Duke nisur nga kjo e dielë do të flemë më pak. Në mesnatë akrepat e orës shkuan 60 minuta para, që shënon edhe nisjen e periudhës së orës verore. Ky ndryshim të do të thotë zgjim më herët, dhe dita do na duket më e gjatë.
Ndryshimi i orës ndodhi në orën 02:00, ku akrepat lëvizën me 60 minuta para, në orën 03:00. Kjo orë do të na shoqërojë deri të dielën e fundit të Tetorit ku akrepat do të shkojnë sërish 60 minuta pas.
Sipas disa studiuesve, thuhet se koha verore sjell përfitime për shëndetin tonë, sepse është më në sinkron me orën tonë biologjike, e cila ka nevojë për errësirë gjatë orëve të mbrëmjes për të prodhuar melatoninë dhe për të siguruar pushimin e duhur.
Prej dekadash, vendet e Bashkimit Europian aplikojnë dy orë, atë të dimrit, që nis të dielën e fundit të tetorit dhe orën verore që kthehet të dielën e fundit të marsit. Në Europë, Komisioni Europian e hoqi detyrimin për vendet anëtare për të ndryshuar orën, një vendim që duhet të hynte në fuqi në vitin 2021, por për shkak të pandemisë dhe mjaft burokracive, vendimi nuk ka marrë ende fuqi ligjore.
Sipas vendimit, secili vend do ta vendosë në mënyrë të pavarur nëse do ta ndryshojë apo jo orën.