të realizohen pritshmëritë e qytetarëve kërkon ende kohën e nevojshme të saj.  Në një reformë kaq radikale dhe komplekse pa dyshim ka aspekte që nuk kanë shkuar mirë dhe nuk janë ndjekur të gjitha proceset në kohë sic është plotësimi me anëtarë të GJL dhe Gjykatës Kushtetuese por kjo nuk do të thotë në asnjë moment se është dështim i reformës.  Fakti që gjykata e lartë dhe Gjykata Kushtetuese mbeti pothuajse bosh, nuk duhet parë si problem i vettingut, por si problem me atë sistem të trashëguar dhe mungesën e integritetit të këtyre gjyqtarëve të shkarkuar. Reforma në drejtësi dhe njerëzit që ju përkushtuan asaj vazhdojnë të marrin sulme të përditshme, dhe qëllimi i vetëm është ngadalësimi i punës së institucioneve të reja dhe mos vijimi i zbatimit të saj", tha Gjonaj.    

Sa i takon opinionit të Venecias, që i dha të drejtë presidentit Meta për emërimet në Kushtetuese, Gjonaj u shpreh se ky opinion në asnjë rresht të saj nuk preku parimet e vendosura nga Reforma në Drejtësi.

"Komisioni i Venecias i dha të drejtë Kuvendit me mënyrën e kuptueshmërisë dhe zbatimit së nenit 179/2 të Kushtetutës për sekuencën e emërimeve në GJK.  Komisioni i Venecias ne asnjë rresht të saj nuk tha që është gabim mekanizmi zhbllokues për procedurën e betimit të Presidentit por për shkak të ngërçeve politike që të mos përsëriten në të ardhmen të mund të ngrihet në nivelin e kushtetutës.  Komisioni i Venecias në asnjë rresht të saj nuk përmendi që mekanizmi zhbllokues për emërimin e anëtares të GJK është i pavlefshëm. Por meqënëse në një situatë komplekse, të paprecedent kur GjK ka mbetur pa gjyqtarë, kur kandidatët janë të paktë, në të ardhmen palët duhet të jenë më të koordinuar", tha Gjonaj.  

Ora 12:58
34 mijë dosje pa u gjykuar/ Murrizi thirrje KLGJ e KLP: Bëni kërkesë për ndryshimin e Reformës në Drejtësi! (Debat me Gjonin)

Deputeti i opozitës së re, Mulsim Murrizi pas raportimin të kryetarëve të KLGJ e KLP për punën e institucioneve të drejtësisë, tha se këto duket se reforma në Drejtësi nuk ka gjetur zbatim, duke u kërkuar atyre që të bëjnë një kërkesë për ta ndryshuar atë! Sipas tij, koha ka treguar se "jo çdo gjë ka qenë e mirëmenduar në funksion të pasjes së drejtësisë në këtë vend". Ai ka pasur edhe një debat me deputetin tjetër, Ralf Gjoni.

"Sa anëtarë KLP kanë kaluar vettingut, sa është funksionale dhe kur pritet të zëvendësohet ato që kanë ikur, sa anëtarë rezultojnë me të shkuar të errët nga DSIK. Po mbushet një vit, unë dhe Hysi ishim të ftuar në inagurimin e pallatit të drejtësisë, të marrë nga qeveria me tender e pa tender, dhe sot KLP e KLGJ enden skutaveë të zyrave të marrë më qira pa e marrë në dorëzim këtë godinë, pa kushtet e nevojshme. Ju personalisht çelësat e kashtës keni në dorë, ka individë që luajnë për interesa të pista për këta që janë në sallë. Kryetari i komisionit të karrierës, që kalon vettingun dhe pse ka probleme me DSIK heziton të shpallë vakancë, se pret që dikujt t'i mbarojë mandati apo t'i krijohet mundësia atij që i është dhënë llafi nga pazaret që bëhen në këtë sallë. 34 mijë çështje pa u gjykuar, sa vjet do të duhen, sa shqiptarë enden në dyert e gjyqësori për të marrë vendimit, sa vendime janë pezulluar, të gjitha këto e shumë probleme të tjera mirë është t'i adresoni edhe me një kërkesë ligjore për ta parë dhe ndryshuar ligjin nëse është nuk është i plotë dhe cedon në funksionimin e tij. Nga 2016 kanë kaluar 4 vite, e mirëkuptojë entuziazmin dhe duartrokitjet të famshme dhe flamujt dhe tituj e gradave të atyre që kanë hartuar këtë ligjin. Por koha ka treguar se jo çdo gjë ka qenë e mirëmenduar në funksion të pasjes së drejtësisë në këtë vend. E keqja i ka rrënjët në këtë sallë, kjo sallë është shndërruar në manekinë e kukulla të 2 individëve e gjysmë. Nuk jam protagonist falso për ndryshime të Kushtetutës. Nuk bëj protagonizëm fals, nuk na bën protagonistë as sms më ndërkombëtarët, as oftoja e Kuvendit, as takimeve skutave e ferrave në Pallatin e Kongreseve faktor në popullin shqiptar, por  Bujrum të ndryshojmë kushtetutën të garantoj që do e ndryshoj Kushtetutën", tha Murrizi.

Në përgjigje të Murrizit, Gjoni tha se edhe ai kërkon ndryshime të Kushtetutës, por është kundër pragut të 5%  për t'u futur në Kuvend.

"Muslim i nderuar ti e di që ti dhe unë jemi në një llogore sa i përket kauzës së sistemit, nuk dua që fjalët e mia të keqinterpretohen, jam pro ndryshimeve Kushtetuese, unë të kam dhënë autorizimin që të më përmendje emrin si mbështetës pro ndryshimin e Kushtetutës, por ama  Muslim i nderuar nuk do mbështes një propozim kushtetues për vendosjen e pragun 5% në një sistem rajonal konkurrimi, nuk ka sens juridik. Sepse ka shumë merak që kur futet dora në Kushtetën, mund të futen edhe në anekse të tjera sic është reforma në drejtësi, këtu e kam hallin që të futet dora atje ku nuk duhet. Ne jemi për ndryshime të sistemit dhe hapjen e listave", tha Gjoni.

Ora 12:33
Spiropali si Ruçi thirrje KLGJ-së: Veproni shpejt për ngritjen e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese (VIDEO)

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ashtu si Gramoz Ruçi i kërkoi kryetares së KLGJ-së që të çojë përpara procesin, duke hapur garën për të gjitha vendet vakante në gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, pasi ngritja e dy institucioneve është kusht i BE-së.

"Ne e kemi iniciuar reformën në drejtësi pas fitores sonë të 2013, me një komision model që përfshiu jo vetëm vullnetin e shoqatave dhe shoqërisë civile. Përsa i përket SPAK, 8 anëtarët u betuan, KLP emëroi drejtuesin. Byroja e Hetimit do të fillojë së shpejti dhe ne presim me ngulm, që KLGJ-së të veprojë më shpejt për ngritjen e gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese që janë shtyllë për domosdoshme për rrugën tonë.

Duhet ti bëjmë si përgjegjësi ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë. Ua kemi borxh fëmijëve tanë dhe të ardhmes së Shqipërisë. Të krijojmë një klimë politike për reformat, ngërçi jonë është lufta politike vetëm për pushtet këtu dhe jashtë. Për reformën zgjedhore vizioni ishte për depolitizim, por të detyruar nga frika e PD-së ulëm në atë tryezë për një proces që nuk bojkotohet nga opozita. Tani reforma në drejtësi dhe zgjedhore të çohen përpara" tha ajo.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?