Natali Bliu, është 19 vjeç. Krahas ndjekjes së studimeve në Universitet, prej 4 vitesh, është e angazhuar edhe si vullnetare pranë Kryqit të Kuq Shqiptar. Gjithmonë ka pasur dëshirë të ndihmojë njerëzit në nevojë.
“Unë jam Natali Bliu. Kam katër vite që jam pjesë e grupit të vullnetarëve të kryqit të kuq. Ka filluar rastësisht. Ishte rastësi, por kam dashur që të jem gjithmonë pjesë e grupeve të vullnetarizmit. Të jesh vullnetar, të merresh me bamirësi, është një ndër vlerat më të mira që duhet të ketë një person. E ndjej veten shumë të përmbushur kur bëj diçka. Ndihem shumë mirë që arti im, do të arrijë që të ndihmoje shumë fëmijë që nuk po e shijojnë fëmijërinë e tyre ashtu siç e kam shijuar unë. Kjo pikturë është frymëzuar nga një statujë e Apollos, perëndisë Greke. Unë jam 19 vjec, dhe vullnetarizmi nisi si një dëshirë që unë e kam pasur për të ndihmuar të tjerët. Tani në universitet, jemi organizuar që tek pediatria e spitalit Nënën Tereza, të dhurojmë dhurata për këto ditë festash”, tregoi Natali Bliu.
Nismat më të fundit që ka ndërmarrë janë mbledhja e dhuratave për fëmijët e pediatrisë së QSUT dhe realizimi i një pikture, të cilën e bashkangjiti për t’u shitur në ekspozitën e Kryqit të Kuq.
Paratë e mbledhura nga shitja e pikturave që janë pjesë e ekspozitës do të shkojnë për institutin e fëmijëve që nuk shikojnë dhe dëgjojnë.
“Në këtë aktivitet, përpos shprehjes së falënderimeve tona ndaj vullnetarëve, ne kemi organizuar dhe një ekspozitë me piktura, që të rinjtë vullnetare shfaqin idetë e tyre nëpërmjet veprave të artit. Janë disa vullnetar. Pikturat e tyre ekspozohen dhe individë të ndryshëm, dëshirojnë dhe blejnë pikturat e veccanta. Parata e mbledhura shkojnë për fëmijët që nuk dëgjojnë dhe shikojnë”, tha Presidenti I Kryqit të Kuq, Ylli Alushi.
“Paratë, të ardhurat e këtij eventi do të shkojnë për bamirësi. Për fëmijët që nuk shikojnë dhe dëgjojnë. Për mua është minimum që mund të bëj për këta fëmijë, pasi janë njësoj me fëmijët e mir, tanë. Duhet ti ndihmojmë dhe respektojmë në maksimum”, tha Skerdi Faria, doktor.
Nën sloganin “vullnetarizmi na bashkon”, Kryqi i Kuq Shqiptar vlerësoi gjatë aktivitetit me medaljen e artë të Humanizmit artisten Roza Anagnosti.